Ferdinand Dervishi

Konferenca e shumëpërfolur e partisë së Tiranës në prillin e 1956 rivjen përmes të dhënave autentike të nxjerra nga arkivat sovjetike që përmbajnë transkriptimin e takimeve të Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut me të dërguarin e Nikita Hrushovit në Tiranë. Sipas stilit të vjetër, krerët më të lartë të shtetit komunist në Shqipëri vazhdojnë të sillen përpara ambasadorit sovjetik në Tiranë si vartësit para eprorit duke i raportuar se situata është nën kontroll, se në rastin e Konferencës së Tiranës nuk ka ndonjë gjë për tu shqetësuar, se ata si përherë janë të besuarit e Partisë së madhe Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe të komunizmit ndërkombëtar. Ngjarjet zhvillohen në prill të 1956, kohë kur Stalini ka vdekur dhe kulti i tij i individit sapo është goditur nga pasardhësi Nikita Hrushov. Por valët e një lëkundjeje të tillë në Shqipërinë e vogël komuniste duket nuk janë ndier, apo më saktë vetë Enver Hoxha është kujdesur të mos ndihen. Sepse lideri i komunistëve shqiptarë duket e kishte nuhatur në kohë se po të pranoje pa asnjë kufizim kultin e individit të Stalinit, po të pranoje persekutimet e tij në radhët e popullit sovjetik, do të thoshte të akuzoje veten për të njëjtat krime, do të thoshte të të vërsuleshin të gjithë e të të bënin gropën duke pasur në favor edhe erën e ndryshimeve pas staliniste, apo modifikimet që Hrushovi nisi të bënte, sipas mënyrës së tij, në krye të udhëheqjes së vendeve të demokracive popullore. Gjithsesi në Konferencën e partisë së Tiranës bomba e shpërthyer ishte e përmasave të rrezikshme. Sepse delegatët ishin peshkuar në njëfarë mase edhe nga një artikull i nënshkruar nga vetë Enver Hoxha, botuar në gazetën “Zëri i Popullit” mëngjesin e fillimit të mbledhjes, më 14 prill 1965. Një shkrim që mesa duket i kishte orientuar shumë nga pjesëmarrësit në konferencë të mendonin se furtuna e nisur në stepat ruse kishte mbërritur edhe në Tiranë dhe se vetë Enver Hoxha e kishte pranuar, madje e kishte pagëzuar me këtë shkrim të tijin.

Shkrimi në “Zërin e Popullit”
Në artikullin e vet Enver Hoxha shkruan se “PK e BS e dënoi me të drejtë kultin e individit të krijuar për J.V. Stalinin në vitet e fundit të aktivitetit e të jetës së tij dhe që i solli kaq dëme Bashkimit Sovjetik... Marksizëm-Leninizmi nuk e mohon rolin e individëve në histori... por kur individët e shquar, duke e vënë veten mbi masat, fillojnë e shkëputen prej tyre, atëherë krijohen kushte për gabime që dëmtojnë rëndë masat... që i kushtuan shumë popullit sovjetik dhe çështjes së socializmit”. Në të njëjtin shkrim Hoxha thoshte se nga gabimet e Stalinit vendet e demokracive popullore duhet të nxirrnin mësime, tekstualisht: “Në dënimin që Kongresi i 20 i bëri i kultit të individit, në kritikën e hapur dhe të guximshme që u bëri dëmeve të tij, PK e BS dhe të gjitha partitë komuniste e punëtore të së gjitha vendeve nxjerrin konkluzione me rëndësi praktike... për Partinë e vendin tonë ato (këto konkluzione të Kongresit të 20. red.) janë një ndihmë shumë e madhe”.
Madje Enver Hoxha nuk mëtonte të sillte vendimet e Kongresit të 20 të PK të BS në realitetin shqiptar, duke përmendur edhe një pjesë të mëkateve të partisë që ai vetë kryesonte: “Në mjaft raste janë dhënë dënime me akuza të fryra, sidomos në periudhën deri në Kongresin e Parë të Partisë sonë... Partia i ka dënuar përpjekjet për të vënë Sigurimin e Shtetit mbi Partinë, për të vendosur metoda policeske në parti dhe për të shkelur të drejtat e qytetarëve duke kryer arbitraritete, persekutime e dënime pavend”.
Pra në orët e para të mëngjesit, para se të niste punimet Konferenca e Tiranës, delegatët e kishin përpirë këtë shkrim. E kishin përpirë duke u bindur përfundimisht se edhe në Shqipëri kishte ardhur koha të reflektohej për vendimet e Kongresit të 20 të PK të BS dhe se shembullin e parë e kishte dhënë vetë Enver Hoxha përmes këtij shkrimi.

Akuzat në Konferencë
Në fakt shumica e pyetjeve të forta apo të guximshme të ngritura në Konferencën e partisë të Tiranës kishin lidhje pikërisht me kultin e individit të Stalinit, apo më saktë ishin shkak-pasojë e reformës së ndërmarrë nga Hrushovi pas demaskimit të regjimit të paraardhësit të tij, Stalinit. Nisur nga këtej, pyetjet e rrezikshme të bëra në konferencë siluronin pikat më delikate të Partisë së Punës të Shqipërisë, pasi ato godasin trajtimin pothuaj mbretëror ekonomik e financiar të anëtarëve të Komitetit Qendror, madje pati edhe pyetje për kultin e individit në Byronë Politike etj. Ja disa prej tyre:
1-”Përse KQ i Partisë së Punës nuk nxori asnjë konkluzion në frymën e Kongresit të 20-të PK të Bashkimit Sovjetik lidhur me të metat e partisë sonë, siç bënë partitë komuniste dhe punëtore të vendeve të tjera?”
2-”Si është çështja e kultit të individit te ne dhe ajo në Byronë Politike?”
3-”Në vetë Komitetin Qendror ka shumë shokë, burrë e grua. Përse nuk shikohet ky problem në udhëheqjen e Partisë? Përmenden Enver e Nexhmije Hoxha, Mehmet e Fiqerete Shehu, Maqo çomo e Liri Belishova, Hysni e Vito Kapo”.
4-”A nuk është tepruar që funksionarët të marrin ushqim të garantuar sa të duan e të mbajnë kuzhinierë me lekë nga Qeveria?”
5-”A e njeh Komiteti Qendror gjendjen e varfëruar të popullit dhe pse nuk tregon haptazi shkaqet e vërteta?”
6-”Ulja e pagesës së punonjësve si mund të përputhet me parullën e Partisë për ngritjen e nivelit të jetesës së popullit?”
7-”Cili është shkaku që rrogat e funksionarëve të lartë të Partisë e të shtetit u rritën, kurse të punonjësve të thjeshtë nuk luajtën ose u ulën?”
8-”Të përgjigjet Fiqerete Shehu se a e ka ajo idenë se çfarë mund të blejë punëtori me 3000-4000 lekë në muaj?”
9-”... nga dalin fondet që duhen për të mbuluar shpenzimet e Bllokut? Në cilin kapitull të buxhetit hyjnë ato? Ne duhet të pranojmë se masat jashtë bisedojnë shumë për çështjen e Bllokut.”
10-”Përse nuk është sqaruar partia në mënyrë të organizuar mbi Partinë Komuniste të Jugosllavisë?” E.t.j. Këtyre pyetjeve i’u përgjigj me kujdes Beqir Balluku, i dërguari i KQ të PPSH-së në Konferencë, por përgjigjet e tij duket nuk i mbushën mendjen askujt, sepse situata në Konferencë u acarua edhe më tepër. Në këtë kohë Mehmet Shehu, Kryeministri, dhe të tjerë mbështetës të Enver Hoxhës, kishin marrë informacione të sakta se situata në Konferencën e partisë së Tiranës kishte dalë nga shinat. Këta nisin të organizohen nga jashtë se si të ndërhynin për të korrigjuar këtë drejtim të marrë. Sipas materialit që po botojmë, marrë nga arkivat sovjetike të kohës, Mehmet Shehu takon mbrëmjen e datës 14 prill 1956 ambasadorin sovjetik në Tiranë L. Krillov (ai i mëparshmi, D. çuvahin, ishte zëvendësuar duket në kuadër të reformës së Hrushovit red.) dhe i shpjegon situatën kritike duke i kërkuar ndonjë ide a zgjidhje dhe njëkohësisht i thotë se për këtë ka lajmëruar edhe vetë Enver Hoxhën, që është në Vlorë dhe se ky i fundit ka premtuar që të nesërmen në mëngjes (15 prill 1956) do jetë në Tiranë. Me të mbërritur Enver Hoxha, sipas bisedës së tij me ambasadorin sovjetik, të datës 16 prill 1956, e cila vijon e plotë më poshtë, ka marrë në duar frenat e situatës duke i shpallur luftë rebelëve të Konferencës së Tiranës, një informacion që ja jep me krenari, mburrje apo edhe censurë informacioni, të dërguarit të Hrushovit në Tiranë. Dihet që Enver Hoxha përdori kundër më kurajozëve të Konferencës shpifje të llojit “për ty kemi të dhëna që udhëton me makinat e ambasadës jugosllave” e të tilla të ngjashme, me qëllim për t’i demaskuar në sy të delegatëve dhe për të lënë përshtypjen se edhe këtë herë “armiqtë e popullit” nuk kishin fjetur gjumë dhe se ata ishin shtruar këmbëkryq në mes të konferencës. Më poshtë transkriptimi i dy procesverbaleve, ai i takimit të Kryeministrit Mehmet Shehu me ambasadorin sovjetik dhe më pas ai i takimit të Enver Hoxhës me të njëjtin të dërguar të aleatit të madh.

Mehmet Shehu
në panik
Nga raportet e Krillovit L.I.(*
SEKRET
Ekz: Nr. 1
8 maj 1956
N: 157
Procesverbali i bisedës me Kryetarin e Këshillit të Ministrave Mehmet Shehu.
15 prill 1956.
Dje në mbrëmje dhe sot dy herë u takova me Kryetarin e Këshillit të Ministrave, Mehmet Shehu.
Takimi i parë u bë mbrëmë, vonë natën, kur Mehmet Shehu, më kërkoi në koncertin e ansamblit bullgar të këngëve e valleve, të organizuar për trupin diplomatik. Mehmet Shehu, më rrëfeu se Konferenca e sapofilluar e Partisë e qytetit të Tiranës kishte shkuar në një rrugë jo të drejtë. Në vend që të gjykonin në thelb raportin e qartë të komitetit të partisë të qytetit, një numër delegatësh, me mbështetjen e shumicës së pjesëmarrësve në konferencë, ngritën pyetje të shumta në mënyrë të pashmangshme në adresë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, duke kërkuar për to përgjigje të menjëhershme nga përfaqësuesi i KQ në konferencë, Beqir Balluku. Thelbi i këtyre pyetjeve përcillej në këto çështje: a e njeh udhëheqja e KQ të PPSH-së gjendjen e rëndë ekonomike në shtresat e ulëta të popullit të thjeshtë? Përse në këtë rast udhëheqja e KQ të PPSH-së në të njëjtën kohë i ka siguruar vetes autovetura, magazina speciale (ushqimore red.)? Përse gjendja ekonomike e popullit është përkeqësuar në krahasim me vitin 1946 dhe çfarë bën Komiteti Qendror? Hidhet një hipotezë sipas së cilës deri në ndarjen me Jugosllavinë populli jetonte më mirë. Si i ka kuptuar KQ vendimet e Kongresit të XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik për luftën me kultin e individit në rrethanat e Shqipërisë dhe çfarë bëhet në këtë drejtim? Përse përkeqësohen marrëdhëniet me Jugosllavinë? Mos vallë KQ i partisë fsheh diçka? çfarë ka në mend KQ të bëjë për çështjen e Koçi Xoxes?
Sipas fjalëve të Mehmet Shehut, Beqir Balluku ka dhënë përgjigje të drejta dhe ka sqaruar pikat e këndvështrimit të KQ. Por kjo nuk e ka kënaqur konferencën dhe dy diskutimet e para deri në fund të seancës së mbrëmjes patën të njëjtën frymë si edhe çështjet e ngritura. Mehmet Shehu e karakterizoi të gjithë këtë si një ofensivë armiqësore të organizuar dhe u këshillua (me ambasadorin sovjetik red.) se çfarë masash duheshin marrë që konferenca të hynte në rrugë normale. Ne u morëm vesh me Mehmet Shehun se konferenca nuk duhet të lihet të mëshirë të rrjedhës dhe se asaj duhet t’i jepet drejtimi i duhur duke shfrytëzuar për këtë elementë të shëndoshë që janë në konferencë, por kjo duhet të bëhet me qetësi dhe me kujdes duke mos akuzuar askënd për punë armiqësore.
Më 15 prill në mëngjes, Mehmet Shehu sërish më ftoi dhe më tregoi se në mbrëmje ai ishte takuar me anëtarët e KQ që merrnin pjesë në konferencë me cilësitë e delegatëve dhe se ishin marrë vesh për masat e marra. Veç kësaj, i kanë telefonuar Enver Hoxhës në Vlorë, ku ai është duke u përgatitur për raportin kryesor dhe se ai ka dhënë fjalën se do të vijë sot në konferencë. Fjalimet e para të mëngjesit ishin pak më të përmbajtura se të mbrëmjes së djeshme. Gjithsesi nervozizmi në punën e konferencës ndihet dhe janë të mundshme eksese të ndryshme. Ne ramë dakord me Mehmet Shehun se do të mbajmë kontakte përgjatë ecurisë së konferencës.
Ambasadori i BS në Shqipëri
L. Krillov.(Firma)

Enveri: Si i dërrmova rebelët
Nga raportet e Krillovit L.I.
SEKRET
Ekz: Nr. 1
1 maj 1956
N: 168
Procesverbali i bisedës me Sekretarin e Parë të KQ të PPSH-së, Enver Hoxha.
16 prill 1956.
Sot Sekretari i Parë i KQ të PPSH-së, Enver Hoxha, që ka mbërritur në Tiranë, më rrëfeu përshtypjet nga konferenca e partisë së qytetit.
Mbrëmë, thotë Hoxha, mua mu desh tri herë të merrja fjalën. Fillimisht e mora fjalën menjëherë pasi mbërrita dhe u përpoqa të zbusja gjendjen në konferencë dhe të jepja përgjigje të qeta për çështjet e ngritura duke treguar me këtë se konferenca kishte rrëshqitur nga rruga e drejtë. Kjo fjalë e parë e imja u prit nga konferenca përgjithësisht mirë. Por pas meje e mori fjalën një demagog që tha se Enver Hoxha këtu foli shumë drejt, por le të na tregojë përse shtetit i kushton 1 milion lekë trajtimi i çdo anëtari të Komitetit Qendror. Atëherë unë nuk u përmbajta, tha Enver Hoxha, dhe që nga vendi për këtë shpifje i shpalla luftë këtij demagogu, si rezultat i së cilës ai u detyrua të ikte nga tribuna. Kjo sigurisht që ishte pak e ashpër nga ana ime, por tu jepje liri këtyre qëndrimeve demagogjike, duke vlerësuar edhe situatën e përgjithshme të konferencës, ishte gjithashtu e palejueshme. E gjitha kjo shkaktoi thyerjen e njohur në punën e konferencës dhe pas kësaj delegatët nisën me vlerësime të mira kritike si për punën e organizatave të qytetit ashtu edhe për punën e atyre të qendrës. Pas kësaj unë, tha Enver Hoxha, e mora fjalën për të tretën herë dhe ngrita çështjen se kujt i interesonte drejtimi që konferenca mori në fillim dhe se kush e ka fajin për këtë. Tani konferenca është duke punuar krejt normalisht dhe ne jemi të bindur për rezultatet e saj të suksesshme.
Ne nuk i konsiderojmë këto fakte të rastësishme, tha Enver Hoxha. Me patjetër që një farë grupi njerëzish është përgatitur sipas mënyrës së saj për konferencën duke u përpjekur që ta kthejë kundër Komitetit Qendror. Por për këtë as KQ as komiteti i partisë së qytetit nuk dinin gjë. Ky është një mësim i mirë. Në lidhje me këtë duket shumë antipatike edhe veprimtaria e byrosë së komitetit (të partisë red.) të qytetit dhe sekretarëve të saj. Udhëheqjen e komitetit të partisë së qytetit neve na duhet që ta rinovojnë plotësisht. Më tej Enver Hoxha ndali në disa çështje politike të ngritura në konferencë lidhur me kultin e individit dhe marrëdhëniet me Jugosllavinë. Puna është, tha Enver Hoxha, se pasi mora në kongresin e 20 të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik tekstin e raportit të fshehtë të Hrushovit, ne nuk mundeshim që përmbajtjen e tij t’ia bënim të ditur popullit dhe prisnim një sinjal nga KQ i Partisë Komuniste të BS, ndërkohë që në Republikën Demokratike Gjermane, Hungari e Poloni, shokët vepruan sipas mënyrës së tyre dhe gjerësisht ranë dakord me të gjitha çështjet që kanë lidhje me kultin e individit, duke na kaluar në këtë pikë. Ne gjithashtu e bëmë këtë pas shkrimit të njohur në “Pravda” , siç e bënë edhe shokët kinezë. Prandaj u krijua një mendim te disa punonjës tanët se ne diçka po heshtim për çështjen e kultit të individit, edhe pse të gjithë e dinë se partia jonë që më 1954 sipas shembullit të Partisë Komuniste të BS, e ka bërë punën më të madhe për largimin nga kulti i individit në kushtet e Shqipërisë dhe tashmë mund të flitet vetëm për disa reminishenca të kultit të individit.
Në konferencë u fol gjithashtu se përse ne heshtim për çështjen e Koçi Xoxes dhe për marrëdhëniet me Jugosllavinë. Por kjo çështje është shumë delikate. çështja e ndëshkimeve të Koçi Xoxes te ne është shumë e qartë. Përsa i përket lidhjes së tij me Jugosllavinë dhe në përgjithësi të marrëdhënieve tona me Jugosllavinë, ne kemi në plan ta shtrojmë këtë çështje në kongresin e ardhshëm të tretë të Partisë së Punës të Shqipërisë në raportin e KQ në një mënyrë të tillë: marrëdhëniet miqësore mes popujve të Jugosllavisë dhe Shqipërisë u lidhën dhe u forcuan në rrjedhën e luftës së përbashkët çlirimtare. Pas përfundimit të luftës këto marrëdhënie u forcuan dhe zhvilluan edhe më shumë. Bashkë me këtë, nga të dy palët, u bënë gabime të njohura, që mund të largoheshin me përpjekjen e të dy palëve. Por kur ne zbuluam veprimtarinë kriminale të Koçi Xoxes, kur pas veprimtarisë kriminale të bandës së Berias u publikuan rezolutat antijugosllave të Kominternit, të gjitha këto fakte në përfaqësimin tonë morën një ndriçim të veçantë dhe ne në mënyrë jo të drejtë lidhëm veprimtarinë kriminale të Koçi Xoxes me Jugosllavinë. Ne mund të themi më tej se tashmë, kur të gjithë janë të qartë, ne nuk kemi asnjë pengesë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shoqërore me Jugosllavinë. Por sipas kësaj teze, tha Enver Hoxha, ne mendojmë që deri në kongres të këshillohemi me KQ të Partisë Komuniste të BS. Enver Hoxha, sipas përshtypjes sime nga biseda, e përjeton seriozisht atë që ka ndodhur në konferencën e Partisë së Tiranës, por e ndien veten plotësisht të bindur dhe nuk demonstron nervozizëm të tepërt.
Ambasadori i BS në Shqipëri, L. Krillov (Firma)

neser do te lexoni

Arkivat Sovjetike/ Enveri ambasadorit sovjetik: Liri Gega e arrestuar po flet, por nuk i gjetëm asnjë dokument

Enver Hoxha: Hrushovi më tha të shtonim bagëtitë e imta për të prodhuar lesh, pasi ai është produkt që e shet shpejt veten