Policia e qytetit juglindor ka nisur menjëherë hetimet për këtë krim të shëmtuar. Fëmija ishte e seksit mashkull dhe kishte vetëm 3 ditë jetë



Korçë Një fëmijë i porsa lindur është gjetur i vdekur në një nga kazanët e plehrave në qytetin e Korçës. Bebja e seksit mashkull, i ardhur në jetë të paktën dy ose tri ditë më parë, është gjetur i vdekur nga kalimtarë të rastit. Ngjarja ka tronditur qytetin juglindor te vendit, teksa policia lokale ka nisur hetimet për të zbardhur autorësinë e këtij krimi të shëmtuar ndaj një fëmije.


Zbulimi


Duke iu referuar burimeve zyrtare të Policisë së Korçës mësohet se trupi i pajetë i fëmijës është gjetur në lagjen numër 4 të qytetit të Korçës, në rrugën “Todi Vogli”. Në kazanët ku hidhen mbeturinat, vetëm 30 metra larg spitalit rajonal të qytetit, është gjetur pa jetë trupi i një fëmije të porsalindur i seksit mashkull. Kanë qenë disa kalimtarët të rastit, të cilët kanë vënë re foshnjën e vdekur, i mbështjellë me plasmas dhe i futur në një çantë. Alarmi ka mbështjellë të pranishmit, teksa trupi i pajetë është dërguar në morgun e spitalit juglindor, ku po i bëhen ekzaminimet e nevojshme mjeko-ligjore për të përcaktuar dhe shkakun e vdekjes, si dhe nëse foshnja ka qenë e vdekur apo jo kur është hedhur në kazanin e plehrave. Gjithashtu, policia ka nisur hetimet për të zbardhur autorët si dhe nënën e fëmijës.


Hetimi


Dyshohet që fëmija të jetë mbytur nga asfiksia para se të hidhej në kazanin e mbeturinave, teksa mendohet që të ketë ardhur në jetë nga një lidhje jashtë martesore. Krimi deri në këto momente, bëjnë të ditura burimet policore, është i veshur me mister të plotë. Trupi i bebes fatkeqe vazhdon të jetë në morgun e spitalit të Korçës, teksa në përfundim të ekzaminimeve dhe autopsisë do të varroset nga punonjësit e ndërmarrjes së funeraleve, për shkak se nuk ka asnjë identitet. Hetimet për zbardhjen e ngjarjes vazhdojnë, ndërkohë që policia ka kontrolluar regjistrin e nënave që kanë sjellë në jetë fëmijën e seksit mashkull gjatë javës së kaluar. Në Shtëpinë e Lindjes në Korçë nuk rezulton ndonjë rast i kësaj natyre, teksa nuk përjashtohet mundësia që nëna të ketë përdorur identitet të rremë. Gjithçka mbetet të mësohet pas hetimeve të duhura. Ndërkaq duhet thënë se braktisja e foshnjave është kthyer në një fenomen në rajonin juglindor të vendit. Vetëm një muaj më parë, një nënë e re në Pogradec ka tentuar të vrasë në mes të ditës një fëmijë, në një fshat të Pogradecit. Falë ndërhyrjes në kohë të një dëshmitareje okulare, bebja ka shpëtuar, ndërsa është marrë më pas nga shteti dhe pritet tu nënshtrohet procedurave të birësimeve.


Irena Vreto