Çdo i interesuar duhet t’i paraqesë punëdhënësit një kërkesë të posaçme. Ndryshimi i vendit të punës do të bëhet vetëm para fillimit të vitit mësimor


Jonida Tashi



Kontrata e re kolektive e punës në arsim ka përcaktuar kushtet ligjore që duhet të plotësojë një arsimtar, nëse kërkon të ndryshojë vendin e punës. Sipas kësaj kontrate, sindikatat e arsimit kanë të drejtë të mbështetin kërkesat e anëtarëve të tyre të punësuar në arsim për ndryshimin e vendit të punës, me kusht që të përmirësohet pozita e punëmarrësit. Për këtë arsye, sindikatat, së bashku me kërkesën e të punësuarit për ndryshimin e vendit të punës, duhet t’i paraqitin punëdhënësit përkatës edhe mendimin e tyre me shkrim dhe të argumentuar, jo më vonë se data 15 maj e çdo viti. Pas paraqitjes së kërkesës së arsimtarit për ndryshimin e vendit të punës, për miratimin ose mosmiratimin e saj, punëdhënësi është i detyruar t’ia njoftojë me shkrim punëmarrësit 30 ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, duke parashtruar edhe argumentet përkatëse.

Ndryshimi

Bazuar në kontratën e re kolektive të punës në arsim, ndryshimi i vendit të punës me iniciativën e punëdhënësit, bëhet vetëm për raste të veçanta. Më konkretisht këto raste janë: për nevoja madhore në arsim, që lidhen me kërkesa urgjente për mësues me arsim përkatës në shkolla apo zona të caktuara brenda rrethit, ku si rezultat i stafit të mësuesve pa arsim përkatës vihet në pikëpyetje dhe rrezikohet mësimdhënia; për t’u sistemuar në një shkollë tjetër, kur shkurtohet vendi i punës në shkollën e mëparshme; për thyerje të disiplinës në punë, shkelje të legjislacionit të punës përfshirë kontratën kolektive dhe etikën profesionale, për mungesë profesionalizmi në ciklin përkatës; kur ndryshimi i vendit të punës bëhet për shkaqe që përcaktohen në dy rastet e para, transferimi nuk duhet të ndikojë në keqësimin e shëndetit të punëmarrësit, as në përkeqësimin e kushteve ekonomike, financiare dhe të jetesës; për gratë me fëmijë nën moshën 3 vjeç, ndryshimi i vendit të punës nuk bëhet kur rruga vajtje-ardhje zgjat më shumë se 30 minuta në këmbë, me përjashtim të rasteve kur transferimi bëhet me kërkesën e punëmarrëses ose është në favor të saj. Si rregull, punëmarrësit i ndryshohet vendi i punës vetëm para fillimit të vitit mësimor, duke respektuar procedurat që përcakton Kodi i Punës dhe kontrata kolektive.

Vendi

Megjithë kërkesat e arsimtarëve nga rrethe të ndryshme të vendit, që kërkojnë të transferohen për të dhënë mësim sidomos në shkollat e kryeqytetit, sipas kontratës, në çdo rast, ndryshimi i vendit të punës bëhet vetëm brenda njësisë administrative në juridiksionin e drejtorisë/zyrës arsimore përkatëse dhe duke mbajtur parasysh shkallën e kualifikimit, vjetërsinë në punë, rezultatet në punë dhe nivelin arsimor. Ndërkaq, urdhri për ndryshimin e vendit të punës duhet t’i jepet punëmarrësit me shkrim dhe i motivuar, 30 ditë para ekzekutimit të parashikuar. Gjithashtu, në kontratën e re kolektive të punës në arsim janë përcaktuar edhe rastet kur punëdhënësi është i detyruar të ruajë vendin e punës. Të tilla raste janë: për gratë shtatzëna ose me leje për mirërritjen e fëmijëve; për punonjësit që nuk gëzojnë shëndet të plotë dhe që këtë e provojnë me raport mjekësor, për aq kohë sa zgjat paaftësia e përkohshme. Këtë të drejtë e përfitojnë edhe punëmarrësit që marrin leje për kujdes familjar, me ose pa të drejtë page sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi; për anëtarët e tyre, me kërkesën e sindikatave nënshkruese, punëdhënësi është i detyruar t’i verë në dijeni ato për motivet e transferimit, për pasojat juridike, ekonomike dhe sociale që vijnë në këtë rast. Kur ka kundërshtime nga sindikata ose i interesuari, brenda 30 ditëve nga marrja e këtij njoftimi, palët duhet të bëjnë konsultime dhe të gjejnë zgjidhjet ligjore, në të kundërt secila palë rezervon të drejtën t’i drejtohet Zyrës së Pajtimit, dhe me pas Gjykatës, vendimet e të cilës janë të detyrueshme për palët. Punëdhënësi mund t’i ndryshojë vendin e punës punëmarrësit gjatë procesit mësimor vetëm në raste përjashtimore: kur kemi të bëjmë me thyerje të rënda të disiplinës në punë, me shkelje të ligjit ose të kontratës kolektive; për nevoja madhore në arsim. Në këto raste duhet të merret medoemos pëlqimi i FSASH ose SPASH, kur objekt i lëvizjes në punë janë anëtarët e tyre. Në këtë rast lëvizja nuk mund të zgjatë më shumë se 1 vit mësimor pa pëlqimin e punëmarrësit; kur nuk plotësohet norma e ngarkesës mësimore për punëmarrësin.





Fusha e zbatimit të kontratës së re kolektive

Kontrata e re kolektive e punës në arsim i shtrin efektet e saj mbi të gjithë personelin mësimor të sistemit parauniversitar, përfshirë edukatoret e kopshteve, mësuesit e ciklit të ulët dhe të lartë të shkollës 9-vjeçare, mësuesit e gjimnazeve dhe shkollave të mesme profesionale e speciale. Në këtë kontratë mund mbështeten dhe të përfitojnë edhe të punësuarit në arsimin e lartë, kur hartojnë kontratat e nivelit të dytë, për ato dispozita që përbëjnë standarde të përgjithshme në marrëdhëniet midis punëdhënësit dhe punëmarrësit, të përcaktuara në Konventat Ndërkombëtare të Punës dhe në Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë, ku MASH kryen funksionin e punëdhënësit të nivelit të parë, dhe punonjësit ndihmës në të gjitha nivelet. Standardet e përgjithshme të punësimit dhe mbrojtjes së marrëdhënieve të punës të përcaktuara në këtë kontratë kanë vlerë dhe efekte detyruese edhe për hartimin dhe nënshkrimin e kontratave kolektive të nivelit të dytë për arsimin jo publik. Për arsimin parashkollor dhe parauniversitar, për punonjësit ndihmës që janë në varësi të drejtorive arsimore rajonale apo zyrave arsimore, kontratat kolektive të nivelit të dytë lidhen midis DAR/ZA dhe seksioneve sindikale të dy sindikatave nënshkruese të kontratës kolektive të nivelit të parë. Ndërsa, për punonjësit mësimdhënës e shkencorë dhe personelin ndihmës në arsimin e lartë kontratat kolektive të nivelit të dytë lidhen midis rektorateve e dekanateve, nga njëra në dhe sindikatave përkatëse të çdo universiteti dhe fakulteti. Dispozitat e kontratës kolektive të nivelit të parë janë të detyrueshme për zbatim nga të gjitha nivelet e tjera që legjitimohen për nënshkrimin e kontratave kolektive të nivelit te dytë, në kuptimin që këto subjekte nuk mund të përfshijnë në kontratë më pak të drejta për punëmarrësit se sa legjislacioni shqiptar dhe kontrata kolektive e nivelit të parë. Palët nënshkruese në kontratat kolektive të nivelit të dytë, mbështetur në natyrën e kushteve që karakterizojnë arsimin e lartë, sidomos kërkesat e procesit të Bolonjës, dhe në arsimin parauniversitar në natyrën e kërkesave në nivel lokal, në veçoritë e kushteve të punës, mund të përfshijnë në kontratën kolektive të nivelit të dytë të drejta dhe përfitime në favor të punëmarrësve në një vëllim më të madh se ato të nivelit të parë, me kusht që këto të drejta dhe përfitime të mos bien në kundërshtim me dispozitat e shprehura në mënyrë ndaluese në legjislacionin e marrëdhënieve të punës ose dispozitat e kontratës kolektive të nivelit të parë. Pala e sindikatës, në momentin e lidhjes së kontratës kolektive të nivelit të dytë, duhet të paraqesë listën zyrtare të anëtarëve të sindikatës si dhe autorizimin me shkrim nga kryesitë e sindikatave nënshkruese të kontratës kolektive të nivelit të parë.







7 Qershor 2010