Turizmi, ndërtimi dhe sistemi bankar preken të parat. FMN-ja i kërkon qeverisë shqiptare shtimin e fondeve të sigurisë


Ervin Koçi



Megjithëse jemi konsideruar si një vend në zhvillim dhe jashtë mundësive për t’u prekur nga pasojat e shpejta të krizës ekonomike botërore, vendi muajt e fundit ka nisur të ndiejë pasojat e para. Shtrenjtimi gradual i çmimeve, sidomos për artikujt e konsumit, rritja e inflacionit dhe zhvlerësimi gradual i lekut në tregun e shkëmbimit valutor, rënia e të ardhurave të emigrantëve, si dhe ngërçi që po ndien ekonomia, sidomos në sektorët më kyçë të saj, janë tregues të qartë se po prekemi nga kjo krizë. Por përveç këtyre pasojave të para, disa prej sektorëve që gjenerojnë të ardhura më shumë për ekonominë e vendit, si turizmi, bujqësia, eksportet, por dhe sektori imobiliar (shitblerja e pronave të patundshme), pritet të tronditen dhe të preken më shumë në muajt në vazhdim nga këto pasoja. Ekonomia shqiptare do të përballet me rënie të investimeve, ulje të dërgesave të emigrantëve, ndërkohë që të ardhurat nga tatimet dhe doganat kanë nisur të bien. Këtë situatë e ka ndjerë edhe tregu bankar në vend, që megjithëse fillimisht iu përgjigj me qëndrueshmëri rreziqeve fillestare të tregut bankar botëror, tani po përballet me pasojat e para. Rënia e nivelit të kredimarrjes dhe e depozitave bankare kanë qenë dy shkaqet e para të kësaj krize globale që janë ndjerë në sistemin bankar shqiptar. Kjo gjë, sipas ekspertëve të BSH-së, “mund të shoqërohet në të ardhmen me rritjen e portofolit të kredive me probleme, por dhe me uljen e kreditimit të ekonomisë nga vetë bankat të cilat, të pasigurta dhe të pazonjat për të mbledhur likuiditet, do të shtrëngojnë normat e sigurisë dhe do të rrisin përqindjet e interesave”.



Kriza imobiliare



Një ulje drastike të shitjeve të pasurive të paluajtshme paraqet një numër i madh agjencish imobiliare në Tiranë, të cilat, sipas tyre, rrezikojnë të mbyllen. Sipas një shifre mesatare, shitjet gjatë këtij viti deri tani kanë arritur në masën 50 për qind, pra gjysma e pikësynimeve të vendosura në janar të këtij viti. Ulja e interesit të emigrantëve për të blerë shtëpi gjatë këtij viti është mjaft shqetësues. Në krahasim me tre vitet e shkuara, këtë vit kemi një ulje të ndjeshme të kërkesës së emigrantëve për shtëpi në zonat e Tiranës. Sipas administratorit të një agjencie imobilare në Tiranë, kjo vjen si pasojë e krizës ekonomike që ka pushtuar vendin e tyre. “Shumë qytetarë shprehen se nuk janë në gjendje të prenotojnë shtëpi, pasi kanë tre muaj që nuk kanë marrë ende rrogën në vendin e tyre të punës”, - shprehet agjenti imobiliar. Mossjellja e parave nga emigrantët është ndjerë shumë në tregun vendas. Shumë prej këtyre agjencive nuk kishin kërkesa fare për të blerë apartamente në Shqipëri deri sot. Faktor tjetër që ka ndikuar natyrisht si tek konsumatori shqiptar, ashtu edhe tek ai i huaj, është një rritje e madhe e çmimeve që kanë pësuar apartamentet edhe në zonat më periferike. Në këto zona në qoftë se e krahasojmë me vitet e kaluara, çmimi është rritur nga 300 euro m2 në 550 euro m2. Kjo natyrisht që ka ndikuar në uljen e kërkesës për këto pasuri.



Kriza në turizëm



Sektori i turizmit do të jetë një tjetër sektor kyç i ekonomisë së vendit, që përveç sektorit të ndërtimit dhe atij bankar, pritet të preket që këtë vit nga kriza ekonomike botërore. Kjo gjë, sipas ekspertëve, do të lidhet ngushtë me fluksin e ardhjeve për festat e fundvitit të emigrantëve shqiptarë. Shumë prej tyre, edhe pse janë pajisur me leje-qëndrimi në vendet rezidente, - sipas ekspertëve, - mund të mos preferojnë të vijnë në Shqipëri për shkak të të ardhurave të pakta, të kostove të udhëtimit, por dhe për shkak të prezumimit (zënies) të vendeve të punës, të cilat janë kthyer në mjaft tranzitore ose provizore dhe të pasigurta. Kjo gjë do të ndikonte direkt në nivelin e fluksit turistik vjetor në vendin tonë dhe në të ardhurat që regjistrohen prej këtyre hyrjeve. Ekspertët ndërkombëtarë sqarojnë se këtë vit që vjen tregu turistik botëror do të jetë njëri prej sektorëve ekonomikë global që do të preket nga pasojat e krizës ekonomike. Ata shtojnë se të vetmet që do të përfitojnë do të jenë vendet që do të bëjnë investime në sektorin turistik, por dhe që do të luajnë një politikë mjaft favorizuese përsa u përket ofertave të pushuesve dhe rritjes së shërbimeve.



Paralajmërimet e FMN-së



Fondi Monetar Ndërkombëtar bëri të ditur dy ditë më parë se qeverisë do t’i duhet të marrë masa shumë të kujdesshme, në mënyrë që gjatë vitit që vjen rritja ekonomike në vend të jetë 3,5-4 për qind dhe të mund të përballojë efektet e këqija, të cilat do të jenë kryesisht pasojë e klimës botërore ekonomike. Fondi Monetar kritikoi politikat fiskale, duke thënë se në këtë moment politika fiskale ka një barrë veçanërisht të rëndë. Për vitin 2008 misioni këshillon një rishpërndarje të shpejtë të shpenzimeve për të siguruar që sektorëve prioritarë po i kushtohet rëndësia e nevojshme dhe njëkohësisht që deficiti të kufizohet në 5.2 për qind të PBB-së. Në të ardhmen, misioni rekomandon që të ruhet deficiti në vitin 2009 nën 4 për qind të PBB-së. FMN-ja tha se me një përkeqësim të mprehtë të perspektivës së rritjes ekonomike botërore, që tashmë ka filluar, është e rëndësishme që politikëbërësit shqiptarë të forcojnë më tej themelet ekonomike, duke nënkuptuar themele të dobëta të ekonomisë sonë. “Natyrisht, qeveria nuk mund të ndikojë në ngjarjet e jashtme botërore, - bëri me dije misioni i FMN-së, - por mundet dhe duhet të ndërmarrë hapa shtesë për të rritur besimin në vend, pasi në klimën aktuale politikat është më mirë të jenë më të matura se ç’duhet”. Përveç domosdoshmërisë makroekonomike, misioni rekomandoi që çdo ulje në normat e sigurimeve shoqërore, të presë një reformë të gjerë të pensioneve, që do të forconte lidhjen midis kontributeve dhe përfitimeve dhe do të jepte shtysa të rëndësishme për vetëzbatim. Pas përfundimit të programit FMN-ja i nxiti autoritetet që të angazhohen për zbatimin e një rregulli fiskal të qartë për të ankoruar politikat buxhetore, si p.sh. një kufi të përshtatshëm për shpenzimet, deficitin ose borxhin publik.





19 Nentor 2008