Policia ka gjetur rreth dhjetë aparate celular në burgun e Burrelit. Pikërisht mëngjesin e djeshëm, gjatë një kontrolli të gardianëve është konstatuar prania e celularëve. Celularët e bllokuar janë gjetur në zonën D të burgut. Në këtë zonë, vuajnë dënimin me dhjetëra të burgosur me burgim të përjetshëm. Burgjet detajuan se nga një kontroll i ushtruar paraditen e djeshme në Burgun e Sigurisë së Lartë në Burrel, janë kapur e bllokuar disa aparate celularë, ndërsa nuk bëhet i ditur emri i personave që i posedonin ato apo rrugët e futjes për te të dënuarit. Burimet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thonë se celularët janë kapur para se të futen në qelitë e të dënuarve. Pikërisht në këtë zonë janë ushtruar dhe kontrolle të shpeshta nga regjimi i brendshëm i këtij burgu, pasi aty gjithnjë janë shfaqur probleme të ndryshme me futjen e sendeve të paligjshme brenda. Që nga dita kur në këtë sektor u hapën dhe dyert e burgut dhe u realizua dhe arratisja spektakolare nga vendi i vuajtjes së dënimit, si dhe ishte projektuar skena e një largimi masiv të të dënuarve, i është kushtuar kujdes nga autoritetet e burgut për të bërë kontrolle të imta, që të mos mbahen sende që nuk lejohen. Një nga këto kategori janë dhe aparatet celularë, përmes të cilëve realizohen biseda të të dënuarve me të afërm të tyre apo persona të tjerë. Kontrolli u ushtrua rreth orës 08:30, pasi kishte sinjalizime për aparate celularë që mund të kalonin në duart e të dënuarve, por burimet nuk saktësojnë se cila ka qenë mënyra e futjes së tyre atje, kur dihet se rregullorja kërkon që të kryhen kontroll i imtë në pakot që u sillen të dënuarve nga të afërm të tyre, që te porta e burgut. Në këtë burg janë mbi 200 të burgosur, nga të cilët 40 vuajnë masën e dënimit me burgim të përjetshëm, ku shënjohen në mes tyre Zani Çaushi, Jaho Mulosmani dhe shumë të tjerë.