Zbardhen kriteret bazë dhe kushtet e arsimimit për punësim në arsimin parauniversitar


Jonida Tashi



Punësimi i mësuesve në arsimin parauniversitar do të bëhet me konkurs. Kjo është një nga pikat kryesore, të përcaktuara në kontratën e re kolektive të punës në arsim, të nënshkruar ditën e martë midis Ministrisë së Arsimit dhe sindikatave të arsimit. Gazeta zbardh sot në mënyrë ekskluzive kriteret e reja dhe kushtet e arsimit që do të kërkohen për punësimin e mësuesve në arsimin parauniversitar, për të cilat kanë rënë dakord të dyja palët nënshkruese të kontratës. Kriteret bazë për punësim në arsimin parauniversitar që pranohen nga të dyja palët nënshkruese të kontratës kolektive, mbështeten në dispozitat përkatëse të Kodit të Punës, në Konventat Ndërkombëtare të Punës, në dispozitat përkatëse të ligjit “Për arsimin parauniversitar”, në kriteret që përmbajnë kontratat e mëparshme kolektive dhe në standardet e sotme europiane për punësimin në arsim.

Kriteret e punësimit

Për vendet e lira në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar, punësimi do të bëhet me konkurs, në bazë të kritereve që përcakton ministri i Arsimit. Për efekt transparence, përfaqësuesit e sindikatave të arsimit në nivel të dytë, do të jenë të pranishëm gjatë procedurave të konkurrimit dhe vlerësimit të kandidatëve. Sipas kontratës së re, kandidati që shpallet fitues dhe punësohet për herë të parë, në vitin e parë punësohet me kontratë individuale me afat njëvjeçar. Me mbarimin e këtij afati, nëse rezulton se i punësuari ka kryer të gjitha detyrimet që i janë caktuar nga punëdhënësi në kontratën njëvjeçare të punës, ai fiton të drejtën e punësimit me kontratë punë pa afat të caktuar. Kontrata e punës me afat njëvjeçar lidhet vetëm në fillim të vitit mësimor. Ministria e Arsimit dhe sindikatat nënshkruese të kontratës kolektive të nivelit të parë miratojnë tipin e kontratës së punës me afat njëvjeçar, kërkesat e së cilës janë të detyrueshme për çdo punëdhënës dhe punëmarrës në nivelin e dytë. Ndërkaq, kërkesat duhet t’i përgjigjen nivelit arsimor, sipas cikleve ku kërkojnë të punësohen mbështetur në kriteret dhe standardet që përcaktohen në udhëzimin përkatës të ministrit të Arsimit.

Kushtet kryesore

Kontrata e re kolektive e punës në arsim ka përcaktuar edhe arsimin që duhet të kenë kandidatët për mësues, sipas cikleve të arsimit parauniversitar. Kushtet kryesore që Ministria e Arsimit ofron për punësimin në sistemin parauniversitar të arsimit dhe që pranohen nga sindikatat e arsimit janë si më poshtë. Për arsimin parashkollor dhe për ciklin e ulët të arsimit bazë të detyruar (klasa 1-5), diplomë të shkollës së lartë në specialitetin për mësuesi. Kriterin e mësipërm e plotësojnë edhe mësuesit që kanë mbaruar një shkollë të mesme pedagogjike ose shkollë tjetër të profilizuar për mësuesi, siç janë shkollat e mesme të muzikës, artistike, të gjuhëve të huaja dhe fizkulturës, me kusht që të kenë fituar të tri shkallët e kualifikimit. Ky nivel konsiderohet i mjaftueshëm për të ruajtur vendin e punës si i punësuar me kontratë pune pa afat. Në këtë cikël arsimi (parashkollor + klasa 1-5), punëdhënësi, si përjashtim, për nevoja objektive të veçanta, që kushtëzohen nga veçori dhe specifika të secilit rreth, mund të punësojë me kontratë pune me afat njëvjeçar, mësues që kanë mbaruar shkollën e mesme pedagogjike ose një shkollë tjetër të mesme të profilizuar për mësuesi, pavarësisht se nuk plotësojnë kriterin e mbrojtjes së shkallëve të kualifikimit. Për ciklin e lartë të arsimit bazë (klasa 6-9), diplomë universitare të fituar në një fakultet mësuesie, të barazvlefshme me nivelin 3+1. Për gjimnazet dhe shkollat e mesme profesionale: për t’u punësuar si mësues i përhershëm në këto kategori arsimi, i punësuari duhet të disponojë një diplomë universitare në degët e mësuesisë të nivelit të sotëm 3+1 ose 3+2. Përjashtim bëhet për lëndët teknologji, ekonomi dhe TIK, si dhe lëndët e tjera të specialitetit në shkollat e mesme profesionale, ku i punësuari duhet të këtë një diplomë universitare të specialitetit përkatës. Përjashtimet e tjera bëhen vetëm me udhëzim të ministrit të Arsimit në konsultim me sindikatat nënshkruese të kontratës kolektive të nivelit të parë. Kjo kategori punëmarrësish vitin e parë të punës në arsim punësohet me kontratë individuale me afat njëvjeçar. Në raste të veçanta, për nevoja të zhvillimit normal të procesit mësimor, drejtoritë dhe zyrat arsimore mund të angazhojnë edhe mësues në pritmëri ose mësues pensionistë, që plotësojnë kriteret e caktuara për nivelin përkatës ku japin mësim. Pagesa në këto raste bëhet me orë mësimore, të cilat vlerësohen në bazë të tarifave të miratuara me vendim qeverie. Personi që merret në punë për herë të parë pajiset nga punëdhënësi me Librezë Pune, e cila është unike për të gjithë të punësuarit, sipas modelit të përcaktuar nga organi kompetent.







Detyrimet për zgjidhjen e kontratës së punës



Punëdhënësi nuk mund të zgjidhë kontratën e punës pa shkaqe të arsyeshme. Shkaqe të paarsyeshme konsiderohen ato që përmban neni 146, pika 1, shkronjat a, b, c ,d, dhe e, të Kodit të Punës. Zgjidhja e marrëdhënieve kontraktuale të punës nga punëdhënësi pa shkaqe të arsyeshme është e pavlefshme. Në këtë rast punëdhënësi detyrohet t’i paguajë dëmshpërblim punëmarrësit të barabartë me një vit pagë. Për të punësuarit në arsimin publik, me kërkesën e sindikatave qendrore nënshkruese të kësaj kontrate ose me vendim gjykate të formës së prerë, punëdhënësi është i detyruar ta rikthejë punëmarrësin e larguar nga puna pa shkaqe të arsyeshme, në punën e mëparshme. Kur ekzistojnë shkaqe të arsyeshme, për zgjidhjen e marrëdhënieve kontraktuale të punës, punëdhënësi është i detyruar të zbatojë ndaj punëmarrësit këto afate njoftimi: një muaj për të punësuarit që kanë një vit pune; dy muaj për të punësuarit që kanë dy deri në pesë vjet punë; tre muaj, për të punësuarit që kanë më shumë se 5 vjet punë. Në mungesë të njoftimit të këtyre afateve, punëdhënësi është i detyruar t’i paguajë punëmarrësit pagën mujore që i korrespondon afatit të njoftimit. Punëmarrësi fiton shpërblim për vjetërsinë, kur kontrata është zgjidhur nga punëdhënësi dhe marrëdhëniet e punës midis tyre kanë zgjatur jo më pak se tre vjet. Në këtë rast zbatohen dispozitat e nenit 145 të Kodit të Punës. Sindikatat nënshkruese të kontratës kolektive mbështetin anëtarët e tyre, që këtë shpërblim ta përfitojnë duke negociuar me punëdhënësin ose duke e zgjidhur çështjen në rrugë gjyqësore. Zgjidhja e menjëhershme e marrëdhënieve të punës nga punëdhënësi ose punëmarrësi bëhet duke respektuar dispozitat e neneve 153 deri 156 të Kodit të Punës. Punonjësit jo mësimorë, përfshirë të punësuarit në administratë, pastrueset, rojet etj., kur merren në punë për herë të parë, i nënshtrohen periudhës 3 mujore të provës, sipas nenit 142 të Kodit të Punës. Kushtet dhe kërkesat që duhet të plotësojnë punonjësit jo mësimorë në arsimin parauniversitar në periudhën e provës, miratohen nga ministri i Arsimit, në konsultim me sindikatat nënshkruese të kontratës kolektive të punës. Kushtet e punësimit të personelit në institucionet e arsimit special dhe të institucioneve të tjera trajtohen me kontrata të nivelit të dytë. Në vendet që krijohen të lira për punësim, përveç kritereve të përcaktuara më sipër, kanë përparësi edhe mësuesit e cilësuar “invalidë pune” me vendim të komisionit përkatës, si dhe mësuesit që kanë humbur më parë vendin e punës për shkaqe objektive, siç është reforma në arsim. Bazuar në ligjin “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” (i ndryshuar), i punësuari në arsimin parauniversitar mund t’i përfundojë marrëdhëniet e punës me kërkesën e tij ose të punëdhënësit, me kusht që i punësuari të këtë plotësuar kushtet që përmbajnë dispozitat e mësipërme dhe t’i këtë lindur e drejta për pension të plotë pleqërie. Në këtë rast, për të mos shkaktuar çrregullime në procesin mësimor, sidomos në marrëdhënie me nxënësit, punëdhënësit i ndalohet që t’i ndërpresë marrëdhëniet e punës të punësuarit për shkak të plotësimit të moshës së pensionit në 2 muajt e fundit të vitit shkollor.





Mësuesit definitiv që plotësojnë kushtet, pjesë e kontratës së re kolektive



Me nënshkrimin e kontratës së re kolektive për arsimtarët, dhe depozitimin e saj në Ministrinë e Punës, të gjithë punonjësit që aktualisht kanë një vend definitiv pune në sistemin e Ministrisë së Arsimit dhe që plotësojnë kriteret e përcaktuara në këtë kontratë, konsiderohen ligjërisht të punësuar. Ndërsa për sa i përket mbrojtjes ligjore sindikale të këtyre të drejtave të punëmarrësve para punëdhënësit, në komisionet e pajtimit apo në gjykatë, sindikatat nënshkruese të kësaj kontrate kolektive angazhohen dhe mbrojnë vetëm anëtarët e tyre. Punonjësit e tjerë që nuk janë të anëtarësuar në federatën dhe sindikatën e arsimit përfitojnë vetëm nga dispozitat e përgjithshme të kësaj kontrate kolektive, që zakonisht përbëjnë standarde dhe të drejta universale, por jo nga zgjidhjet konkrete dhe mbrojtja sindikale e këtyre zgjidhjeve, kur kanë një kërkesë apo u lind një nevojë e tillë, si në fushën e marrëdhënieve të punës, të pagave, të shpërblimeve, të sigurimeve shoqërore, pensioneve, etj., sepse të drejtën legjitime për mbrojtje ligjore sindikale për punëmarrësit që mbulohen nga kjo kontratë, e kanë vetëm sindikatat nënshkruese të kontratës kolektive. Anëtarë të sindikatës konsiderohen vetëm ata mësues, pedagogë, punonjës shkencorë apo personel ndihmës, që janë deklaruar me shkrim për anëtarësimin në njërën nga sindikatat nënshkruese të kësaj kontrate, dhe që paguajnë rregullisht kuotizacionin sindikal, sipas mënyrës dhe masës që përcaktohet nga organet drejtuese të secilës sindikatë.













27 Maj 2010