Plot 2288 mësues i janë nënshtruar provimit kualifikues për rritjen e kategorisë, që shoqërohet edhe me pagë më të lartë. Prej tyre, vetëm 382 arsimtarë kanë mundur që të fitojnë vlerësimin në nivelin maksimal me "shumë mirë". Ndërsa 34 të tjerë nuk kanë arritur dot që të kapërcejnë këtë provim dhe janë rreshtuar në serinë e mbetësve. Janë këto disa nga të dhënat që u bënë publike dje nga Robert Gjedia, drejtori i Institutit të Kurrikulave dhe Trajnimit (IKT), menjëherë pas përpunimit të rezultateve të atestimit për kualifikimin 2008 të mësuesve.



"Nga vlerësimi i kryer për 2288 kandidatët e testuar me shkrim, do të marrin me meritë rritjen në kategori 98.5% e mësuesve. Mësuesit e tjerë do të mund të japin provimin për kategorinë sërish vitin tjetër", u shpreh drejtori Gjedia. Sipas tij, krahasuar me testimin e kryer vitin e kaluar për herë të parë me të njëjtat standarde rezultatet janë më të larta dhe përgatitja e mësuesve më e mirë. Gjatë të njëjtit provim, një vit më parë, numri i mësuesve që nuk mundën të kalonin dot testimin ishte plot 64 nga 2144 kandidatë pjesëmarrës. Drejtori Gjedia ka sqaruar më tej se "për të ardhur deri në ditën e testimit, mësuesit u mbështetën me materiale profesionale, me trajnime 1-2 ditore nga grupet lokale të trajnimit, me vetëkualifikim përmes portofolit të zhvillimit profesional, si dhe u vëzhguan në orë mësimore nga drejtues të shkollave dhe nga inspektorët e drejtorive arsimore".



E veçanta e provimit të këtij viti, pohon ai, ishte përgatitja dhe prezantimi i portofolit të zhvillimit profesional përpara hyrjes në testim. Ky portofol përmban hartimin e objektivave të arritjeve të nxënësve, mënyrën e zhvillimit të orëve të lira në shkollë, lirinë e mësuesit për orët mësimore të parashikuara në programin lëndor etj.



Në datën 29 mars 2008, në mjediset e paracaktuara nga çdo drejtori arsimore rajonale, u zhvillua testimi i 2288 mësuesve, nga të cilët: 231 mësues të arsimit parashkollor, 679 mësues të ciklit fillor, 867 mësues të ciklit të mesëm të ulët, 511 mësues të ciklit të mesëm të lartë. Ky proces u monitorua nga përfaqësues të MASH dhe të IKT-së, si dhe nga administratorët lokalë. Provimet ishin vetëm me shkrim. Në provimin e kualifikimit mësuesit u vlerësuan për zotërimin e programeve lëndore, anën shkencore të lëndës shkollore, si dhe metodikën e saj. Në bazë të këtij kategorizimi, mësuesi përfiton shtesë në pagë, që për kategorinë e tretë është plus 5%, për të dytën plus 10% dhe për të parën plus 20%. Provimeve të kualifikimit u nënshtrohen vetëm punonjësit të cilët, deri më datën 31 dhjetor 2007, plotësojnë vjetërsinë e mëposhtme të punës në arsim: nga 5 deri në 9 vjet, për shkallën e tretë të kualifikimit; nga 10 deri në 19 vjet, për shkallën e dytë të kualifikimit; 20 e më shumë vjet, për shkallën e parë të kualifikimit. Mësuesit që nuk e kaluan provimin, nuk kualifikohen për nivelin përkatës të kërkuar, por kanë mundësi të aplikojnë sërish vitin e ardhshëm.