Kuvendi i Shqipërisë mund të shkarkojë nga detyra anëtarët e Komisionit të Shërbimit Civil. Kryetarja e këtij komisioni prezantoi dje raportin vjetor të këtij komisioni, mbi mënyrën se si janë trajtuar punonjësit civil në administratë, por raporti nuk është firmosur nga të 5 anëtarët. Deputetët e të dy krahëve kritikuan komisionin, duke e paralajmëruar atë për shkarkimin e anëtarëve. “Nuk është raport që shpreh vullnetin e organit kolegjial, por është raport i njëanshëm”, - tha deputeti i PR-së, Arjan Madhi. Deputeti i PS-së, Besnik Dervishi, u shpreh: “Përderisa nuk jeni të aftë të firmosni një raport, unë hedh dyshime se keni probleme të tjera në punë për sa i përket mbrojtjes së punonjësve civilë”. Edhe deputeti Bashkim Fino kritikoi punën e këtij institucioni. “Është një material i cili ka ardhur, pasi siç thotë dhe kryetarja, komisioni është mbledhur gjashtë herë dhe nuk ka lidhur dot gjuhën e përbashkët për të miratuar një raport për t’ia sjellë Kuvendit të Shqipërisë”, - tha Fino. Në fund të mbledhjes, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, i kërkoi këtij komisioni të rimblidhet dhe të miratojë raportin të firmosur nga të gjithë anëtarët brenda 10 ditësh. Ai tha se Bordi i Monitorimit të Kuvendit do të ndjekë nga afër procedurat. “Në përfundim të 10 ditëve ne kemi nevoje të kemi vendimin mbi tavolinë, vendimin e Komisionit të Shërbimit Civil që miraton raportin, në të kundërt, ne jemi të detyruar të informojmë Kuvendin për mosfunksionimin e KSHC-së dhe t’i bëjmë propozimet përkatëse Kuvendit”, - tha Rusmali.





Ambasadori britanik, zgjedhjet me rëndësi për Shqipërinë





Ambasadori britanik në Shqipëri, Frezër Uillson, deklaroi dje se procesi zgjedhor i lirë dhe i ndershëm është i rëndësishëm për Shqipërinë. Ai ka ftuar partitë politike të angazhohen për arritjen e standardeve në zgjedhjet e ardhshme të qershorit. Duke i konsideruar zgjedhjet si vendimtare për integrimin e Shqipërisë, Uillsoni u shpreh se arritja e standardeve në zgjedhjet e qershorit janë një element me rëndësi. Deklarata e ambasadorit britanik ka ardhur gjatë takimit të sotëm me kreun e PDK-së, Nard Ndoka.