Cilat do të jenë ofertat dhe aktivitetet e qendrës më moderne tregtare në kryeqytet në festat e fundvitit. Flet për gazetën “Albania”, Maks Roncari, drejtori i Përgjithshëm i “Kristal Center”.



1- Si e konsideroni ecurinë e qendrës tuaj që nga krijimi dhe deri tani?



Qendra është hapur në momentin e duhur, atëherë kur nisi një ekspansion natyral i qytetit dhe i kësaj lagjeje të madhe në veçanti. Kjo zonë do të jetë e banuar e gjitha brenda një kohe mjaft të shkurtër nga njerëz të një niveli social ekonomik mbi nivelin mesatar. Për këtë arsye mendoj se jemi stabilizuar këtu në momentin e duhur me një qendër moderne dhe të kompletuar me ofertat e duhura.



2- Gjatë tre viteve të fundit ka pasur një rritje të jashtëzakonshme të numrit të qendrave të biznesit në Shqipëri dhe sidomos në Tiranë. Po ashtu është lajmëruar ardhja e kompanive të tjera në këtë treg, si “Praktikeri” gjerman; apo nisja e funksionit të plotë të “City-Parkut”. Si e shikoni këtë dëshirë të investitorëve të huaj apo shqiptar për të investuar në këtë treg?



Dalëngadalë investitorët e ndryshëm të huaj e kanë vënë re se Shqipëria ofron për ta krahë pune të kualifikuar dhe me çmime të leverdishme. Por pavarësisht leverdisë të paktë, janë ata investitorë të huaj që kanë stabilizuar këtu bizneset e tyre, duke përfituar nga këto kushte. Të tillë janë grekët, por dhe italianët. Megjithatë, duke zgjidhur krizën energjetike dhe atë komplekse në ekonomi, Shqipëria do të shohë më pas një zhvillim mjaft të madh dhe të rëndësishëm në çështjet që kanë lidhje me investimet e këtij lloji.



3- Cilat janë përparësitë tuaja krahasuar me konkurrentët?



Është vetë slogani ynë, që thotë gjithçka: “Jemi shumë më tepër sesa një qendër tregtare”. Jo vetëm që këtu kemi dyqane të mira dhe të përshtatshme, por qendra jonë ofron dhe mundësi pa fund dhe aktivitete të ndryshme, duke filluar që nga aktivitetet javore për fëmijët, si p.sh. turne kalçetosh, deri tek ekspozitat dhe koncertet e ndryshme. Këtu kemi hapësira të bollshme, të bukura dhe me gjelbërim, të cilat janë pjesë e rëndësishme e qendrës. Ka gjithashtu edhe bar-kafe të shpërndara në të gjitha anët e qendrës tregtare. Këtu kemi dhe të vetmin tapet të lëvizshëm që fëmijët e adhurojnë shumë. Po kështu edhe drita natyrale infiltron nga hapësirat dhe korridoret e katit të parë, duke dhënë një ndjesi të ngrohtë dhe mikpritëse. Gjithashtu edhe dy sallat tona të kinemave do të shtojnë plot 500 vende të tjera për të ndjekur këtu filmat më të mirë shqiptarë dhe të huaj. Kjo gjë do të bëjë që eksperienca në këtë qendër tregtare të jetë krejt e ndryshme nga qendrat e tjera.



4- Firmat në “Kristal Center” kanë ofruar produkte dhe shërbime, kryesisht për një kategori konsumatorësh, si fëmijët. Sa e suksesshme ka qenë një gjë e tillë?



Ashtu siç thuhet që “fëmijët janë e ardhmja”, prandaj ne mendojmë se i kemi fituar ata. Për ta ne kemi siguruar dhe u ofrojmë të gjitha llojet e shërbimeve që ata dëshirojnë, duke nisur që nga veshjet, lodrat dhe deri te një sallë lojërash e gjitha për ta dhe e superkompletuar me gjithçka. Për këtë, të gjithë fëmijët që frekuentojnë këtë qendër duken shumë të gëzuar e të kënaqur dhe po ashtu ndjehen edhe prindërit e tyre.



5- Kriza botërore do të prekë pashmangshmërisht edhe tregun shqiptar. A ndjeni se ka një ulje të fuqisë blerëse nga shqiptarët në qendrën tuaj?



Mendoj se rënia është relative, sepse ne gjithmonë kemi ofruar shumë zgjedhje dhe mundësi për klientët tanë në shkëmbim të asgjësë. Të gjitha spektaklet, koncertet, aktivitetet e ndryshme që janë zhvilluar këtu etj., bëjnë që njerëzit të vijnë këtu dhe të na vizitojnë pa e pasur fare shqetësimin se u duhet të shpenzojnë për t’u zbavitur.



6- A ka ndikuar kjo në reduktimin e gamës së artikujve që firmat tregtojnë në mjediset e qendrës tuaj?



Përkundrazi, tregtarët dhe sipërmarrësit në këtë qendër natyrshëm janë të mësuar dhe fleksibël. Ata përshtaten shumë mirë me kohërat.



7- Si e shikoni ecurinë e bizneseve që operojnë te ju në këtë periudhë, kur kriza globale po ndihet edhe në Shqipëri?



Ashtu siç e thashë edhe më sipër, na duhet të kemi pjekurinë dhe përvojën e mjaftueshme për të ndryshuar dhe për t’u përshtatur së bashku me kohërat. Deri tani ia kemi dalë mbanë.



8- Tashmë jemi në prag të festave. Çfarë surprizash ka përgatitur “Kristal Center” për konsumatorët shqiptarë. Cili është mesazhi që keni ju për ta në këtë periudhë?



Surpriza më e bukur për klientët tanë do të jetë slogani ynë “Do të japim gjithmonë më shumë aktivitete, ambiente dhe eksperienca”. Mesazhi ynë për ta është i qartë: “Të vijnë të na vizitojnë sepse ne jemi shumë më tepër sesa një qendër tregtare”.



9- Po gjatë vitit 2009?



Viti 2009 do të sjellë në këtë qendër tregtare dyqane të reja të konsumit të përditshëm, filma të rinj të Hollivudit, modat më të fundit dhe aktivitete të reja për familjet, gjithmonë e më zbavitëse. Kështu, klientëve dhe familjeve u duhet vetëm që të vijnë këtu për të zbuluar dhe për të parë, si dhe për të qenë pjesë e të gjithë kësaj.









Qendra Tregtare “Kristal”, ajo që plotëson të gjitha kërkesat e konsumatorëve



“Kristal Center”, ajo që sot mund të quhet vërtet si një mrekulli në morinë e qendrave të biznesit në kryeqytet, ka nisur që të funksionojë si e tillë që prej 24 prillit 2008. E pozicionuar në një nga zonat më të populluara dhe më të frekuentuara të Tiranës, “Kristal Center” regjistroi që në ditën e saj të parë një numër rekord vizitorësh. E konceptuar si një qendër tregtare ndryshe nga të tjerat, ajo u ideua dhe ndërtua që në fillim për të plotësuar jo vetëm kërkesat dhe nevojat e konsumatorëve për mallra cilësore dhe çmime të leverdishme, por edhe si një qendër e mirëfilltë aktivitetesh dhe zbavitjesh për të gjitha moshat dhe familjet. E mbushur plot e përplot me dyqane, bare dhe me një mori aktivitetesh përgjatë gjithë hapësirës së saj, “Kristal Center” ofron më shumë se një mundësi blerjeje për banorët e Tiranës. E shtrirë në një sipërfaqe prej 10 500 m2, me një hapësirë komerciale të konceptuar në tri kate, me mbi 60 dyqane, ajo plotëson kushtet e çdo qytetari. Një vizitë në këtë qendër do të thotë diçka më shumë, aty do të gjeni hapësira çlodhëse dhe të gjelbëruara, si dhe 400 vende parkimi të brendshme dhe të jashtme. Brenda saj reklamojnë mallrat e tyre markat më të njohura dhe më cilësoret në të gjithë Europën. Një emër i besueshëm tashmë për shqiptarët është supermarketi “Conad”, që ofron blerje të sigurta dhe përfitime të garantuara në hapësirat e kësaj qendre. “Kristal Center”, një qytet brenda qytetit, ju jep mundësinë të provoni klasin dhe elegancën e kërkuar me anë të markave të njohura të veshjeve siç janë “Eurosonic” dhe “Upim”, të cilat hapen për herë të parë në Shqipëri. Risinë kjo qendër e sjell në fushën e kinemasë, ku brenda saj janë ngritur 2 salla kinemaje me një kapacitet prej 500 vendesh. “Kristal Center” ka menduar për gjithçka, brenda saj mund të gjeni bare, restorante dhe qendra për argëtimin e fëmijëve. Arkitektura e saj e veçantë dhe bashkëkohore ju jep ndjesinë sikur ndodheni në qiell të hapur, të mbuluar vetëm me xhama. Pranë saj mund të plotësoni në çdo kohë kërkesat tuaja financiare përmes shërbimeve bankare, si dhe do të shijoni momente plot relaks dhe emocion në çdo hapësirë të saj. Një vizitë në Qendrën Tregtare Kristal do të thotë shumë më tepër se kaq, pasi brenda saj ju siguroni përfitimin maksimal dhe relaksin e munguar. Jo vetëm një qendër tregtare për komunitetin rreth saj, por edhe një kompleks modern banimi me hapësira pa fund çlodhjeje dhe gjelbërimi përreth saj, në mes të një prej zonave më të populluara të kryeqytetit.









6 Dhjetor 2008