Kathleen Moore



Viti 2008 do të mbahet mend si një vit që u përshkua me një krizë financiare, e cila paraqitet një herë gjatë një shekulli. Kriza shkaktoi lëkundje të papara në “Wall Street”, gjunjëzoi sistemin bankar dhe tronditi bursat, por solli edhe ndërhyrje radikale të qeverive. Shenjat e para të krizës ekonomike u paraqitën në gusht të vitit 2007, por 2008-ta ishte viti i krizës së vërtetë financiare, e cila e futi ekonominë e Shteteve të Bashkuara, të Europës dhe të Japonisë në recesion për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore. Viti 2008, pos të tjerash, i dha fund “Wall Street”-it, të atillë siç e njohim, si një nga institucionet më të mëdha financiare, që u gjunjëzua nën barrën e humbjeve të mëdha nga kreditë, gjë që nxiti rënien e çmimit të naftës. Viti 2008 do të mbahet në mend edhe për masat e papara radikale të autoriteteve, në përpjekje për të zbutur disi krizën. Fjalët “kolapsi kreditor” dhe “stimulet fiskale” u bënë pjesë e fjalorit të përditshëm.



Kriza në SHBA



Në fillim të janarit 2008, autoritetet amerikane e pranuan se ekonomia ka nevojë për shtytje, por fjalët e presidentit Xhorxh Bush, kur kërkoi “stimule financiare”, ishin shumë të qeta. “Ne mund të marrim një injeksion në krah që ekonominë fondamentale ta mbajmë të shëndoshë. Kjo do t’u ndihmojë sektorëve ekonomikë që janë trazuar, si tregu i shtëpive, të mos i prekin pjesët tjera të ekonomisë sonë”, - tha Bush. Por, kriza i kishte rrënjët shumë më të thella. Shumë njerëz kishin marrë hua për shtëpitë e tyre pa mundësi për t’i kthyer. Kur shumë prej tyre dështuan, huadhënësit filluan të kolapsojnë (falimentojnë). Bankat paraqitën humbje të mëdha në sistemin e sigurimeve që ndërlidhet me kreditë e shtëpive. Kjo bëri që bankat të ngurrojnë t’u japin para bizneseve dhe bankave të tjera. Vështirësitë e krijuara bënë që të ndihet era e recesionit. Pyetja ishte se sa do të jetë i rëndë dhe sa do të ndihet larg Shteteve të Bashkuara. Në mars ranë viktimat e para. “Bear Stearns”, një nga firmat më të mëdha të “Wall Street”-it, u ble nga rivali “Morgan Chase” për një pjesë të vogël të vlerës së saj. Në korrik ra kompania e madhe kreditore “Indymac”. Në këtë muaj, nafta arriti 147 USD/fuçi, ndërsa një euro vlente 1.60 USD. Dhe erdhi 7 shtatori. “Fannie Mae dhe Freddie Mac janë aq të gërshetuara në sistemin tonë, saqë dështimi i tyre do të shkaktonte turbullira të mëdha në tregjet financiare”, - tha sekretari i Thesarit, Henry Poalson, duke shpallur planet e qeverisë për të shpëtuar dy huadhënësit e mëdhenj. Ngjarjet rrodhën shpejt në ditët dhe javët në vijim. Më 15 shtator, kolapsoi “Lehman Brothers”, një nga bankat më të mëdha investuese në botë, ndërsa “Merrill Lynch” u mor nga një bankë tjetër. Të nesërmen, Thesari shpalli një plan emergjent miliarda dollarësh, për të shpëtuar gjigantin e sigurimeve “AIG”. Rënia e bankave të tjera bëri që në kulmin e krizës të lindë plani 700 miliardë dollarësh i qeverisë, për të blerë borxhet e këqija. Kjo ndodhi sepse kriza shkaktoi reaksione vargore në sistemin financiar, të cilat, sipas financierit të njohur George Soros, e futën sistemin financiar në "arrest kardiak". Dështimi i “Lehman Brothers” ua vështirësoi jetën bizneseve, madje edhe për pagat e punëtorëve.



Kriza zbriti në Europë



“Në të kaluarën, doktrina ishte se një bankë komerciale mund të kolapsojë, por tregu mund ta përballonte. Por, në rastin e “Lehman Brothers” pamë se efektet e ndryshme u krijuan në mbarë globin”, - thotë Hovard Davies, drejtor i Shkollës Ekonomike në Londër dhe ish-rregullator financiar në Mbretërinë e Bashkuar. Deri në këtë kohë, Europa e shihte krizën vetëm si punë të Amerikës, por nga fundi i shtatorit kriza e kaloi Atlantikun. Në Britani filloi nacionalizimi i dy huadhënësve, “Bradford” dhe “Bingley”, ndërsa në Holandë, Belgjikë dhe Luksemburg i grupit të sigurimeve “Fortis”. Gjendja më dramatike ishte në Islandë, ku kolapsoi sistemi bankar dhe shpëtimi u kërkua nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Kriza filloi të ndihet shumë edhe në tregjet e Rusisë. Investitorët filluan të ikin, ndërsa tregjet e bursave në Moskë i zuri paniku dhe disa herë u mbyllën. Kryeministri Vladimir Putin i fajësoi Shtetet e Bashkuara, ndërsa presidenti Dimitri Medvedev paralajmëroi një epokë të re. “Koha e dominimit të një ekonomie dhe një valute ka perënduar njëherë e përgjithmonë”, - tha Medvedev. Pavarësisht nga shkaqet e krizës, ajo e dominoi fushatën presidenciale amerikane.



Marrja e masave



Në dhjetor të vitit 2008 u konfirmua se ekonomia amerikane tashmë që prej një viti kishte qenë e zhytur në recesion. Listës së vendeve që kërkonin ndihma nga FMN-ja, si Islanda, tani iu bashkëngjitën Hungaria, Letonia, Ukraina, Bjellorusia dhe Pakistani. Në Amerikë, Departamenti i Thesarit vazhdoi me një hap të paparë, duke ulur shkallët e interesit praktikisht në zero. Por, kjo deri tani ka dhënë pak efekte. Ndërkohë, qeveria amerikane vazhdoi me përpjekjet e saj, të cilat deri në fund të vitit 2008 vlerësohet se kapën shumën prej 8.500 miliardë dollarësh. Shqetësim të madh paraqet mundësia e kolapsit të industrisë së automjeteve, së cilës qeveria i ndau 17.4 miliardë dollarë. Por, kriza nxori në pah edhe një pyetje fondamentale: “A duhet qeveritë të ofrojnë ndihmën e tyre, ndërsa barrën e rëndë të borxhit t’ua lënë gjeneratave të reja?”.



Pasojat për Shqipërinë



Viti 2008 u mbyll bashkë me krizën që dha edhe pasojat e para edhe në Shqipëri duke ngadalësuar ekonominë e vendit, por dhe duke trembur e frenuar popullatën për të bërë shpenzime. Sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, në fjalën e tij përmbyllëse të vitit 2008, “njësoj si shumica e ekonomive të ndryshme të botës edhe vendi ynë gjendet përpara një viti me shumë të panjohura. Nuk do të doja të anashkaloja faktorët e brendshëm, por, gjithsesi, ajo që sot konsiderohet çështja më e nxehtë ka të bëjë me ambientin e përgjithshëm global. Ka kohë që parashikimet e agjencive të ndryshme, të institucioneve kombëtare dhe atyre ndërkombëtare, parashikojnë një vit me kontraktim të prodhimit të përgjithshëm botëror. Do të ishte utopike dhe deri diku shprehje e mungesës së kujdesit nëse do të mendonim se ekonomia jonë do të preket shumë pak apo aspak nga kriza globale. Vendi ynë, megjithëse një ekonomi e vogël, është i hapur me lidhje të shumta shkëmbimesh të mallrave dhe fondeve financiare. Të gjithë aktorët duhet të përgatiten për ditë më të vështira dhe në këtë kontekst do të doja t’ju bëja me dije një varg konstatimesh, gjetjesh apo aksionesh që ne (Banka e Shqipërisë dhe sistemi bankar) mendojmë se duhen ndërmarrë në muajt në vijim. Rritja e kredisë çon në mbajtjen e ritmeve aktuale të aktivitetit ekonomik të vendit. Vitet e fundit kredia për ekonominë ka eklipsuar kontributin e sektorit publik në gjenerimin dhe përdorimin e fondeve financiare, mbështetur kjo edhe nga një proces i gjatë, i konsolidimit fiskal të vendit. Ky proces përdorimi më efektiv i fondeve ndikon në rritjen e eficiencës dhe rritjen ekonomike. Një tkurrje e kredisë për ekonominë mbart rrezikun e veprimit të anasjellë, të eklipsimit të kontributit të kredisë për ekonominë nga shpenzimet e sektorit publik. Në këtë kuptim, duke kuptuar drejt të gjithë vështirësitë e krijuara, do të insistoja edhe një herë në kërkesën time drejtuar juve, që të vazhdoni të ruani ritmet e kreditimit të ekonomisë. Në vijim të kërkesave të mëparshme, do të kërkoja përsëri që të jeni më aktivë në tregun e parasë, në tregun ndërbankar dhe në tregun e letrave me vlerë. Banka e Shqipërisë e ka përsëritur disa herë se do të plotësojm çdo nevojë të tregut financiar me likuiditet. Por, nga ana tjetër, ne kërkojmë që në politikat që ju aplikoni në lidhje me tregun financiar vendas, në lidhje me portofolin e investimeve, të jeni më të pavarur nga selitë tuaja qendrore. Ju jeni licencuar dhe operoni në Shqipëri, për rrjedhim ju keni në administrim kursimet e qytetarëve shqiptarë dhe detyra themelore e çdo sistemi bankar është ndërmjetësimi financiar në vendin ku ato operojnë. Banka e Shqipërisë do të këmbëngulë për zbatimin sa më të shpejtë të marrëveshjeve të riblerjes në transaksionet që kryeni në tregun ndërbankar. Banka e Shqipërisë përdor një përqasje sistemike në trajtimin dhe operimin e saj në tregun ndërbankar, gjë e cila kërkon domosdoshmërisht një rishpërndarje të likuiditetit në mënyrë efeciente midis bankave. Zbatimi i marrëveshjes së riblerjes e realizon një gjë të tillë duke mënjanuar rrezikun e kreditit. Banka e Shqipërisë është duke përfunduar rregulloren për realizimin e DVP, gjë që do të sjellë mënjanimin e rrezikut të shlyerjes. Për të qenë më konkret, Banka e Shqipërisë do të kërkojë që dividentët e materializuar në vitin 2008 të destinohen për të rritur kapitalin e bankave që ju drejtoni. E kam përmendur vazhdimisht se sistemi ynë është i mirëkapitalizuar, por megjithatë, në kushtet aktuale, e gjykoj si masë kujdesi rritjen e mëtejshme të tij. Një nga faktorët që ndikojnë direkt dhe indirekt në forcimin e kësaj pavarësie është edhe plotësimi dhe përmirësimi i kuadrit ligjor të Bankës së Shqipërisë, sipas standardeve bashkëkohore”.



Qeveria pranon pasojat e krizës në vitin 2009



Këshilltari i kryeministrit për Ekonominë, Selami Xhepa, tha se në kushtet e krizës financiare ndërkombëtare, rritja ekonomike do të jetë më modeste. Në një intervistë për mediat, Xhepa komentoi zhvillimet e fundit ekonomike në Shqipëri, duke u ndalur dhe në efektet e mundshme të krizës globale, që mund të reflektohen në sektorë të veçantë të ekonomisë së vendit tonë. Ky pohim bie ndesh me euforinë, e cila deri tani është konstatuar në deklarimet e kryeministrit Berisha e disa ministrave të tjerë. Sipas tij, “mbi bazën e të dhënave të INSTAT-it, si institucion që funksionon i pavarur nga qeveria, ashtu sikurse edhe në vendet e tjera të botës, Prodhimi i Përgjithshëm Bruto (PBB) për tremujorin e tretë të vitit 2008 është rritur 9.9 %. Por, përballë krizës financiare ndërkombëtare që ka prekur botën, ndoshta duke filluar që nga muaji nëntor 2008, disa impakte të kësaj krize kanë filluar të vërehen dhe mund të them sidomos në ecurinë e eksporteve. Shenjat e krizës globale do të japin impakte edhe në Shqipëri, por kjo do të duket pas një prognoze më të qartë të treguesve ekonomikë në 3-mujorin e katërt të 2008-s. Në këtë kontekst, rritja ekonomike do të jetë më modeste”, - tha ai. “Në buxhetin e 2009-s janë parashikuar kontigjenca për të përballuar efektet e ndonjë krize të mundshme. Si ekspert i politikave ekonomike, Xhepa parashikon se, “shenjat e krizës globale do të japin impakte edhe në Shqipëri, por, sipas tij, kjo do të duket pas një prognoze më të qartë të treguesve ekonomikë në 3-mujorin e katërt të 2008-s. Në këtë kontekst, rritja ekonomike do të jetë më modeste”, - tha Xhepa. Por pavarësisht kësaj, sipas tij, në hartimin e buxhetit 2009 qeveria ka parashikuar kontigjenca deri në 150 milionë usd për të përballuar efektet e ndonjë krize të mundshme.







14 Janar 2009