Këshilli i Ministrave miratoi sot, vendimin për shpronësimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme prone private, që preken nga ndërtimi i projektit të hidrocentralit në lumin Devoll.


Duke folur për këtë vendim, Kryeministri Berisha tha se ai do t’i hapë rrugë fillimit, vitin e ardhshëm, të punimeve për ndërtimin e veprës energjetike ujore më të madhe në historinë e Shqipërisë dhe projektit energjetik ujor më të madh aktualisht në Europë, kaskadën e Devollit.


“Dy gjigandë të energjisë së rinovueshme në Europë e në botë, Statkraft i Norvegjisë dhe EVN i Austrisë, pas një pune të jashtëzakonshme disavjeçare, pas studimesh mjedisore, gjeologjike dhe të gjithëllojshme në të gjithë trajektoren e lumit Devoll, vendosin fillimin e ndërtimit të hidrocentraleve të kaskadës së Devollit. Ky do të jetë projekti i shekujve, pasi ndërtohet me rreth 50 kilometra tunele dhe ato që nuk “vdesin” ndonjëherë janë hidrocentralet në tunele. Puna për këtë projekt ambicioz fillon intensivisht në vitin 2013 dhe këta dy gjigandë europianë zotohen se do ta përfundojnë në një afat të shkurtër kohor 5-6 vjeçar. Ju e shihni se ç’vit i madh e i mbarë është 2013! Në këtë vit kanë fillimin e tyre, dy projektet e shekullit dhe gjithashtu, zgjedhjet e qershorit janë po në këtë vit”, - u shpreh Kryeministri.


***


Në mbledhjen e sotme, u miratua edhe vendimi “Për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien e statusit të zhvilluesit të zonës ekonomike në Elbasan.”


Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë vendim një zhvillim shumë të rëndësishëm për qytetin e Elbasanit. “Natyrisht, fronti më imediat dhe direkt i punës, - tha Kryeministri, - do të jetë kaskada e Devollit, por krijimi i zonës ekonomike do të jetë një nxitje e madhe për sipërmarrjen e lirë dhe për punësimin e qytetarëve të Elbasanit.”


***


Kryeministri Berisha veçoi nga rendi i ditës së mbledhjes së qeverisë edhe projektligjin “Për përgjimin e telekomunikacioneve” të ndryshuar. “Ky ligj, - u shpreh Kryeministri, - është fryt i një bashkëpunimi të gjerë, intensiv, i të gjitha institucioneve të vendit me specialistët më të mirë ndërkombëtarë. Ai sjell standardet e reja në fushën e përgjimit, fushë, të cilën ju gazetarët e keni pasion të madh dhe nëpërmjet tij keni pasur shansin të rrëzoni jo një, por kush e di sa politikanë, për shkak se keni lënë mikrofonin hapur, kur ata flisnin lirshëm. Ligji i përgjigjet kërkesave të luftës kundër krimit të organizuar, kërkesave të transparencës dhe është  produkt i një bashkëpunimi të ngushtë të shumë institucioneve.”


26/09/2012