Vështirësohet hyrja në Master. Këtë vit edhe pedagogët në garë me studentët për këto diploma. Përjashtohen nga kualifikimi pedagogët që kanë dalë në pension në qershor të 2009-s


Jonida Tashi



Pedagogët që nuk do arrijnë të kualifikohen brenda vitit 2011, nuk do të japin më leksione nga vendi i punës që aktualisht ata kanë. Ndërsa vendet e punës të zëna nga personeli akademik, që, në qershor të vitit 2009 kanë arritur moshën 60 vjeç për meshkujt dhe 55 vjeç për femrat, nuk shpallen e rishpallen për konkurrim. Për rrjedhojë, ky personel ka të drejtë ta ruajë vendin e punës deri në daljen në pension, në kategorinë dhe nivelin që do të klasifikohet, në bazë të vendimit të ri për ndarjen e pedagogëve në nivele, pa zbritur nga paga që ka gëzuar deri në atë çast.

Masterat

Qeveria ka përcaktuar kritere të reja për punësimin e pedagogëve, sipas të cilave personeli akademik, do të riorganizohet me vendet e reja të punës, duke filluar që nga viti i ri akademik 2009-2010. Kështu, sipas vendimit të qeverisë, personeli akademik, i cili në vitin akademik 2008-2009 nuk e ka pasur shkallën e kualifikimit, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim, do të mbajë një vend pune, që i afrohet më shumë kualifikimeve të tij, me detyrimin që, brenda një periudhe 5-vjeçare, nga hyrja në fuqi e Ligjit të Arsimit të Lartë, Nr.9741, datë 21.5.2007, të ndryshuar, të kualifikohet, sipas kërkesave të vendit të punës. Për t’i ardhur në ndihmë trupës pedagogjike në procesin e kualifikimit, qeveria ka vendosur që personeli akademik, i punësuar aktualisht në universitetet publike të vendit, të ketë përparësi ndaj kërkesave të kandidatëve të tjerë, në kuotat që miratohen për programe studimi master i nivelit të dytë dhe doktoraturë. Kjo do të thotë se duke filluar që nga viti i ardhshëm akademik e deri në atë pasardhës të tij, do të vështirësohet së tepërmi nisja e masterave për mijëra student të sapodiplomuar, për arsye se kandidatët e parë që do të pranohen për të vijuar këto studime do të jenë pedagogët. Sipas vendimit, universitetet nuk mund të klasifikojnë në kategorinë “Profesorë” dhe “Docentë” anëtarë të personelit akademik, të punësuar në institucion, të cilët nuk përmbushin kriteret përkatëse të kualifikimit, shkencor e pedagogjik të vendit të punës.

Kategoritë

Personeli akademik, i punësuar në universitetet publike përparon në karrierë, mbështetur në kualifikimet dhe në vlerësimet pozitive në punë. Kalimi nga një kategori në një tjetër do të bëhet nëpërmjet një kërkese me shkrim, dhe përkundrejt procedurave të konkurrimit për atë vend pune. Po ashtu edhe kalimi nga një nivel në një tjetër më të lartë, brenda kategorisë, dhe nga një kategori më të ulët në një tjetër më të lartë, të personelit akademik, do të bëhet kur institucioni ka vend të lirë për këtë nivel dhe kandidati ka kualifikimet e nivelit përkatës si dhe ka marrë vlerësim pozitiv për punën e bërë nga Këshilli i Fakultetit. Këto vlerësime kryhen çdo dy vjet. Në nivelin c/1 “Lektori” apo “Kërkuesi” do të kalojnë anëtarët e personelit akademik, me një diplomë të marrë në studime të thelluara pasuniversitare dhe të ekuivalentuara sipas Ligjit të Arsimit të Lartë. Në nivelin c/1 do të kalojnë edhe anëtarët e personelit akademik, që kanë një diplomë të nivelit të dytë, diplomë të integruar të nivelit të dytë ose një diplomë të studimeve universitare, të modelit të vjetër dhe të ekuivalentuar. I gjithë personeli akademik me titullin “Profesor”, aktualisht i punësuar në universitetet publike të vendit, gëzon të drejtën e vendit të punës të nivelit a/1. Për të tërhequr personel akademik me kualifikimin e nevojshëm, universitetet duhet të shpallin, para fillimit të çdo viti akademik, të gjitha vendet e punës, të zëna nga personeli akademik, i punësuar me kontratë të përkohshme, por që nuk përmbush kriteret përkatëse të kualifikimit, shkencor, pedagogjik, të vendit të punës. Me prioritet për tu punësuar në universitetet publike të vendit do të jenë edhe përfituesit nga programi “Brain Gain”. Ndërkohë që të njëjta rregulla duhet të zbatohen edhe nga universitetet private për punësimin e pedagogëve.



Ndarja e personelit akademik sipas kategorive

Kategoritë e personelit akademik ndahen në nivele. Kjo ndarje bëhet për shpërndarjen e personelit akademik në universitete, sipas vendeve të punës, që ka çdo njësi, mbështetur në veprimtarinë, që do të zhvillojë dhe kualifikimin e kërkuar.



Kategoria “Profesor”

Kategoria “Profesor” përfshin personelin akademik, i cili është titullar lëndësh ose modulesh e udhëheqës i veprimtarisë së kërkimit shkencor, përkatësisht, nga nivelet a/1 “Profesori” dhe a/2 “Profesori i asociuar”.

Niveli a/1 “Profesori”:

I cili është titullar i disiplinave/moduleve, në programe studimi, kryesisht të ciklit të dytë e të tretë, dhe i komisioneve të provimeve, në të gjitha ciklet e studimeve, udhëheq studentët në përgatitjen e tezave të diplomave, në të gjitha ciklet e studimeve, detajon hartimin e dokumentacioneve kryesore, shkollore dhe kurrikulare; Drejton veprimtarinë e kërkimit dhe transferimit të teknologjive, drejton grupin kërkimor, udhëheq tezat e doktoraturës, për përgatitjen e kërkuesve të rinj etj; Merr pjesë aktive në drejtimin dhe zhvillimin e institucionit të arsimit të lartë e të njësive të tij, si dhe jep ndihmesë profesionale, për çështjet e arsimit e të shkencës, në shkallë vendi. Niveli a/1 kërkon personel akademik, me titullin “Akademik” ose “Profesor”, i cili e ushtron veprimtarinë mësimore e kërkuese në institucionet e arsimit të lartë.

Niveli a/2 “Profesori i asociuar”:

I cili është titullar i disiplinave/moduleve e i komisioneve të provimeve, në të gjitha ciklet e studimeve, udhëheq studentët në përgatitjen e tezave të diplomave të studimeve, të ciklit të parë dhe të dytë, merr pjesë në hartimin e dokumentacioneve kryesore, shkollore e kurrikulare, dhe në drejtimin e procesit mësimor; Kryen veprimtari të pavarura të kërkimit shkencor, të zhvillimit dhe të transferimit të teknologjive e njohurive dhe jep ndihmesën e vet në përgatitjen e kërkuesve etj; Mund të jetë edhe udhëheqës i tezave të doktoratës, kur këshilli i profesorëve të fakultetit jep pëlqimin, mbështetur në veprimtarinë e akademike të udhëheqësit dhe në natyrën e temës së disertacionit të doktoratës, që propozohet; Merr pjesë në drejtimin dhe zhvillimin e institucioneve të arsimit të lartë dhe të njësive të tij, si dhe ofron ndihmesë profesionale, për çështjet e arsimit dhe shkencës, në shkallë vendi etj. Niveli a/2 kërkon personel akademik, me titullin “Profesor i asociuar”, i cili e ushtron veprimtarinë mësimore e kërkuese në institucionet e arsimit të lartë. Personeli akademik, me titullin “Profesor emeritus”, përbëhet nga personel akademik, i dalë në pension, me kontribute të spikatura në mësimdhënie, kërkim apo në shërbim të institucionit dhe që e ka fituar këtë titull, në përputhje me përcaktimet e tjera nënligjore. Ky personel ftohet në institucionet e arsimit të lartë për elemente të veçanta të veprimtarisë, të përmendura më sipër, si detyra e nivelit a/1 dhe a/2.



Kategoria “Docentë”

Kategoria “Docentë” përfshin personelin akademik, që zhvillon, kryesisht, veprimtari mësimore dhe ka titullin “Docent” ose gradën shkencore “Doktor”. Kjo kategori përbëhet, përkatësisht, nga nivelet b/1 “Docenti”, b/2 “Lektori i parë”/”Kërkuesi i parë”.

Niveli b/1 “Docenti” kryen këto veprimtari:

Jep mësim, në mënyrë të pavarur, në të gjitha programet e studimit, të ciklit të parë dhe të dytë, si dhe, nën drejtimin e personelit akademik, të nivelit a/1 e a/2, në programet e studimit të ciklit të tretë. Ai mund të jetë anëtar në komisionet e provimeve, në të gjitha ciklet e studimeve, si dhe udhëheqës i studentëve në përgatitjen e tezave të diplomave, të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve; Harton programe mësimore të studimit të ciklit të parë, merr pjesë në hartimin e programeve mësimore studimi të ciklit të dytë e të tretë dhe për zhvillimin e teknikave e të teknologjive të reja në mësimdhënie etj; Merr pjesë në programe kërkimi, zhvillimi dhe transferimi të teknologjive e njohurive, në botime profesionale dhe të mësimdhënies etj; Merr pjesë në drejtimin dhe zhvillimin e institucioneve të arsimit të lartë e të njësive të tij në udhëheqje e këshillim karriere për grupe studentësh etj;

Niveli b/1 kërkon personel akademik me titullin “Docent”, që ushtron veprimtarinë në institucionet e arsimit të lartë.

Niveli b/2 “Lektori i parë”/”Kërkuesi i parë” kryen këto veprimtari:

Jep mësim, në mënyrë të pavarur, në programe të studimit, të ciklit të parë dhe të dytë, harton dokumentacionet e programeve të studimit e të programeve disiplinore. Merr pjesë në programe e projekte kërkimore, të zhvillimit dhe të transferimi të teknologjive, në kërkim të pavarur, në botime shkencore dhe profesionale etj; Merr pjesë në drejtimin dhe zhvillimin e institucioneve të arsimit të lartë e të njësive të tij në tutorët e këshillim karriere, për grupe studentësh etj; Niveli b/2 kërkon personel akademik, me gradën shkencore “Doktor”, që e ushtron veprimtarinë në fakultete, dhe quhet “Lektor i parë” ose në institute e qendra kërkimi dhe zhvillimi, që quhet “Kërkues i parë”. Ky nivel zbatohet edhe për personelin akademik, të punësuar në drejtimet e studimeve universitare, në fushën e shëndetësisë, i cili ka kryer studimet specializuese afatgjata dhe ka, së paku, 2 vjet përvojë pune si specialist në fushën përkatëse.



Kategoria “Lektorë”

Kategoria “Lektorë” për bëhet nga niveli: c/1 “Lektori”/”Kërkuesi”, i cili kryen këto veprimtari: Jep mësim në programe të studimit universitar të ciklit të parë dhe në programe të studimit jouniversitar, merr pjesë në hartimin e dokumentacioneve kurrikulare të programeve të studimit të ciklit të parë, nën drejtimin e personelit akademik, të niveleve a/1, a/2, dhe/ose b/1, b/2, si dhe në procese të tjera, të cilat përputhen me formimin e tij etj; Jep mësim nën drejtimin e personelit akademik, së paku, të një kategorie mbi të, në programet e studimit në ciklin e dytë (DND) ose, në mënyrë të pavarur, në master i nivelit të parë (MNP); Merr pjesë në projektet kërkimore të institucionit, në programet rajonale të zhvillimit dhe transferimit të teknologjive etj; Merr pjesë në komisione provimesh, në monitorime, tutorët dhe këshillim karriere, për studentë e grupe studentësh etj. Niveli c/1 e ushtron veprimtarinë në fakultete dhe quhet “Lektor” ose në institute e qendra kërkimi dhe zhvillimi, dhe quhet “Kërkues”.







1 Gusht 2009