Selia e Bankes Boterore


Raporti i BB me parashikimet për risqet në ekonominë globale për vitin 2012


BB: Do vuajë nga mungesa e kredive e financimi i borxhit


Shqipëria është në listën e vendeve që mund të përballet me risqe të theksuara gjatë këtij viti, për shkak të borxhit publik. Banka Botërore e mbështet këtë argument të saj në raportin e fundit, duke vënë theksin mbi rritjen e risqve në mjedisin e jashtëm, të cilat nuk do të kalojnë pa u ndjerë për vendet në zhvillim. Përkundër balancës së shëndetshme në llogarinë korrente, Shqipëria ka një borxh afatshkurtër që është në nivele të larta dhe interesat e tij për vitin 2012 parashikohet që të jenë sa 9.6 për qind e GDP-së. Nivelet e larta të borxhit afatshkurtër krahasuar me nivelin e rezervave mund të vendosin vende si Kili, Shqipëria apo Egjipti në riskun e një fundosjeje, pavarësisht balancave të shëndetshme të llogarive korrente thuhet në raportin e Bankës Botërore. Sipas saj, mbështetja që kanë gjetur vende si Shqipëria te borxhet afatshkurtra e bëjnë atë të pambrojtur nga shtrëngimi i kushteve të kreditimit nga bankat ndërkombëtare. Problemet që po has eurozona janë një faktor që për bankën nuk do të kalojnë pa u ndjerë. Pjesa më e madhe e marrëdhënieve tregtare të Shqipërisë janë pikërisht me këto vende, dhe një rënie e kërkesës në BE, apo përkeqësim i situatës së borxhit, do të ndikojë aspak pozitivisht. Më e zymtë bëhet situata nëse argumentin e borxhit e lidhim me kushtet e kreditimit gjithnjë e më të shtrënguara, si dhe me remitancat në rënie e sipër që për Shqipërinë zënë një pjesë të rëndësishme të GDP-së. Remitancat e emigrantëve janë burime shumë të rëndësishme për një sërë vendesh në Europën në zhvillim dhe Azinë Qendrore. Në total, ato përfaqësojnë 1.3 për qind të GDP-së rajonale, por shkojnë edhe deri në 10 apo më shumë për qind e GDP-së për vende si Shqipëria, Armenia dhe Bosnjë-Hercegovina vlerëson BB.

Sektori bankar

Raporti i Bankës Botërore merr parasysh edhe riskun e mungesës së financimit me të cilin mund të përballet sektori privat në vendet në zhvillim. Nëse kreditimi do të ndalojë, firmat në ekonomi si Shqipëria, Egjipti, me nivele të larta të borxhit afatshkurtër, mund të detyrohen të ndërpresin aktivitetin nëse kreditë ekzistuese nuk do të rinovohen, vlerëson BB. Ajo u referohet zhvillimeve të fundit në sektorin bankar, ku bankat austriake janë këshilluar nga këshilltarët e brendshëm që të limitojnë kredidhënien e ardhshme në vendet ku ato operojnë, por nga ana tjetër, është edhe risku për bankat greke, të cilat janë gjithashtu prezente gjerësisht. Duke pasur parasysh se si do të zbatohet direktiva për limitimin e kredidhënies, mund të shtrëngohen shumë kushtet e financimit në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë dhe Rumani, vende ku bankat austriake janë shumë prezente. Në Europë dhe në Azinë Qendrore bankat austriake dhe ato greke kanë luajtur një rol domethënës në Shqipëri, Bullgari dhe Rumani ndërkohë që burimet e aksioneve bankare në vende të tjera janë më të diversifikuara thekson Banka Botërore.


Parashikimet për 2012

Në përqindje të GDP-së


Rritja ekonomike në 2012                         2 %

Rritja ekonomike në 2013                            3.5 %

Balanca në llogarinë korrente 2012         -9.7%

Balanca në llogarinë korrente në 2013     -9.9%

Deficiti në llogarinë korrente          11.7 %

Pagesat e Borxhit                                          9.6%


NERTILA MAHO