U bë një kohë relativisht e gjatë që ekonomia amerikane lëngon nën peshën e krizës financiare. Kjo nuk është as e para krizë financiare që kalon ekonomia amerikane dhe as e para krizë financiare në botë. Kriza aktuale ka pasur dhe ka pasoja të padiskutueshme mbi gjithë ekonominë botërore, e veçanërisht mbi ekonominë aziatike dhe atë evropiane. Kriza është gjithashtu në pragun e derës të ekonomisë shqiptare. Çdo lloj informacioni, aq më tepër sqarimet dhe shpjegimet e profesionistëve, kanë rëndësinë dhe vlerën e tyre.



Qytetarët e thjeshtë pyesin të habitur: Ç‘po ndodh? Botën e financës e mbështjell gjithnjë një perde misterioze për publikun e gjerë. Shpesh, ekspertët e financave thonë troç se "qytetarët e thjeshtë janë të veshur me një perde injorance lidhur me atë që ndodh në tregjet financiare dhe në bursa". Ndërkohë, në vendin tonë pyesin përsëri: Mos kemi të bëjmë me të njëjtin fenomen si në kohën e piramidave? Më tej, pse shpërtheu kriza financiare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Kemi pasur opinionin që ekonomia amerikane është një nga ekonomitë më të konsoliduara e më të qëndrueshme. Atëherë pse po tronditen kaq fort tregjet amerikane? Me pyetje të tilla, që përbëjnë në fakt thelbin e shqetësimit qytetar, mund të vazhdohet gjatë.



Shkaqet e krizës financiare amerikane



Shkaqet e kësaj krize duhen kërkuar përtej dy-tri viteve të fundit. Duhet thënë se që pas Luftës së Dytë Botërore ekonomia amerikane ka luajtur rolin e liderit të ekonomisë globale, e në mënyrë të veçantë dollari ka luajtur rolin e parasë botërore. Në këtë funksion, nëpërmjet mekanizmit të parasë, ekonomia amerikane kishte "komoditetin" të ndikonte shumë në atë botërore dhe të ndjente pak nga krizat ekonomike të vendeve të tjera në botë.



Së pari, rënia nga froni e dollarit amerikan ishte si të thuash shkatërrimi i parë i imunitetit të ekonomisë amerikane.



Së dyti, angazhimet e mëdha politike dhe ushtarake të qeverisë amerikane kanë kostot e tyre. Lufta e Irakut dhe ngjarjet e 11 shtatorit 2001 kanë rritur shkallën e riskut të saj. Këto ngjarje, pa përmendur edhe mjaft të tjera të mëdha me efekte të forta ekonomike, e kanë dobësuar në mënyrë të padiskutueshme pozitën e dollarit. Qytetarët e thjeshtë janë mësuar ta prekin këtë fakt me të ashtuquajturin rënie të dollarit në raport me monedhat e tjera.



Së treti, por jo vetëm në Amerikë, në ekonomitë e vendeve të zhvilluara, dhe të Evropës Perëndimore, përfshirë edhe disa nga vendet e Azisë, aktualisht ndodh një proces që quhet transferimi i teknologjisë dhe i kapitalit. Ndërmarrjet dhe bizneset e mëdha industriale në SHBA, Japoni, Angli, Francë, Gjermani etj., janë duke transferuar kapitalet dhe teknologjitë drejt vendeve në zhvillim. Kompanitë perëndimore po investojnë përditë dhe më shumë në Kinë, Indi, Meksikë, Argjentinë, Brazil etj. Kjo do të thotë se ka rënë me të shpejtë numri i vendeve të punës, është rritur papunësia në këto vende. Nga ana tjetër, bankat dhe institucionet e tjera financiare kanë rritur angazhimet e kapitaleve të tyre në kredidhënie, në financimin e zgjerimit dhe të transferimit të teknologjisë. Ndërkaq, është manifestuar rritja e kredidhënies, dhe paralelisht rritja e paaftësisë së ekonomive familjare për të kthyer në kohë kreditë e marra. Për shkak të transferimit të teknologjive, rritja e papunësisë ka zvogëluar të ardhurat e ekonomive familjare dhe bankat nuk kanë zgjidhje tjetër, veçse të vënë dorë mbi pasuritë që janë vënë si garanci pranë tyre dhe t‘i nxjerrin ato në shitje. Rritja e numrit dhe madhësisë të pasurive të paluajtshme për shitje është rritje e ofertës. Kjo ka çuar në rënien e çmimit të tyre, që nga ana tjetër është provë e zvogëlimit të vlerës së pasurisë së bankave mbi të cilat është mbështetur aktiviteti i tyre. Në financë, kjo shprehet me një term teknik: gjendja e aktiveve neto është negative. Pra, premisa për falimentim. Bankat nuk kanë mjetet e mjaftueshme për të vazhduar normalisht aktivitetin e ndërmjetësimit e të kreditimit.



Së katërti, para disa vitesh, Kina dhe Japonia, ndër fuqitë e mëdha ekonomike e tregtare të botës, investonin tepricat e buxheteve të tyre në blerje të bonove të thesarit të qeverisë amerikane. Ky investim ishte dhe është i mirëpritur në Uashington. Me rënien dhe dobësimin e pozitës së dollarit, këto dy fuqi e kthyen shpejt fytyrën nga zona e euros, zonë që edhe sot konsiderohet më e qëndrueshme, më e diversifikuar. Ndryshimi i drejtimit të lëvizjes së flukseve gjigante në investime të Kinës dhe Japonisë nuk mund të mos ndihej në ekonominë amerikane.



Në këtë mënyrë, kriza ka shumë shkaqe njëherësh. Faktorët janë shumë të lidhur me njëri-tjetrin dhe përbëjnë në fakt një zinxhir me shumë hallka. Para dy vitesh në bursën e Shangait pati një rënie të madhe të indeksit të saj. Kjo furtunë u përhap më të shpejtë në shumë tregje financiare. Në Evropë u ndje më pak, ndërsa në SHBA më shumë.



Shpresa te kapitalizmi i sipërmarrjes



Në shtypin botëror të specializuar të tregjeve financiare, këto ditë, thuhet se kapitalizmi financiar është në krizë. Me kapitalizëm financiar teknicienët nënkuptojnë kapitalet e investuara në banka, bursë, sigurime dhe te risigurimet, në fondet e investimeve, të pensioneve dhe sektorë të tjerë të lidhur ngushtë me financën dhe bankat. Kriza është e thellë. Rënia është mjaft e madhe dhe e shpejtë. Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se parametrat e kësaj krize janë më të mëdha se ajo e viteve 1929-1933, e mbajtur deri më sot si kriza më e thellë e njerëzimit në të gjithë botën financiare. Pasojat e saj ishin rrënuese për Gjermaninë, të cilës iu shtuan më vonë edhe fatkeqësitë e Luftës së Dytë Botërore. Ndryshe nga vite më parë, kriza e tanishme financiare është e shoqëruar me luhatje të mëdha në tregun e prodhimeve të naftës e të produkteve ushqimore. Botës i mungon energjia financiare, që është e aftë të vërë në lëvizje ekonominë e saj. Për këtë arsye, të gjitha shpresat janë te prodhimi, te kapitalizmi i sipërmarrjes. Bankat në vendet e zhvilluara kanë depërtuar në të gjitha hapësirat e jetës së individit. Bankat kanë pushtuar gjithë pushtetet ekonomike të botës. Familja nuk mund të përfytyrohet pa llogarinë në bankë dhe pa policën e sigurimit as në Amerikë, as në Azi e as në Evropë. Nënkuptohet që sindromi krizë ka depërtuar thellë, edhe psikologjikisht.



Institucionet financiare janë "ndërmarrje" të krijuara mbi bazën e parimit të kredibilitetit, të besueshmërisë. Të gjithë e kanë të qartë se themelet e bankës qëndrojnë te besimi që kanë njerëzit për të dhe te fakti se aktiviteti bankar apo financiar nuk është gjë tjetër veçse proces ndërmjetësimi. Nëse një bankë falimenton, tjetra është gati. Nëse falimentojnë dy, e treta është gati e kështu me radhë. Për të mos tronditur besimin te bankat, për të mos shkaktuar falimentimet zinxhir e për të mos e lënë ekonominë nën efektet e forcave të verbra të tregut, Kongresi amerikan miratoi paketën prej 700 miliardë dollarë, në ndihmë të bankave që kanë qenë dhe janë më të ekspozuara ndaj moskthimit të kredive të hipotekës. 2000 dollarë për një amerikan. Kjo është kostoja e kësaj pakete. Ky plan ndërhyrjeje është i pari në llojin e vet në historinë e SHBA, për nga madhësia, por jo i vetmi. Fatura për thesarin amerikan qysh prej fillimit të vitit është akoma më e madhe. Që nga fillimi vitit 2008, thesarit i është dashur të ndërhyjë katër herë; 30 miliardë USD për ‘Beart Stearns‘, 200 miliardë për ‘Freddie Mac and Fannie Mae‘, 85 miliardë për ‘AIG‘, përveç 700 miliardëve të fundit. Akordimi i kësaj ndihme është një faturë për buxhetin, që gjithsesi është me deficit, madje mjaft të ndjeshëm.



Henry Paulson, ministri amerikan i Thesarit, që e konsideroi para disa ditësh deciziv planin për të mbrojtur sistemin financiar dhe bankat amerikane, dje lëshoi një deklaratë tjetër: Ne nuk i shpëtojmë dot bankat nga falimentimi! Presidenti Bush e quajti rrënuese krizën financiare. Kjo është një fjalë shumë e rëndë, aq më tepër në gojën e një Presidenti amerikan.



Shqetësimet e krizës janë prezent në Evropë. Tashmë mund të thuhet pa asnjë mëdyshje se Evropa ndodhet e tëra në vorbullën e shqetësimit dhe të krizës. Presidenti i Francës, Sarkozi, e quajti dramatike krizën dhe urgjente ndërhyrjen. Fuqitë e mëdha të Evropës, katërshja Angli, Francë, Gjermani dhe Itali, kërkojnë një plan veprimi të përbashkët. Duhet të evitohet kontaminimi i plotë. Në këndvështrimin financiar, ekonomia evropiane është më e diversifikuar, ndërsa për shkak të tregjeve financiare, të lidhjeve jashtëzakonisht të shpejta, elektronike, të parasë elektronike e manjetike, tregjet janë vazhdim i njëri-tjetrit. Një ‘grip‘ i lehtë financiar në Amerikë ndihet edhe në Evropë, ndihet në Paris, Londër, Frankfurt, Milano dhe Zyrih.



Evropa, që e gjykon seriozisht dhe profesionalisht krizën, është duke e analizuar me objektivitet raportin kosto/përfitime. Janë gati 12 banka evropiane që kanë pasur rezultate shumë negative në tregun financiar për vitin 2008. Goditjet më të mëdha i kanë pësuar bankat angleze, por të shqetësuara janë edhe ato gjermane, spanjolle, franceze, belge etj. Java që kaloi është cilësuar si më e vështira për tregjet financiare. Në Tokio, në Londër e në Paris janë regjistruar gjatë javës rezultatet historike më të ulëta. Mëngjesi i ditës së shtunë është gdhirë gjithashtu shqetësues. Londra është goditur ditën e premte me -8.85%, Frankfurti me -7.01%, Parisi me -7.73%, Madridi me -9.14% etj. Moska ka injektuar në tregun e vet bursier 5 miliardë euro për të evituar mungesën e likuiditetit.



Në Azi, kriza gjithashtu dramatike



Azia, në fakt, ka disa vite që shërben si barometër paralajmërues i krizës aktuale. Në fjalorin e shtypit flitet për krizë financiare. Në fakt, kriza i ka kapërcyer përmasat e financës. Ajo po shndërrohet në krizë të gjithanshme ekonomike, financiare dhe krizë të prodhimit. Nuk ka si ndodh ndryshe. Nuk ka prodhim pa financë. Efekti i parë i krizës në Azi është manifestuar nga rëniet e shpejta të ritmeve të rritjes në vendet që kishin ritme të larta rritjeve, si Kina. Së dyti, bursat kryesore të Azisë, javën që kaloi e kanë përjetuar po kaq keq, ndërsa dje ato kanë pasur një fundjavë mjaft negative. Rënie e fortë në Tokio 9.62% për një ditë. Rënie 9.61% në Bankok dhe po kështu, edhe në Hong Kong 7.2%, në Singapor -7.34%, ndërsa në Sidney -8.3%. ‘Krach‘ historik në të gjitha tregjet financiare.



Reagim i shpejtë dhe në bllok



Nëse vendet e veçanta kanë parashikuar ndërhyrje të shpejtë dhe të fortë, tani është koha e ndërhyrjeve në bllok. Ky është opinioni dhe konkluzioni i mbledhjes të së premtes të ministrave të Financës, guvernatorëve dhe ekspertëve të 7 vendeve më të forta ekonomike të botës (Gjermanisë, Kanadasë, SHBA, Francës, Japonisë, Anglisë e Italisë) përballë krizës. Me gjithë premtimet për të bërë të mundur zgjidhjen e krizës të Xhorxh W. Bushit, përsëri në tregun financiar mungon likuiditeti. Pas kësaj mbledhjeje, menjëherë u mblodhën ministrat e Financës, guvernatorët e bankave qendrore dhe ministrat e Ekonomisë të G20. Një mbledhje e 20 vendeve më të pasura në botë, që janë në kushtet e emergjencës. Qëllimi është i njëjtë: "Të bëjmë gjithçka është e mundur që të punojmë, në bllok, së bashku e në harmoni". G20 u propozua dje të funksionojë si forum botëror për menaxhimin e krizës. Në Evropë po projektohet plani evropian i krizës, i iniciuar nga Londra. Bëhet fjalë për një plan tjetër 700 miliardë likuiditete në euro në ndihmë të sistemit financiar evropian. Gjermania (ministri i saj i Ekonomisë dhe Financave e kundërshtoi para disa ditës planin evropian të ndërhyrjes), është tërhequr nga ky pozicion. "Ta ndërpresim mbështetjen dhe zgjidhjen rast pas rasti. Duhet ndërhyrje frontale dhe zgjidhje e përgjithshme", theksoi të premten ministri gjerman i Financave. Pas 25 miliardë paund, të akorduar nga qeveria angleze po bëhet gati plani gjerman i ndihmës prej 100 miliardë euro. Gjermanët do të garantojnë huatë ndërbankare, për të frenuar efektin domino, ose "shiun monetar".



Pesë masat urgjente të G7-ës



G7 projektoi një paketë reagimi me 5 pika.



Së pari, të merren të gjitha masat decizive e të përdoren të gjitha mjetet në dispozicion për të mbështetur institucionet financiare dhe për të penguar falimentimin e tyre. Kjo është koshienca maksimale e G7.



Së dyti, të merren të gjitha masat e nevojshme për të zhbllokuar kreditin dhe tregjet monetare, e për të bërë të mundur që bankat dhe institucionet financiare të kenë akses të gjerë dhe afatgjatë në likuiditete e kapitale.



Së treti, të bëhet e mundur që bankat dhe institucionet financiare të G7-ës të mund të përdorin burimet dhe kapitalet publike e private, kur të gjykohet e nevojshme dhe të përdorin shumat e nevojshme për të kthyer besimin, e për të bërë të mundur vazhdimin normal të aktivitetit të ndërmarrjeve dhe të qytetarëve.



Së katërti, programet kombëtare të vendeve të veçanta të garantojnë depozitat bankare që ato të jenë të forta, të qëndrueshme dhe që depozituesit e vegjël të mos tronditen psikologjikisht.



Së pesti, "të marrim vendimet më të mira të mundshme", thotë G7, për të riaktivizuar tregun sekondar të huave hipotekore dhe të aktiveve të tjera financiare: vlerësime të sakta të aktiveve financiare, informacion transparent e të shpejtë, respektim të normave kontabël të vlerësimit e të raportimit financiar.



FMN gati të ndihmojë viktimat e krizës. Ne ndaj jemi krijuar - theksoi presidenti i saj.



Shqipëria? S‘ka vend për panik. Por as duarkryq



Duhet thënë se e vërteta në Shqipëri qëndron pak më ndryshe nga kjo panoramë e zymtë dhe që është përshkallëzuar shpejt në pothuaj gjithë botën. Mungesat në sistemin financiar kanë bërë që raportet e sistemit tonë me sistemet në Evropë e në botë të jenë më të dobëta. Kjo nuk do të thotë se nuk ka vend për të qenë të shqetësuar. Sistemi ynë bankar dhe tregu i sigurimeve janë në lidhje të vazhdueshme me sistemin bankar në botë, në Evropë dhe me tregun e sigurimeve e të risigurimeve të Evropës. Ne nuk jemi në krizë, por nuk jemi të imunizuar nga kriza. Askush nuk ka të drejtë, aq më pak profesionistët, të fërkojnë duart apo ta përdorin dhe të përfitojnë prej saj. Bota e zhvilluar dhe Evropa e bashkuar harton plane te veprimeve të unifikuara. Në vendin tonë duhet vepruar në harmoni, për shkak edhe të disa faktorëve të tjerë.



Së pari e mbi të gjitha, se vërtet kriza te ne, për ato shkaqe që është amplifikuar në SHBA, Azi dhe vendet e zhvilluara të Evropës, nuk ka arsye të ndodhë. Ekonomia shqiptare vjen drejt përmirësimit dhe rritjes. Ajo vjen nga krizat, nuk shkon drejt krizave.



Së dyti, në Shqipëri, shkalla më e lartë e riskut gjykoj është risku psikologjik. Shiu psikologjik nuk duhet dhe nuk ka pse të bjerë në vendin tonë, nëse burimet e informimit funksionojnë normalisht dhe me transparencë maksimale.



Së treti, ekonomia shqiptare është ekonomi me doza empirike, e pazhvilluar, me mungesë të theksuar të instrumenteve dhe të tregjeve financiare dhe monetare ku ka shpërthyer kriza. Me fjalë më të thjeshta do të thosha që kriza financiare është "krizë e zengjinëve".



Së katërti, ekonomia jonë është ekonomi e vogël. Ndërmarrjet tona janë ndërmarrje private, kapitali i të cilave përgjithësisht vlen më shumë në treg nga sa është regjistruar dhe vlerësuar. Ato nuk kuotohen në bursë. Numri i ndërmarrjeve që kanë kredi të këqija duhet të mbahen nën vëzhgim të vëmendshëm.



Ndërkohë, gjykoj se duhet reaguar. Qeveria dhe institucionet tona financiare, veçanërisht ato që mbikëqyrin dhe rregullojnë veprimtarinë e institucioneve financiare e monetare duhet të reagojnë. Më saktë duhet thënë se duhet të rritin vëmendjen dhe kujdesin profesional.



Për opinionin tim, reagimi duhet të jetë në kuadër të veprimeve harmonike me ekonominë evropiane, edhe pse nuk jemi në zonën e euros.



Së pari, gjykoj duhet të krijohet një shtab emergjence, që të ndjekë me vëmendje dhe të programojë reagimin. Të reagojë njëkohësisht ndaj shkallës së riskut, në se duhet, që do t‘i duhet shtetit të marrë përsipër, po qe se kontaminohet ekonomia jonë. Në këtë shtab, që duhet detyrimisht të drejtohet nga Kryeministri, përveç ministrave të Financës, ekonomisë, guvernatorit dhe drejtuesve të institucioneve, duhet të ketë edhe disa specialistë njohës të tregut financiar, të sistemit bankar, të tregut të sigurimeve, të fushës së pensioneve dhe të tregtisë ndërkombëtare.



Së dyti, duhet rritur shpejtësia e informacionit dhe transparenca. Njerëzit duhet të jenë në çdo moment dhe në çdo vend të mirinformuar dhe atyre duhet t‘u shërbehet me të shpejtë. Veçanërisht prej Bankës Qendrore dhe autoriteteve të tjera të mbikëqyrjes financiare si AMF apo autoritete të tjera. Por gjykoj se në kushte emergjence duhet të punojnë edhe bankat tregtare.



Së treti, nëse do të duhet, sistemi bankar duhet të mbështetet me likuiditete dhe me fonde shtesë.



Së katërti, duhet bërë kujdes që emigrantët, te të cilët shkalla e riskut psikologjik është më e lartë, të jenë në çdo kohë të mirinformuar.



Së fundi, shteti duhet të njohë dhe të reagojë në rritjen e kufirit të depozitave të garantuara, sikurse po veprojnë pothuaj të gjitha vendet në botë.