zirina llambro

Korrigjimi i testeve të letërsisë përfundoi dy ditë më parë, por notat do të afishohen vetëm sot. Krerët e Ministrisë së Arsimit vendosën që rezultatet t'u jepen maturantëve vetëm pasi të kenë dhënë provimin e matematikës, i cili përkon në të njëjtën ditë. Nga sa pohuan burime zyrtare pranë MASH, kjo zgjedhje u bë në mënyrë që rezultatet të mos ndikonin në gjendjen emocionale të maturantëve. "Në mënyrë që ata të jenë të qetë në provimin e matematikës, u mendua që notat e testit të parë të detyrueshëm t'i mësojnë vetëm pasi të kenë dalë nga provimi", saktësuan burimet. Notat pritet të afishohen në shkolla në mesditë. Këtë vit nuk do të ketë rikorrigjim të testeve nga Ministria e Arsimit, pasi është aplikuar vlerësimi i dyfishtë i tyre nga dy grupe mësuesish. "Korrigjimi është bërë nga tre persona dhe jam i sigurt që gjimnazistët me vlerësimet do të jenë shumë të kënaqur. Pra, qëllimi jonë është që asnjë gjimnazisti mos t'i humbasë qoftë 0.01 pikë dhe jo më 1 pikë", ka deklaruar pak ditë më parë Ministri i Arsimit Tafaj. Pas provimit të sotëm, maturantëve u ngelet prova e fundit e maturës më 30 qershor. Në këtë datë, ata do t'u nënshtrohen provimeve me zgjedhje, për të mbyllur kështu të gjithë procesin. Ndërkohë, pas publikimit të notave të matematikës dhe atyre me zgjedhje, Ministria e Arsimit do të publikojë formularin A2, me anë të së cilit nxënësit do të zgjedhin se cilat do të jenë 10 degët ku do të konkurrojnë për në universitete. Pasi të kenë plotësuar këtë formular, atyre do t'u llogariten pikët dhe në një fazë të dytë do të shpallen fituesit. Maturantët do të jenë fitues vetëm në një degë. Këtë vit nuk do të ketë më 4 faza pranimesh në shkollat e larta. Gjithçka do të përmbyllet brenda një faze dhe nuk do të ketë më formularë A3 dhe A4 për vendet bosh. Edhe për këtë vit pritet të miratohen më shumë se 20 mijë kuota pranimesh për në shkollat e larta publike. Për to konkurrojnë më shumë se 35 mijë maturantë nga të gjitha rrethet e vendit. Vitet e fundit kërkesa për në universitetet publike ka rënë, pasi një pjesë e nxënësve ose zgjedhin universitetet private ose largohen jashtë vendit.

Sot provimi i matematikës, ministria: Teste për të tre nivelet

Të njëjtat rregulla si për provimin e parë duhet të zbatojnë maturantët edhe sot që japin matematikën. Ata do të penalizohen në rast se kopjojnë, kanë celularë me vete, apo duan të lënë klasën. Teza e provimit tashmë është gati dhe gjatë natës do të bëhet shumëfishimi dhe shpërndarja, sipas një grafiku të posaçëm. Vetëm pasi të ketë nisur provimi, do të dalin nga ngujimi edhe hartuesit e testit. Sipas Ministrisë së Arsimit, provimi do të ketë pyetje për të treja nivelet e nxënësve. Të gjithë maturantët, të cilët hyjnë në kategorinë e nxënësve të dobët, pra që përgjithësisht marrin notën 5 ose 6, do të kenë hapësirën e tyre. Kështu, në masën 40 për qind, hartuesit e testeve kanë përgatitur pyetje pikërisht për këtë nivel. Niveli i dytë i pyetjeve, ku hyjnë nxënësit mesatarë, do të zërë në çdonjërin prej testeve plot 40 për qind të totalit të pyetjeve. Në këtë grup pyetjesh do të ketë testim të dijeve të maturantëve jo thjesht për njohuritë bazë, por për njohuri më të thella, për të cilat mund të përgjigjen ata maturantë që përpiqen të mësojnë, ose kanë qenë sistematikë. Niveli i parë, ose i nxënësve të mirë dhe shumë të mirë do të ketë 20 për qind hapësirë në test. Në këtë grup pyetjesh, maturantët do të testohen jo vetëm për njohuritë që kanë marrë gjatë shkollës së mesme, por edhe për kreativitetin e tyre individual.