Lizeta Duro



Aksidentet e shumta të muajit korrik dhe të sëmurët kronikë që kanë nevojë të përhershme për gjak kanë boshatisur bankën e gjakut. Për shkak të shtimit të numrit të aksidenteve në muajt e verës kërkesat për gjak janë shumë të larta. Ndodh shpesh, kur ka një rast emergjent, aksident apo i sëmurë kronik që kërkesa për gjak të plotësohet nga familjarët e pacientit. Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Dhurimit të Gjakut nisur nga rezervat e pakta të gjakut dhe kërkesat e larta për gjak, është detyruar t’iu bëjë apel të gjithë qytetarëve që e ndiejnë veten të shëndetshëm për të dhuruar gjak, të kontribuojnë duke shpëtuar jetë njerëzish. Pak ditë më parë për të njëjtin problem reagoi dhe Ministria e Shëndetësisë, e cila me urdhër të vetë ministrit Vasili mori masa duke “detyruar” për të dhuruar gjak, personelin e qendrave Shëndetësore në të gjithë vendin. Ndërkohë që drejtoresha Qëndro tha se të gjitha këto masa por edhe sensibilizimi i shumë personave të tjerë, numri i të cilëve po vjen duke u rritur çdo vit ndihmoi që të përballoheshin me sukses të gjitha kërkesat për gjak të muajit korrik. Duke qenë se në muajin gusht numri i aksidenteve pritet të jetë më i lartë dhe se nevoja për gjak në spitale do të ritet Qëndro apelon që të gjithë njerëzit t’i përgjigjen kërkesës për gjak. "Numri i dhurimeve gjatë periudhës së verës bie, dhe shkaku pse bëhet e vështirë vera është sepse ka një rritje të numrit të aksidenteve. Ato aksidente që kanë qenë gjatë periudhës së korrikut, kanë arritur të përballohen. Vështirësi ka pasur në furnizimin me gjak të pacientëve me grupe të rralla. Për këtë arsye mungesat në gjak ndihen më shumë gjatë gushtit dhe shtatorit", thotë drejtoresha e qendrës së transfuzionit të gjakut. Stafi i Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut dhe ai i Kryqit të Kuq Shqiptar ka dhuruar gjak në mënyrë vullnetare. Gjithashtu, për të përballuar kërkesat për gjak, të dy këto institucione kanë zhvilluar fushatë sensibilizuese në spitalin ushtarak, ku kanë dhuruar gjak punonjësit e këtij spitali. Sekretari i Kryqit të Kuq, Zamir Muca tregon se edhe pse gjatë sezonit veror, kur kërkesa për gjak është e lartë dhuruesit janë më të paktë në numër, por që krahasuar me vitet e tjera numri i dhuruesve vullnetarë është në rritje, kemi rreth 2500 të tillë. Iniciativat e marra nga institucionet kompetente të mbështetura dhe nga Qendra e Dhurimit të Gjakut po sensibilizojnë ndjeshëm shoqërinë duke rritur kështu numrin e dhuruesve vullnetarë. "Gjithmonë dhe më shumë qytetarët i përgjigjen thirrjes për dhurimin e gjakut. Kjo tregon që ne jemi një shoqëri që po rritet, një shoqëri që shkon drejt humanizmit dhe altruizmit është një shoqëri që rritet dhe është fakt që qytetarët këtu gjithmonë e më shumë i përgjigjen thirrjes për dhurimin vullnetar të gjakut", tha Qëndro. Megjithatë, mungesa e gjakut në këto ditë të nxehta vere është më problematike se kurrë prandaj dhe drejtoresha apelon për ndihmë.







Ministria e Shëndetësisë u bën apel qytetarëve:” Shmangni alkoolin gjatë qëndrimit në plazh”



Konsumimi i alkoolit në doza të mëdha gjatë sezonit veror, jo vetëm që është shkak për aksidentet rrugore, por edhe dëmton shëndetin e personave që e konsumojnë atë. Sipas Drejtorit të Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë Gazmend Bejtja, pijet alkoolike duhet të shmangen në mënyrë kategorike, veçanërisht gjatë qëndrimit në plazh. “Konsumi apo abuzimi me substancat, konkretisht me alkoolin përbën një rrezik madhor për jetën e shtetasve shqiptarë.” u shpreh Bejtja. Sipas tij, moskonsumi i alkoolit do të thotë reduktim të aksidenteve në 20 për qind, pasi nga të dhënat e policisë rezulton se shkaku kryesor i aksidenteve muajt e fundit ka qenë përdorimi i pijeve alkoolike. Ministria e Shëndetësisë i ka kërkuar qytetarëve të bëjnë kujdes në marrjen e rrezeve të diellit dhe në përdorimin e ushqimit i cili duhet të jetë i pastër dhe mundësisht i gatuar me kujdes. Sipas drejtorit Bejtja helmimi ushqimor apo ekspozimi ndaj rrezeve të dëmshme mbeten probleme mjaft shqetësuese për këtë periudhë. Bejtja këshilloj qytetarët që të shmangin ekspozimin në diell në orët më të papërshtatshme dhe kryesisht nga ora 11 deri në 15. Më të rrezikuar nga rrezatimi ultraviolet janë personat të cilët kanë një ngjyrë më të hapur të lëkurës, sy bojëqielli dhe sidomos fëmijët. “Në rast kur shtetasit vënë re që në ambientet ku shërbehet ushqim ka papastërti, ka insekte duhet padyshim që të shmangen nga ky ambient,” theksoi Bejtja. Gjatë sezonit turistik është rritur ndejshëm dhe numri i qytetarëve që paraqiten tek mjeku për shkak se neglizhojnë kujdesin si ndaj pijeve alkoolike ashtu edhe kujdesit ndaj ushqimit apo rrezeve të diellit. Apeleve të shumta të mjekëve dermatologë për kujdesin nga rezet e diellit dhe mjekëve infeksionistë për kujdesin ndaj ushqimit iu është bashkuar dije dhe drejtori i Shëndetit Publik në ministrinë e Shëndetësisë Gazmend Bejtja. Bejtja u bëri apel sidomos pushuesve të shumtë në të gjithë vijën bregdetare në Shqipëri të kenë kujdes me alkoolin, ekspozimin në diell dhe produktet ushqimore që konsumojnë. Drejtorit të shëndetësisë në MSH, ashtu siç shprehen dhe specialistët, rreziku më i madh i helmimeve është ai me orgjinë ushqimore, prandaj duhet shumë kujdes me produktet ushqimore në këto ditë të nxehta. Ashtu siç sipas tij përbën rrezik për shkaktimin e aksidenteve konsumi i alkoolit dhe për dëmtimin e lëkurës ekspozimi në diell. Kujdes të veçantë duhet të kenë të sëmurët kronikë, personat me probleme kardiovaskulare, të moshuarit dhe sidomos fëmijët, të cilët janë më pak rezistentë ndaj diellit dhe kanë lëkurë më delikate.





7 Gusht 2010