Tel-Aviv-Presioni ndërkombëtar mbi Izraelin dhe Hamasin për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi po shtohet, ndërsa ofensiva izraelite në Gazë ka hyrë në ditën e trembëdhjetë.



Një zyrtar i lartë izraelit shkon të enjten në Kajro për t\'u njohur me hollësitë e propozimit të Francës dhe Egjiptit për arritjen e një armëpushimi. Ambasadori egjiptian në Kombet e Bashkuara, Maxhid Abdel Aziz tha se delegacione në nivel teknikësh nga Izraeli dhe Hamasi mund të mbërrijnë të enjten në Kajro, jo domosdoshmërisht për bisedime direkte mes tyre. Ai tha se vendet arabe nuk mund të prisnin derisa Këshilli i Sigurimit të miratonte ndonjë rezolutë, sepse situata në Rripin e Gazës ishte shumë urgjente, citon BBC.



Ndërkohë, përpjekjet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork për miratimin e një rezolute për situatën në Rripin e Gazës mbeten të bllokuara.



Ministrat e jashtëm të tre anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Francës, po qëndrojnë në Nju Jork për të ndihmuar përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje.