Një nga shkaqet kryesore që 54-vjeçari Dedë Malndrea ka qëlluar mbi gruan ka qenë xhelozia dhe më pas ai vrau veten



DURRËS Krimi në familje ka goditur sërish në qytetin e Durrësit. Një 54-vjeçar ka vrarë me armë zjarri mëngjesin e djeshëm bashkëshorten e tij dhe më pas ka vrarë edhe veten. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në zonën e ish-Kënetës, në banesën e familjes Malndrea, e cila prej 10 vitesh jetonte në këtë zonë pas ikjes nga Mirdita. Dedë Malndrea është autori që ka vrarë me pistoletë bashkëshorten e tij Marte Malndrea 52 vjeç. Burimet e policisë së Durrësit kanë bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, ndërsa shërbimet e policisë kanë shkuar në banesën ku ka ndodhur krimi i dyfishtë rreth orës 07.30, pasi janë njoftuar për atë që kishte ndodhur. Nga të dhënat paraprake mësohet se ngjarja ka pasur në sfond një konflikt që është shkaktuar për motive xhelozie, i cili më pas ka sjellë edhe vrasjen e 52-vjeçares Marte Malndrea nga bashkëshorti si dhe vetëvrasjen e tij. Vrasjet janë kryer me një pistoletë, të cilën Dedë Malndrea e mbante pa leje. Familja Malndrea jetonte prej 10 vitesh në fillim të zonës së ish-Kënetës, aty ku kjo zonë kufizohet me lagjen 18 të qytetit të Durrësit. Familja në fjalë është me origjinë nga Mirdita dhe përbëhej nga dy bashkëshortët dhe pesë fëmijët e tyre. Pas kryerjes së ekspertizës, që është bërë nga grupi hetimor në vendin e ngjarjes, një autoambulancë dhe një autoveturë e funeralit kanë dërguar të dy trupat e viktimave për kryerjen e autopsisë në morgun e spitalit për ekzaminimet e mëtejshme.


Dëshmia


Të parët që kanë mësuar për ngjarjen e rëndë kanë qenë fqinjët e familjes Malndrea. Safet Gega është shprehur se e kanë mësuar ngjarjen në mëngjes herët, pas britmave dhe të qarave të fëmijëve, të cilët kanë dhënë alarmin pasi kanë parë të dy prindërit të vdekur. Safeti tregon se është futur në shtëpinë e fqinjëve për të parë se çfarë kishte ndodhur. “Hyra në shtëpi, pasi dëgjuam zhurma, të bërtitura dhe njerëz që po qanin. E pamë se vinin nga shtëpia e Dedës. Në dhomën e gjumit kanë qenë të dy trupat e tyre. Gruaja ishte e shtrirë në krevat, kurse ai i mbuluar nga një pellg gjaku, ishte në tokë. Nuk dihet se si ka ndodhur saktësisht konflikti që ka çuar në humbjen e dy jetëve, por mendohet se kjo gjë ka ndodhur shpejt e shpejt. Pesë fëmijët e tyre janë të gjithë të rritur, ndërsa djali i madh është i martuar dhe me fëmijë të vegjël. Të gjithë janë alarmuar kur kanë parë se çfarë kishte ndodhur në shtëpinë dykatëshe të familjes Malndrea. Sipas fqinjit të tyre, Safet Goga, familja e ardhur nga Mirdita ishte mjaft e rregullt në komunikim dhe marrëdhënie me fqinjët. Burri ishte i punësuar në një gomisteri në Shkozet, kurse bashkëshortja e tij punonte në një rrobaqepësi. Më herët, gjatë viteve kur familja ka qenë në Mirditë, që të dy bashkëshortët kanë qenë arsimtarë. Familja nuk ka shfaqur probleme, ndërsa kushtet ekonomike të tyre nuk kanë qenë të tilla për të shkaktuar një ngjarje të tillë. Fqinjët kanë shtuar se të gjithë fëmijët janë të rritur dhe të punësuar dhe kështu familja jetonte mirë.


Aleks Kalemasi


Precedentët


6 janar 2011


Në lagjen numër 8 të qytetit bregdetar të Durrësit Agron Hoxha 54 vjeç ka qëlluar mbi gruan e tij Bukurien dhe më pas ka tentuar të vrasë edhe veten, por tashmë ai ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.


24 korrik 2010


Në Tiranë Gëzim Muslika 33 vjeç ka qëlluar për vdekje me pistoletë gruan e tij Pranvera Muslika 30 vjeçe. Bashkëshorti vrasës nuk pranoi të dorëzohej dhe u ngujua në banesë së bashku me tre fëmijët e vegjël. Më pas dorëzoi fëmijët dhe vrau veten


24 shtator 2010


Panajot Proshka ka qëlluar për vdekje bashkëshorten e tij Merita dhe më pas ka vrarë edhe veten. Në momentin që policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, ka gjetur të shokuar djalin e çiftit Proshka që humbën jetën gjatë një grindjeje mes tyre.