MASH firmos me sindikatat marrëveshjen. Përfitojnë të gjithë mësuesit dhe punonjësit e sistemit arsimor





Ministri Myqerem Tafaj: Çdo reformë e ndërmarrë në arsim do të ketë në qendër të saj mësuesit





Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka arritur një marrëveshje me sindikatat për sa i përket kontratave kolektive të punës. Sipas marrëveshjes së re, kontrata kolektive e punës është e vlefshme deri me 31 dhjetor 2014.





Rreth dy muaj më parë, ministri Myqerem Tafaj nënshkroi se bashku me përfaqësuesit e Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës të Shqipërisë (FSASH) dhe Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë (SPASH) nisjen e punës për rishikimin e kontratës së vjetër kolektive, e cila kishe hyrë në fuqi me 4 korrik 2006, punë e cila u finalizua gjatë ditës së djeshme me nënshkrimin e kontratës së re kolektive.





Palët e përfaqësuara nga Ministri Tafaj, Xhafer Dobrusha (FSASH) dhe Bajram Kruja (SPASH), pas negocimeve të zhvilluara gjatë këtyre dy muajve arritën në përfundimin që të përsëritin Kontratën e deritanishme Kolektive të Punës, duke i bërë asaj ndryshimet, plotësimet dhe përmirësimet e nevojshme.





Gjatë fjalës së tij, Ministri Tafaj theksoi se kontrata përbën një hap më përpara në krahasim me atë të deritanishme, duke përmendur disa nga elementët e rinj të përfshirë në kontratë.





"Së pari, kontrata përcakton një draft-rregullore për statusin e mësuesit, si dhe përpunimin, përgatitjen dhe miratimin e kodit të etikës së mësuesit.





Kontrata kolektive e punës përfshin edhe pedagogët e arsimit të lartë dhe bën një hap përpara edhe në rregullimin e marrëdhënieve të punës në kuptimin e punësimit, rekrutimit, por edhe të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës", - u shpreh ministri.





Por, me gjithë këtë ndryshimet që ka pësuar kontrata e re nuk janë radikale, në thelb mbetet kontrata e vjetër. Sipas kreut të Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës së Shqipërisë, Xhafer Dobrusha, orët e mësimit për çdo mësues do të jenë si më parë.





"Për sa i përket ngarkesës mësimore kontrata kthen standardet e mëparshme. Kjo do të thotë se mësuesit e gjuhës do të kenë 20 orë mësimi, mësuesit e gjuhëve të huaja 22 orë edhe matematika, fizika e biologjia me 24 orë.





Do të njihet ora e kujdestarisë, orët për aktivitete kulturore artistike e sportive", - shpjegon Dobrusha. Vç kësaj sindikalistët konfirmuan se është punuar për një draft mbi statusin që duhet të kenë mësuesit.





Mes Ministrit Myqerem Tafaj dhe palëve të interesit, edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes, gjithçka ka ngelur e hapur për bashkëpunime të mëtejshme për çdo problem që do të lind në rregullimin e marrëdhënieve të punës të punonjësve të arsimit.





Ministri Tafaj u shpreh se në qendër të interesit të ministrisë që ai drejton është mësuesi, e për pasojë edhe në çdo reformë të ndërmarrë në fushën e arsimit në qendër është po mësuesi.





Kontrata e re shtyn daljen në pension



Një nga pikat që ka ndryshuar në kontratën e re është koha e daljes në pension. Kështu, çdo mësues që mbush moshën e pensionit gjatë dy ose tre muajve të fundit të vitit shkollor, do të qëndrojë në punë deri në përfundim të vitit, në qershor.





E thënë ndryshe, të gjithë ata mësues që plotësojnë moshën e daljes në pension gjatë muajve prill ose maj, do të japin mësim deri në përfundim të vitit shkollor.





Kreu i Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës së Shqipërisë, Xhafer Dobrusha, shpjegon se kjo pikë është shtuar në kontratë me propozimin e vetë mësuesve.





Argumentimi i mësuesve ka qenë fakti së nxënësit e kanë të vështirë të mësohen më një figurë të re, për gjatë dy muajve të fundit të shkollës, e për pasojë do të ishte me mirë që mësuesit të mbyllin gjithë vitin, e më pas të dilnin në pension.