Krijimi i rrethanave të reja politike në Evropë, ka ndikuar në formimin e bindjeve se popujt e ndryshëm të Ballkanit, e sidomos ata të territoreve të ish-Jugosllavisë, edhe përkundër shumë konflikteve të pazgjidhura politike, me instalimin e sistemeve të reja demokratike në shtetet e tyre, i kanë eliminuar shkaqet e luftërave te pakuptimta në mes tyre. Përkundër këtyre bindjeve, në shumicën e shteteve ballkanike, ende nuk ka filluar zhvillimi i një jete normale - ligjore dhe e mirëfilltë demokratike. Përkundrazi, numri më i madh i popujve të Ballkanit, pas përfundimit të luftërave të përgjakshme në mes vete, ose instalimit të pushteteve demokratike në shtetet e tyre, janë prangosur në kthetrat e dy armiqve të ri, të quajtur krim i organizuar dhe korrupsion, të cilët po manifestohen si forca kryesore shkatërruese ndaj çdo përpjekjeje për zhvillim shoqëror dhe kultivim të  vlerave demokratike në këtë pjesë të Evropës.
Këto zhvillime brengosëse të krimit të organizuar dhe korrupsionit, në disa shtete ballkanike, kanë ndikuar në formimin e bindjes se “marrja me politikë është biznesi më produktiv, i cili mundëson pasurimin brenda natës, papërgjegjësinë ligjore dhe privilegje të shumta nacionale“. Këto bindje janë formuar ngadalë dhe, pas shumë rasteve të përsëritura të involvimit të politikanëve dhe zyrtarëve të ndryshëm shtetërorë në afera të ndryshme të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Megjithë faktin se dukuria e involvimit të krimit të organizuar në jetën publike dhe institucionale të shteteve të ndryshme të Ballkanit është e njohur edhe për shërbimet dhe zyrtarët e ndryshëm ndërkombëtarë të akredituar në Republikën e Kosovës dhe në shtetet e tjera të rajonit, deri më tash, nuk është ndërmarrë ndonjë iniciativë serioze qoftë nacionale ose ndërkombëtare për luftimin e këtyre fenomeneve. Por rasti i shpërfaqjes së ish-pjesëtarit të SHIK-ut, Nazim Bllacës siç pohoi ai para disa kohësh para kamerave televizive në qendër të Prishtinës, i cili bëri deklaratë publike për disa nga vrasjet dhe tentim vrasjet e  pasluftës në Kosovë pjesmarrës i së cilave ishte vet, ka ngjallur sadopak shpresat se më në fund do të zbardhen këto vrasje. Xhemajl Mustafa, Bekim Kastrati dhe Bardhyl Ajeti luftën kundër kësaj zezone e paguan me jetën e tyre. Vrasjet e pasluftës Kosovës i bënë dëm shumë të madh, duke e vonuar pavarësinë, dhe tash po e vonojnë inkuadrimin e saj në familjen e madhe evropiane. Deputetet e Kuvendit të Kosovës, Adem Salihaj dhe Gani Geci dolen në Parlament me të dhëna për kërcënimet me vrasje, që i kanë pasur ata dhe veprimtarët e tjerë të LDK-së, gjatë këtyre viteve. Policia e UNMIK-ut si përgjegjëse kryesore për disa vjet dhe Policia e Kosovës, bënë shumë pak në zbulimin e vrasjeve, të cilat edhe e patën tronditur opinionin e gjerë të Kosovës dhe atë ndërkombëtar. Se fundi brenda lokaleve policore në Prishtinë në dhomën e dëshmive ndodhi hajni e madhe por nga policia po përseritet refreni tashmë monoton “hetimet vazhdojnë”. Funksionimi i rendit dhe ligjit sigurisht se ishte hallka më e dobët e pushtetit gjatë këtyre vjetëve të shtegtimit në liri. Aty ku nuk ka shtet të mirëfilltë ligjor, natyrisht se vjen në shprehje gjuha e armëve. Në atë shtet ku niveli i përgjegjësisë është i ulët, nuk mund të flasim për demokraci dhe liri të plotë qytetare. Mosluftimi i duhur i krimit të organizuar e bën gjendjen edhe më të pashpresë, në kohën e krizës së rëndë sociale dhe ekonomike, në të cilën është katandisur Kosova. Nga strukturat relevante të BE-së në disa raporte vjetore na është tërhequr vërejtja për mosluftimin e duhur të krimit të organizuar. Një Kosovë e destabilizuar dhe jodemokratike, i shkon përshtati vetëm armikut tonë shekullor -Serbisë. Krimi dhe korrupcioni janë pengesë edhe kur është fjala për thithjën e investimeve të jashtme. Pa çrrënjosjen e krimit të organizuar, plagët e Kosovës zor se do të shërohen. Sepse gjithomonë ekziston rreziku që të hapen plagët e reja. Kështu evoluohet edhe më shumë krimi i organizuar dhe korrupsioni. Aktet e dhunës janë pengesë e madhe në të gjitha aspektet. Në aspektin e tolerancës politike, harmonisë politike, bashkëpunimit ndërpartiak, e sidomos në autoritetin e përgjithshem ndërkombëtar të Kosovës....