Rënie drastike për blerjet e shtëpive. Ndërtuesit shesin deri 20% më lirë


Ervin Koçi



Ulja e çmimit të apartamenteve të banimit dhe e ambienteve të tjera të biznesit, megjithëse nuk mund të mendohej disa muaj më parë, tani ka nisur të bëhet realitet. Janë me dhjetëra firmat ndërtuese në kryeqytet, por edhe në rrethe të tjera, që kanë pranuar të shkurtojnë disi fitimet e tyre me synimin kryesor zhbllokimin e parasë “kesh”. Specialistët e ekonomisë e lidhin këtë pasojë me efektet që po i vijnë ekonomisë tonë si pasojë e krizës financiare ndërkombëtare. Ata thonë se kjo gjë ka prekur edhe sektorin më kyç të ekonomisë tonë: ndërtimin. Mungesa e likuiditetit, rritja e konkurrencës dhe mbiprodhimi, rënia e fuqisë blerëse dhe pakësimi i remitancave (të ardhurat nga emigrantët), janë disa nga kushtet kryesore që kanë ndikuar në rënien e blerjeve në sektorin imobiliar. Sipas të dhënave nga agjentët e tregut dhe nga agjencitë imobiliare, viti 2009 ka nisur me një rënie drastike të blerjeve të shtëpive në Tiranë dhe në qytete. Sipas statistikave, edhe pse nuk ka një shifër zyrtare, mendohet se ajo është në kufijtë maksimalë, ku blerja e një shtëpie është kthyer në diçka gati të pamundur. Por një arsye tjetër e rëndësishme që ka ndikuar në këtë rënie është mungesa e dhënies së kredive për shtëpi nga bankat private. Kjo ka sjellë dhe ndërprerjen e hallkës kryesore të zinxhirit që krijohet në procesin e ndërtimit. Vetëm një javë më parë, guvernatori Ardian Fullani njoftoi për uljen e interesit në banka të monedhës vendase, dhe kjo do të shoqërohet me ndërprerjen e dhënies së kredive. Kësaj i shtojmë edhe krizën financiare që ka përfshirë sot edhe botën, një fenomen që natyrisht ka ndikimet e veta edhe në Shqipëri.



Faktorët e rënies



“Sektori i ndërtimit në Shqipëri po kalon në kolaps”. Të këtij mendimi janë ekspertët e ekonomisë, sipas të cilëve, blerja e apartamenteve ka rënë në mënyrë të ndjeshme. Ndërtuesit, duke mos shitur apartamente dhe duke mos marrë dot kredi nga bankat, nuk mund të investojnë në ndërtimet e pallateve të reja. Gjithashtu, rritja e kostos së ndërtimit si pasojë e krizës financiare ndërkombëtare ka ndikuar në bilancet negative të biznesit. Por kriza financiare ka futur panik edhe te qytetarët, të cilët kanë frikë t’i shpenzojnë kursimet e tyre duke blerë shtëpi apo prona të tjera të patundshme. Por kjo situatë konsiderohet e favorshme vetëm për ata individë që mund të sigurojnë të ardhura mujore të kënaqshme nga puna ose biznesi i tyre dhe që kanë mundësinë të bindin bankat private për të marrë kredi. Në këtë kohë krize këta janë edhe më të fituarit, pasi okazionet për të gjetur një apartament, një zyrë, një lokal apo një garazh deri në 20 për qind më lirë nga sa kushtonte vetëm në nëntor 2008, janë të shumta. Nga ana tjetër, ndërtuesit, por edhe pronarët e pronave të paluajtshme, po nxitojnë t’i shesin ato duke ofruar çmime me mjaft leverdi.



Çmimet sipas zonave

Në gjendjen financiare që ndodhet aktualisht sektori i ndërtimit, mendohet të ndikojë pozitivisht te blerësit. Kjo për arsye se ndërtuesit duan të qarkullojnë paranë, dhe për të arritur një gjë të tillë do të bëjnë uljen e çmimeve të apartamenteve. Sipas Shoqatës së Ndërtuesve, kërkesa është në rënie, ndërsa oferta është në rritje. Kjo është pozitive për blerësit, por negative për ndërtuesit, pasi nuk do të kenë fitimin e parashikuar. Vetëm disa muaj më parë çmimet e apartamenteve në kryeqytet arritën shifrat rekord, kjo për shkak të mosdhënieve të lejeve të ndërtimit për një periudhë të gjatë kohore. Por tani që fuqia blerëse po vjen në rënie dhe bashkë me të edhe të ardhurat nga jashtë vendit, ndërtuesit po shpejtojnë të shesin duke iu druajtur stoqeve dhe rënies së vlerës drastike të pronave të paluajtshme. Në zona të ndryshme të kryeqytetit, si në Kinostudio, në Sauk, në Kombinat, në Laprakë apo dhe në zonat përreth Unazës së vjetër, si rruga “Don Bosko”, Stacioni i Trenit, Shkolla Teknologjike etj., çmimet e apartamenteve kanë nisur të ulen nga 12-20 për qind.



Tatimi



Të gjithë personat që shesin një apartament do të tatohen në masën e 10 për qind të fitimit kapital të realizuar. Pra, nëse një individ do të shesë një apartament, atëherë ky individ do të paguajë 10 për qind të diferencës së vlerës së shitur të apartamentit me vlerën e blerjes së apartamentit nga individi. Individi që kalon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme, paguan tatimin para kryerjes së regjistrimit të kësaj pasurie. Pasuria e paluajtshme nuk regjistrohet pa provuar pagimin e detyrimit pranë zyrave vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ndërkohë, banesat e ndërtuara para vitit 1995 dhe që nuk kanë vlerën e blerjes, atëherë si vlerë minimale e blerjes do të merret kostoja mesatare për metër katror e sipërfaqes së shfrytëzueshme e përcaktuar nga Enti Kombëtar i Banesave.





BOX///////////////////////

Kreditë, pengesa kryesore



Mosdhënia e kredive për shtëpi është faktori kryesor që ka sjellë bilance negative të sektorit të ndërtimit. Bankat e nivelit të dytë, duke minimizuar dhënien e kredive për shtëpi, kanë bërë që fuqia blerëse e shtëpive të jetë ulur. Kjo ka ndikuar në rënien drastike të shitjeve të apartamenteve. Por kreditë kanë qenë mjaft të pakta edhe për ndërtuesit, duke bërë që sektori i ndërtimit të kalojë në kolaps.



Kriza financiare, shkak frenimi



Paniku i banorëve nga kriza financiar ndërkombëtare ka bërë që kursimet mos t’i investojnë për blerjen e apartamenteve. Ndërkohë, për ndërtuesit ky faktor ndikon negativisht, pasi pengohet shitja e banesave. Kështu, duke u mbetur produkti i tyre pa shitur, nuk kanë mundësit të investojnë në ndërtimin e një pallati tjetër.



Kostoja e ndërtimit, në rritje



Sektori i ndërtimit në vend po vuan pasojën e shtrenjtimit të materialeve të ndryshme të ndërtimit si pasojë e krizës globale ekonomike. Indeksi i kushtimit të ndërtimit gjatë vitit 2008 është rritur ndjeshëm në krahasim me vitin 2007. Rritja e çmimit të materialeve të ndërtimit u ka kushtuar shtrenjtë kompanive të ndryshme, të cilat nëpërmjet Shoqatës së Ndërtuesve kanë kërkuar indeksim.





Tabela/////////////////////////////

Të dhënat e tregut për çmimet e apartamenteve dhjetor 2008



Rruga/zona Çmimi (euro/m2)

-Unaza, Materniteti i Ri 700-800

-Uzina e Autotraktorëve 450-500

-Blloku, Liceu, Rr. Elbasanit 1400-2000

-Rruga e Elbasanit 1200-1800

-Min. Jashtme, Q. Studenti 1100-1600

-Spitalet, Shkolla e Bashkuar 650-850

-Kinostudio 500-600

-Unaza, Shish-Tufinë 450-500

-Zona e Bllokut, Pallatet Agimi 1600-2000

-St. “Dinamo”, Garda 1800-2000

-Pishinat, rruga “Komuna e Parisit” 750-850

Unaza e re, Kombinat-Misto Mame 400-580

-Ish-Ekspozita 1500-1800

-“Myslym Shyri” 900-1600

-“21 Dhjetori”, “Zogu i Zi”, Rr. e Ambasadave 1000-1500

-Rruga e Kavajës 1300-1800

-Rruga e Durrësit 1300-1800

-Pazari i Ri 750-900

-Rruga Bardhyl 700-850

-Stacioni Trenit 900-1200

-“Don Bosko” 650-750

-Lapraka 550-700

Burimi: Agjencitë Imobiliare













13 Shkurt 2009