Jonida Tashi



Ministria e Arsimit vendos datën e zhvillimit të testimit të mësuesve për kualifikimin e vitit 2010. Kështu, megjithëse gjatë viteve të kaluara, testimi i mësuesve për kualifikimin e tyre është kryer në datën 29 mars, këtë vit, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka vendosur që ky provim të mbahet në datën 24 prill. Lajmi bëhet i ditur nga Drejtoria Arsimore e Tiranës, e cila sikurse të gjitha drejtoritë dhe zyrat e tjera arsimore të vendit, pas marrjes së urdhrit të ministrit të Arsimit, për testimin 2010, ka shpallur hapjen e procesit të aplikimit. Tashmë, çdo arsimtar i interesuar për të marrë pjesë në këtë testim, falë të cilit sigurohet edhe një shtesë mbi rrogën bazë, që varion sipas tri shkallëve të kualifikimit, duhet të dorëzojë dokumentet pranë drejtorisë arsimore ose zyrës arsimore përkatëse.

Aplikimi

Aplikimi për të marrë pjesë në testimin e vitit 2010, do të kryhet sërish nëpërmjet dorëzimit të Portofolit të Zhvillimit Profesional të Mësuesit, në të cilin do të përfshihen të dhënat e profesionale dhe personale të çdo arsimtari. Sipas specialistëve të Drejtorisë Arsimore Tiranë, portofoli do të jetë një pikë kyçe në vlerësimin e punës së çdo mësuesi, pasi testimi do të kryhet në dy faza të veçanta. Faza e parë është dorëzimi i portofolit nga mësuesit pranë drejtorive arsimore përkatëse, ndërsa e dyta është vlerësimi i tyre me shkrim. Aktualisht, para hapjes së procesit të regjistrimit, të gjithë mësuesit që do të futen në testimin e kualifikimit për vitin shkollor 2009-2010, duhet të përgatisin portofolin, i cili, sipas udhëzimit të MASH-it, duhet të përmbajë: curriculum vitae me fotografi; planin mësimor vjetor (për një lëndë dhe një klasë të caktuar); objektivat e arritjeve të nxënësve për një kapitull, në tre nivele (në një lëndë dhe klasë të caktuar; modele testesh të hartuara prej tij (2-3 teste); planifikim i kurrikulës së lirë (për një lëndë të caktuar); vlerësim për punën e tij (nga vlerësues të jashtëm dhe të brendshëm). Pas depozitimit pranë drejtorive arsimore përkatëse, portofoli i çdo mësuesi do t’i nënshtrohet një vlerësimi që do të bëhet nga specialistët e çdo drejtorie. Ndërsa mësuesit që nuk do ta dorëzojnë një portofol të tillë, nuk do të munden t’i nënshtrohen testimit. Portofoli i Zhvillimit Profesional të Mësuesit duhet të përgatitet nga vetë arsimtarët. Për kohën e dorëzimit të portofolit në drejtoritë arsimore mësuesit do të njoftohen nëpërmjet postës javore të shkollës. Gjatë kësaj periudhe, mësuesit që do të hyjnë në këtë proces do të pajisen me një vlerësim të brendshëm të realizuar nga drejtoria e shkollës dhe një vlerësim të jashtëm nga sektori i inspektimit në drejtoritë arsimore rajonale. Edhe këto vlerësime do të jenë pjesë e portofolit të mësuesit.

Kategoritë

Ministria e Arsimi ka përcaktuar që në fillim të vitit shkollor 2009-2010, kategoritë e arsimtarëve që do t’i nënshtrohen testimit të kualifikimit për vitin 2010. Nëpërmjet një udhëzimi të posaçëm, Ministria e Arsimit ka kërkuar nga drejtoritë arsimore dhe zyrat arsimore (DAR/ZA) që të planifikojnë në punën tyre për vitin 2009-2010 kualifikimin e mësuesve 2010. Kështu, sipas kushteve të vendosura nga MASH-i, provimit të kualifikimit për vitin 2010, do t’i nënshtrohen të gjithë mësuesit, të cilët mbushin 5, 10, 20 vite pune në arsim deri në fund të dhjetorit 2009. Mësuesit që deri në datën 31 dhjetor 2009, do të kenë punuar 5 vite pune si arsimtar kanë të drejtë të aplikojnë për shkallën e tretë të kualifikimit. Në shkallën e dytë të kualifikimit do të pranohen për t’u testuar arsimtarët që kanë punuar 10 vjet në arsim. Edhe më e madhe bëhet vjetërsia e punës në arsim kur bëhet fjalë për shkallën e parë të kualifikimit, e cila është edhe më e preferuara nga mësuesit. Për t’i dhënë mundësinë vetes që të testohet për të fituar shkallën e parë të kualifikimit një mësuesi i duhet të ketë punuar plot 20 vjet arsim. Nga vlerësimi sipas meritës, mësuesit do të marrin edhe rritjen mbi pagë që varion sipas tri shkallëve të kualifikimit. Në bazë të këtij kategorizimi, mësuesi përfiton shtesë në pagë, që për kategorinë e tretë është plus 5 për qind, për të dytën plus 10 për qind dhe për të parën plus 20 për qind.



Dokumentet që duhet të përmbajë Portofoli i Zhvillimit Profesional:

Curriculum vitae (me fotografi)

Planin mësimor vjetor (për një lëndë dhe një klasë të caktuar)

Objektivat e arritjeve të nxënësve për kapitull, në tre nivele (për një klasë dhe në një lëndë të caktuar)

Modele testesh të hartuara prej tij

Planifikimin e kurrikulës së lirë (për një klasë dhe një lëndë të caktuar)

Vlerësimin për punën e tij (nga vlerësues të brendshëm dhe të jashtëm)



Kualifikimi 2010, mësuesit që do të përfshihen



Me diplomë mësuesie, me emërim definitiv ose në pritmëri

Pa diplomë mësuesie, me arsim të lartë, të cilët japin lëndët profesionale në shkollat e mesme profesionale ose të përgjithshme dhe kanë kontratë individuale pune

Pa diplomë mësuesie, me arsim të lartë, të cilët japin lëndët profesionale në shkollat profesionale me status kombëtar

Pa diplomë mësuesie, me arsim të lartë, të cilët japin lëndët e Edukimit muzikor ose të Edukimit figurativ dhe kanë kontratë individuale pune



Vjetërsia e punës në arsim për t’u kualifikuar

Provimeve të kualifikimit do t’i nënshtrohen vetëm punonjësit, të cilët, deri më datën 31 dhjetor 2010, plotësojnë vjetërsinë e mëposhtme të punës në arsim:

5 vjet, për shkallën e tretë të kualifikimit

10 vjet, për shkallën e dytë të kualifikimit

20 vjet, për shkallën e parë të kualifikimit





Viti 2010-2011

Ofrohen 3 bursa për studime pasuniversitare pranë Universitetit të Pavias





Ofrohen 3 bursa për studime pasuniversitare pranë Universitetit të Pavias në Itali. Universiteti i Pavias në bashkëpunim me Drejtorinë e Zhvillimit dhe të Bashkëpunimit në Ministrinë e Punëve të Jashtme italiane, akordon për shtetasit e huaj të vendeve në zhvillim 3 bursa për studime pasuniversitare 10 mujore në Universitetin e Pavias ose në Institutin për Studime të Avancuara të Pavias (IUSS), në periudhën 15 shtator 2010 deri më 15 qershor 2011. Bursa e studimit financohet nga fondacioni “Fund for Cooperation & Knoëledge–in and out of Pavia” dhe parashikon mbulimin e të gjitha shpenzimeve të udhëtimit vajtje-ardhje, shpenzimet e akomodimit dhe të ushqimit, shpenzimet për vizën konsullore, si dhe shpenzimet për siguracionin shëndetësor. Financimi për bursën e studimit dhe përzgjedhja e studentëve do të menaxhohen nga një komitet i përbërë me studentë, profesorë, zyrtarë të Universitetit të Pavias dhe një përfaqësues nga Drejtoria e Zhvillimit dhe Bashkëpunimit në Ministrinë e Punëve të Jashtme Italiane. Për një informacion më të hollësishëm lidhur me llojin e bursave që ofrohen, mënyrën e plotësimit të formularit të aplikimit si dhe të përgatitjes së dokumentacionit nga aplikanti, referojuni adresës së mëposhtme të internetit: web:http://www.unipv.eu/on-line/Home.html ose e_mail: andrea.pichelli@unipv.it. Afati i fundit i dorëzimit të dokumenteve të kandidatëve në Universitetin e Pavias është data 30 prill 2010. Një kopje e dokumenteve dhe formulari i aplikimit duhet t’i përcillen edhe Ambasadës Italiane në Tiranë, me postë ose në formë elektronike.





Shërbimi i ri

Fëmijët e shfrytëzuar për lypje ose në rrezik trafikimi do të trajtohen në qendra sociale



Fëmijët e pashoqëruar, të shfrytëzuar për lypje ose në rrezik trafikimi do të trajtohen së shpejti në qendra sociale. Lajmi është bërë i ditur dje zyrtarisht nga ministri i Punës, Spiro Ksera, nw konferencën ndërministrore “Plotësimi i Standardeve Ndërkombëtare dhe Sfidat e Shqipërisë në Luftën Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore”. Në këtë konferencë, Ksera, bëri publike një nismë të ndërmarrë së fundi nga Ministria që ai drejton, për ngritjen e një shërbimi të ri që do të ofrohet në një nga qendrat sociale rezidenciale publike, për trajtimin e fëmijëve të pashoqëruar, të shfrytëzuar për lypje ose në rrezik trafikimi. “Këtyre fëmijëve do t’u sigurohen mjedise të përshtatshme për akomodim, arsimim e argëtim”,- siguroi ministri i Punës. Më tej, ministri Ksera, u ndal në punën e bërë për përmirësimin e legjislacionit dhe zbatimin e politikave më efikase në ndihmë të viktimave të trafikut, ku përmendi përmirësimet në ligjin “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të miratuara tashmë nga Parlamenti si dhe të dekretuara nga Presidenti, të cilat parashikojnë përfshirjen për herë të parë në skemën e mbështetjes me ndihmë ekonomike të viktimave të trafikut, pas daljes së tyre nga qendrat rezidenciale të shërbimeve të përkujdesit social. Po ashtu, për herë të parë, nëpërmjet këtyre ndryshimeve ligjore, qeveria ka marr përsipër financimin e qendrave rezidenciale jopublike, të cilat ofrojnë shërbime për viktimat e trafikimit me fondet qendrore buxhetore, nëpërmjet një bashkëpunimi më të ngushtë me OJF që veprojnë në këtë fushë.















31 Mars 2010