Pas ndalimit të tre mjekëve dhe dy infermiereve, priten të tjera arrestime të bluzave të bardha, të cilat mund të kenë përfituar para gjatë ushtrimit të detyrës së tyre. Specialistët e Seksionit Kundër Korrupsionit në bashkëpunim me zyrën e Task-Forcës janë duke vazhduar hetimet për të gjithë mjekët e dyshuar për akte korruptive gjatë ushtrimit të detyrës dhe sipas burimeve, ka të tjerë persona që dyshohen për këtë vepër penale, të cilët do të vihen përpara drejtësisë. Ndërkohë që ditën e sotme, tre mjekët dhe dy infermieret e Qendrës Spitalore Gjinekologjike “Koço Glozheni” në Tiranë do të dalin përpara Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e arrestit të dhënë ndaj tyre në mungesë. Sipas burimeve nga grupi hetimor, ata përfitonin shuma parash kundrejt ofrimit të shërbimit mjekësor, ku për lindje normale merrnin 30 mijë lekë të reja, ndërsa për ato me operacion 50 mijë lekë të reja. Ditën e hënë, specialistët e Seksionit Kundër Korrupsionit pranë Policisë së Tiranës, në bashkëpunim me Njësinë Task-Forcë, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, përfunduan me sukses operacionin policor të koduar “Trashëgimtari”, ku vunë në pranga pesë persona. Vendimet e gjykatës për ndalimin e tyre u ekzekutuan në banesë dhe në ambientet ku ata ishin të punësuar. Policia ekzekutoi vendimet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi” për tre mjekët dhe dy infermieret e ndaluar. Sipas burimeve zyrtare, të ndaluarit janë 56-vjeçari Petrit Rexhepi, lindur e banues në Tiranë, i paproceduar më parë, me profesion mjek gjinekolog, Dritan Xhangolli, 38 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i padënuar, me profesion dhe i punësuar mjek reaminator dhe Lefter Mano, 53 vjeç, lindur e banues në Tiranë, me profesion anestezist, të tre të punësuar pranë Qendrës Spitalore Gjinekologjike “Koço Glozheni” në Tiranë. Gjithashtu, nën hetim janë edhe dy infermiere mami, Hyre Reçi, 54 vjeçe, lindur në Pukë e banuese në Tiranë dhe 57-vjeçarja Nilka Perhati, lindur e banuese në Tiranë.





Hetimi


Pas marrjes së informacioneve në rrugë operative, specialistët e Seksionit Kundër Korrupsionit në bashkëpunim me zyrën e Task-Forcës nisën një hetim, i cili zgjati rreth tetë muaj. Sipas burimeve nga policia, dyshohet se gjatë këtyre muajve të akuzuarit kanë përfituar në mënyrë të paligjshme shuma të konsiderueshme parash, kundrejt ofrimit të shërbimit mjekësor në (lindje normale dhe lindje me operacion) për disa shtetase. Të ndaluarit akuzohen nga prokuroria për kryerjen e veprave penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.





MSH, pas arrestimit të mjekëve: Denonconi korrupsionin!





Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pas arrestimit të tre mjekëve dhe dy infermiereve të maternitetit “Koço Gliozheni”, duke dënuar veprimin e tyre. Të ndaluarit akuzohen për “korrupsion pasiv”. Në një komunikatë për shtyp, MSH informon se gjendet në krah të të gjithë pacientëve që kanë kurajën qytetare për të denoncuar fenomene të korrupsionit në sistemin tonë shëndetësor. Gjithashtu, duke respektuar pavarësinë e organeve gjyqësore në një hetim të sapofilluar dhe duke dashur të jetë kontribuuese dhe jo gjyqtare në këtë proces, Ministria e Shëndetësisë shpreh dhe një herë vendosmërinë dhe vullnetin e saj të palëkundur për të çuar deri në fund reformat në gjithë sistemin tonë shëndetësor, plagë e të cilit është dhe korrupsioni dhe mitmarrja e bluzave të bardha. Nisur nga kjo ngjarja, ky institucion kërkon dhe një herë mbështetjen e të gjithë faktorëve dhe u drejtohet edhe një herë qytetarëve të këtij vendi që të mos bëhen palë e një fenomeni kaq të dënueshëm siç është mitmarrja. Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë, e vendosur tashmë për një tolerance zero ndaj fenomeneve të tilla, iu ndodhet përkrah të gjithë atyre mjekëve dhe infermereve që punojnë me përkushtim në profesionin e tyre dhe siguron dhe një herë se veprime të tilla nuk mund të cenojnë figurën dhe autoritetin e mjekut.


B. Mrishaj