Autori i Lajmit: red.
Në Kodin Civil të Mbretërisë Shqiptare parashikohet shprehimisht ndalimi i bashkëshortëve që të parashikojnë në mënyrë të pacilësuar që martesa e tyre të rregullohet sipas zakoneve të vendit. Kodi Civil i Mbretit Zog I, për herë të parë e parashikoi kontratën e martesës, e cila duhej bërë me akt publik para noterit, përpara celebrimit të martesës



Sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, gruaja nuk kishte asnjë të drejtë, as mbi fëmijët e as mbi shtëpinë. Gjithashtu gruaja nuk gëzonte të drejta trashëgimore mbi pasurinë e lënë nga burri ose fëmijët. Ajo kishte të drejtë të qëndronte në shtëpinë e burrit të vdekur, ose të largohej, duke marre “trembëdhjetë okë groshë dhe tre barrë kallamoq”



Kodi Civil i Mbretërisë Shqipëtare i cili hyri në fuqi me 1 prill 1929 u hartua mbi bazën e kodit më modern të asaj kohe, Kodit Civil të Napoleonit, i cili ka ushtruar ndikim të madh në shumë shtete të tjera e sidomos tek Kodi Civil Italian dhe ai Zvicerian. Kodi Civil i mbretit Zog I pati rëndësi të madhe në atë kohë sepse për herë të parë vendosi mbi baza ligjore marrëdhëniet familjare, të cilat do të ishin unike për të gjithë Shqipërinë. “Në praktikë ishte tepër e vështirë që ai të gjente zbatim, sidomos kur ndikimi i rregullave të kanuneve dhe normave fetare ishte tepër i fuqishëm dhe ruajtën ndikimin e tyre për vite me radhë”, thotë juristi Fatri Islamaj.

Kanuni, realiteti tjetër

Sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, gruaja nuk kishte asnjë të drejtë, as mbi fëmijët e as mbi shtëpinë. Gjithashtu gruaja nuk gëzonte të drejta trashëgimore mbi pasurinë e lënë nga burri ose fëmijët. Ajo kishte të drejtë të qëndronte në shtëpinë e burrit të vdekur, ose të largohej, duke marre “trembëdhjetë okë groshë dhe tre barrë kallamoq”. Kjo tregon se gruaja kishte shumë pak të drejta pasurore mbi atë që fitohej gjatë martesës. Gjithashtu një ndikim të madh në të drejtën zakonore shqiptare, përsa i përket temës që po trajtojmë, pati dhe Sheriati (e drejta myslimane).

Megjithatë në fushën e të drejtave pasurore gruas i njihej autonomia që ajo gëzonte në administrimin e pasurisë vetjake. Nga praktika gjyqësore e Gjykatës së Diktimit rezulton që gruaja nuk kishte të drejta pasurore mbi pasurinë e përbashkët të vënë gjatë martesës. Po sipas kësaj praktike të kohës, ajo vetëm trashëgonte pjesë nga pasuria e bashkëshortit pas vdekjes së tij. Deri në vitin 1929, sikurse vëren studimi i juristit Fatri Islamaj, përveç disa vendimeve të përfitimit nga trashëgimia në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Diktimit, nuk ka asnjë rast që të trajtojë probleme në lidhje me pasurinë bashkëshortore pas zgjidhjes së martesës.

Me hyrjen në fuqi të Kodit Civil të mbretit Zog I, rregullimi i marrëdhënieve pasurore mes bashkëshortëve dhe marrëdhënjeve të tjera familjare bëhej mbi baza juridike dhe jo sipas zakonit ose fesë së bashkëshortëve. Kodi Civil pranoi institutin e martesës laike. Martesa lidhet në mënyre solemne para nëpunësit të gjendjes civile. Edhe pas miratimit të Kodit Civil, një pjesë e mirë e shtetasve, vazhdonin të lidhnin martesën “sipas zakonit”, pa celebruar martesë laike, rrjedhojë kjo e mentalitetit të tyre mbi martesën.

Siç shihet masat e gjera të popullsisë nuk kuptonin që martesa e lidhur sipas normave zakonore nuk kishte asnjë vlerë juridike, dhe kështu nuk gëzonte asnjë mbrojtje nga ligji.

Në Kodin Civil të Mbretërisë Shqiptare parashikohet shprehimisht ndalimi i bashkëshortëve që të parashikojnë në mënyrë të pacilësuar që martesa e tyre të rregullohet sipas zakoneve të vendit. Kodi Civil i Mbretit Zog I, për herë të parë e parashikoi kontratën e martesës, e cila duhej bërë me akt publik para noterit, përpara celebrimit të martesës. Sipas këtij Kodi, regjimi pasuror i bashkëshortëve mund të rregullohej me marrëveshje të palëve dhe me ligj. Mënyra e rregullimit të pasurisë së bashkëshortëve parashikohej në kontratën e martesës. Palët kishin të drejtë të ndryshonin rregullimin e pasurisë (pra regjimin pasuror) në kontratën e martesës vetëm para celebrimit të martesës dhe po në të njëjtën formë, pra me akt publik. Personat e tretë të cilët nuk ishin vënë në dijeni për ndryshimet në kontratën e martesës, nuk mund të prekeshin nga këto ndryshime.

Parashikimi në Kodin Civil i kontratës së martesës përbënte një hap shumë të rëndësishem në marrëdhëniet familjare në atë kohë, sidomos në marrëdhëniet midis bashkëshortëve, duke patur parasysh pozitën shoqërore të gruas. Por këto ndryshime nuk gjetën një terren të përshatshëm, sepse nuk u shoqëruan me ndryshimin e domosdoshem të mentalitetit të shoqërisë shqiptare. “Në këto kushte, mund të themi se ky ishte një Kod modern por në një shoqëri patriarkale, gjë që solli zbatimin e tij në raste të rralla në fushën e marrëdhënieve familjare”, citojmë studimin e gjyqtarit Fatri Islamaj. Kodi Civil, në aspektin e marrëdhënieve pasurore mes bashkëshortëve rregullon: Dotën, Pasurinë parafermale, bashkëpronësinë mes bashkëshortëve.



HISTORIKU

Ndarja e pasurisë martesore në shoqërinë shqiptare, si ka ndryshuar me kohën

Regjimet martesore parë, në kontekstin historik, fillimin e zhvillimit të tyre e kanë me miratimin e Kodit Civil të vitit 1929 i cili për herë të parë vendosi një sistem unik për gjithë Shqipërinë. Ky kod për pjesën e regjimeve pasurore martesore mbeshtetej në Kodin Civil të Napoleonit (Kodi i Francës 1804) ku si karakteristikë kryesore ishte pushteti i burrit ndaj gruas për shkak të konservatorizmit të shoqërisë së asaj kohe. Përsa i përket zhvillimit të regjimeve pasurore martesore në vitet 1948-1966, studiuesi i fushës, Fatri Islamaj, shprehet për një zhvillim të marrëdhënieve bashkëshortore në fushën pasurore, ku karakteristikë kryesore ështe zbatimi i parimit kushtetues të barazisë se burrit me gruan. Forma kryesore e bashkëpronësisë e parashikuar në kodet e kësaj periudhe është “bashkëpronësisë në tërësi“. Në vitin 1981, në dispozitat e Kodit Civil dhe të Kodit të Familjes, shtyrë edhe nga kërkesat e reja moralo-humaniste për të siguruar një solidaritet real midis bashkëshortëve, u imponua regjimi pasuror martesor ligjor dhe unik, ai i bashkëpronësisë universale.

Futja e pronës private, miratimi i ligjit “Për Kthimin dhe Kompensimin e pronave ish pronareve“, krijimi i shoqërive tregtare, të ardhurat nga puna në emigracion etj, bënë që zbatimi i regjimit të bashkëpronësisë ligjore të mos i përgjigjet këtij zhvillimi. Vete praktika gjyqësore nuk arriti ti japë zgjidhje mjaft problemeve që nxori koha në këtë periudhë.

Format e pasurisë së gruas

Dota ishte pasuria, të cilën gruaja ose persona të tjerë për llogari të saj ia sillnin burrit shprehimisht me titull dote për të mbajtur barrët e martesës. Dota përfshinte tërësisht ose pjesërisht pasurinë e tashme dhe të ardhme të gruas, dhe në qoftë se thuhej shprehimisht, edhe gjithë pasurinë e gruas. Në kontratën e martesës bashkëshortët mund të bien dakort të parashikojnë një fitim mbi shumën e dotës në favor të bashkëshotit pasjetues. Gjatë kohëvazhdimit të martesës, të drejtën e administrimit të dotës e ka vetëm bashkëshorti (burri), i cili mund të ngrejë padi në gjykatë kundër debitorëve dhe nëdorësve të dotës si dhe të mbledhë frutat dhe kamatat e saj.



Pasuria parafermale e gruas

Një pjesë jo shumë e rëndësishme në Kodin Civil dhe praktikën gjyqësore të kohës zë pasuria parafermale. Pasuria parafermale është pasuria e gruas që nuk përfshihet në dotë dhe që bashkëshorti nuk ka të drejtë ta administrojë dhe as të kërkojë kreditë e saj nëqoftëse nuk ka porosi nga bashkëshortja. Në qoftë se gruaja emëron burrin përfaqësues për administrimin e pasurisë parafermale të saj, me kusht që t i japë llogari për frutet, ai detyrohet kundrejt saj si çdo përfaqësues tjetër.



Vitet 30, bashkëpronësia, administrimi i pasurisë vetëm nga burri

Në ligj ka mjaft dispozita që diktojnë pozicionin e pabarabartë të gruas, si parashikimi se burri është kreu i familjes

Për bashkëpronësinë midis bashkëshortëve, Kodi Civil i Zogut I parashikonte vetëm bashkëpronësinë mbi fitimet, pavarësisht nga fakti, nëse ishte parashikuar kushtituimi i dotës në kontratën e martesës ose jo. Marrëveshja lidhur me bashkëpronësinë mbi fitimet parashikohet në kontratën e martesës dhe fillon efektet e saj nga momenti i celebrimit të martesës. Sipas Kodit Civil nuk mund të bëjnë pjesë në bashkëpronësi as aktivi dhe as pasivi i tashëm i bashkëshortëve (në momentin e lidhjes së martesës) dhe as pasuria që u vjen atyre me trashëgim gjatë kohës së ekzistencës së bashkëpronësisë midis tyre. Në bashkëpronësi bën pjesë vetëm gëzimi i pasurisë së luajtshme ose të paluajtshme, të tashme dhe të ardhme të bashkëshortëve. Të gjitha fitimet që nxjerr burri dhe gruaja së bashku ose secili prej tyre veç e veç gjatë kohës që vazhdon regjimi i bashkëpronësisë, qofshin këto fitime të rrjedhura nga industria e përbashkët ose nga ekonomia e tyre, janë të përbashkëta dhe të ndashme, duke zbritur më parë debitë që rëndojnë mbi bashkëpronësinë e bashkëshortëve. Sipas Kodit Civil vetëm burrri mund të administrojë sendet në bashkëpronësi si dhe të kryejë veprime lidhur me to, gjë që tregon pabarazinë e plotë të burrit me gruan në shoqërinë e kohës. “Duke patur parasysh si doktrinën dhe praktikën gjyqësore të lidhur me Kodin Civil të vitit 1929, mund të themi se ishte një hap i rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve juridike familjare të asaj kohe, por që ruajti dhe nuanca të inferioritetit të gruas në raport me burrin”, vëren në studimin e tij Fatri Islamaj. Kjo vihet re jo vetëm në aspektin e jetës shoqërore të përditshme, por edhe në aspektin juridik.

Në Kodin Civil ka mjaft dispozita që diktojnë pozicionin e pabarabartë të gruas, siç është parashikimi se burri është kreu i familjes, gruaja ndjek pozitën civile të burrit, merr mbiemrin e tij dhe detyrohet ta shoqërojë atë kudo që ai e sheh të arsyeshme të caktojë qëndresën e vet (neni 188), ose parashikimi se gruaja për të ushtruar një profesion ose një industri duhet të marrë pëlqimin e burrit, dhe se në rast refuzimi nga ana e tij Gjykata mundet mbi kërkimin e saj të japë autorizimin kur atë profesion ose industri e gjen në interesin e familjes (neni 191). Pra, me gjithë karakterin emancipues të tij, Kodi nuk i shpëton cënimit të vullnetit të gruas në zgjedhjen e profesionit që i pëlqen dhe/ose i intereson.



Ky lajm është publikuar: 31/01/2009