Oborri i shkollës fillore “Emin Duraku” në Prishtinë u shndërrua në skenë krimi mesditen e së mërkurës, kur një person qëlloi me armë zjarri ndaj dy të tjerëve, duke  lënë të vdekur 14-vjeçarin nga Prishtina, me inicialet F.K.



Është plagosur edhe 14-vjeçari tjetër, me inicialet C. B, shok i viktimës, nxënës i klasës së nëntë. Sipas burimeve jo zyrtare, vrasja është kryer në rrethana të tilla kur vrasësi thjesht i është afruar viktimës, e ka pyetur për diçka dhe menjëherë më pas ka shtënë drejt tij. Në vendin e ngjarjes dolën menjëherë ekipet policore, ato të mjekësisë ligjore, prokurori i rastit, por edhe familjarë të cilët në respektim të procedurave hetimore vetëm pas dy orësh arritën ta shohin trupin. Zyrtarisht thuhet se ende nuk dihen motivet që çuan drejt këtij akti, por burime jozyrtare thonë se vrasja është kryer në shenjë hakmarrjeje pasi babai i viktimës dyshohet se ka vrarë një person vitin e kaluar në Mazgirt, Turqi. Hakmarrja është vetëm njëra nga pistat hetimore të policisë dhe ka vetëm vetëm një të dyshuar. Sipas zëdhënësit, Agron Borovcit, puna hetimore e policisë është fokusuar në identifikimin e personit të dyshuar me qëllim arrestimin e tij dhe zbardhjen e motiveve që çuan deri te kjo ngjarje tragjike. Në vendin e ngjarjes, për ngushëllime familjes erdhën zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa dhe drejtori i arsimit në komunën e Prishtinës, Jusuf Thaçi. Drejtoresha e shkollës konfirmoi se vetëm plagosuri C.B është nxënës i shkollës. Sipas saj, ky rast nuk është i ndërlidhur me nxënësit e shkollës dhe ka mundur të ndodhë kudo. Ajo shtoi se nuk e ka parë të arsyeshme t’i largojë nxënësit nga mësimi gjatë kohës që policia po kryente ekzaminimin e duhur.   14-vjecari i vrarë kishte vetëm 3 ditë në Kosovë pasi prej vitesh jetonte bashkë me familjen në Suedi. / Top Channel