Si do të hartohet testi përfundimtar dhe çfarë do të përmbajë ai. Procedura e vlerësimit të testeve dhe ankimimi i rezultateve


Jonida Tashi



Zbardhet rregullorja e plotë mbi bazën e së cilës do të kryhet procesi i testimit të mësuesve për kualifikim. Në këtë rregullore janë përcaktuar të gjitha procedurat që do të ndiqen për procesin e testimit të mësuesve në muajin mars. Provimeve të kualifikimit do t’u nënshtrohen vetëm punonjësit, të cilët deri më datë 31 dhjetor 2008 plotësojnë vjetërsinë e nevojshme të punës në arsim. Përkatësisht, vjetërsia e punës, e përcaktuar sipas tri shkallëve të kualifikimit është: nga 5 deri në 9 vjet për shkallën e tretë të kualifikimit; nga 10 deri në 19 vjet për shkallën e dytë të kualifikimit; 20 e më shumë vjet për shkallën e parë të kualifikimit. Në provimin e kualifikimit mësuesit do të vlerësohen për: zotërimin e programeve lëndore, zotërimin e anës shkencore të lëndës shkollore, zotërimin e anës metodike të lëndës. Provimi me shkrim do të zhvillohet në salla të përshtatshme. Në sallën e provimit me shkrim kandidatët duhet të qëndrojnë jo më pak se 2 metra larg njëri-tjetrit. Në një sallë provimi me shkrim administrojnë jo më pak se dy veta. Numri i kandidatëve për administratorë është jo më i madh se 1 me 20 kandidatë. Në ditën e provimit me shkrim, në godinën ku zhvillohet provimi, nuk do të zhvillohet asnjë veprimtari tjetër. Në mjedisin e provimit lejohen të hyjnë ose të qëndrojnë vetëm përgjegjësi i administrimit të provimit, administratorët, personat e autorizuar nga Ministria e Arsimit dhe Instituti i Kualifikimit dhe Trajnimit. Ndërsa përsa i përket aspektit financiar, në rregullore është përcaktuar që kandidatët i mbulojnë vetë shpenzimet e udhëtimit dhe të akomodimit për të marrë pjesë në provim. Shpenzimet për administratorët mbulohen nga IKT-ja.

Testi

Testi përfundimtar me të cilin mësuesit do të testojnë njohuritë e tyre do të hartohet nga një specialist ose mësues, i cili nuk ka marrë pjesë në hartimin e fondit të kërkesave të një provimi. Hartuesit e testit përfundimtar mbajnë përgjegjësi ligjore për ruajtjen e sekretit. Drejtori i IKT-së i dorëzon me procesverbal drejtorit të DAR-së ose një punonjësi të autorizuar prej tij (në vazhdim “përfaqësuesi lokal”) pakon përkatëse të fletë-testeve. Në prani të marrjes në dorëzim të pakos së fletë-testeve (në vazhdim “pako”) është një punonjës i MASH-it, i cili përfaqëson Ministrinë në zhvillimin e testimit në qytetin ku do të zhvillohet. Pakoja do të përmbajë aq fletë-teste sa është numri përkatës i kandidatëve. Pakoja do të mbërrijë në ???????????DAR-të përkatëse jo më vonë se 1 orë para fillimit të provimit. Pakoja dërgohet nga drejtoritë arsimore drejtpërdrejt në mjedisin ku do të zhvillohet provimi të paktën 30 minuta para fillimit të provimit dhe i dorëzohet menjëherë me procesverbal përgjegjësit të administrimit të provimit. Pas marrjes së testeve administratori u shpërndan kandidatëve fletë-testet. Me marrjen e fletëve të testit kandidati plotëson faqen e parë me të dhënat vetjake dhe e mbyll në zarf. Me përfundimin e provimit kandidati bashkon me një kapëse fletët e tij të testit me zarfin dhe i dorëzon te administratori. Përgjegjësi i administrimit të provimit shënon të njëjtin numër si te zarfi edhe te fletë-testi, sipas një kodi të përcaktuar nga IKT-ja. Pas kësaj, të gjitha zarfet futen në një ose në disa zarfe të mëdhenj dhe pasi mbyllen me ngjitëse, vulosen nga drejtori i DAR-së me vulën përkatëse të institucionit që drejton. Pakoja dërgohet në IKT brenda ditës nga përfaqësuesi qendror dhe ai lokal. Pakoja i dorëzohet me procesverbal drejtorit të IKT-së. Në rast se ndonjë kandidat mungon, administratori e mbyll në një zarf fletë-testin e tepërt dhe e vendos në të njëjtën pako në të cilën do të mblidhen fletë-testet me përgjigjet e pjesëmarrësve në provim. Kandidati nuk lejohet: të shkruajë në fletën e provimit ndonjë shënim tjetër përveç atyre që kërkon testi; të mbajë celular; të ketë libra, fletore ose fletë të bardha. Kutia hapet në IKT, në prani të drejtorit të saj dhe të komisionit përkatës të vlerësimit vetëm pasi të ketë përfunduar vlerësimi me pikë i të gjithë kandidatëve. Drejtori i Drejtorisë së Menaxhimit të Përditshëm në MASH, drejtori i IKT-së, drejtori i drejtorisë arsimore, si dhe përgjegjësi i administrimit të provimit dhe administratorët ndëshkohen me masë disiplinore nga organi i emërtesës, nëse nuk e zbatojnë këtë rregullore. Pjesëmarrësit në provime, që kanë dhënë ose kanë marrë kopje sipas pohimit të komisionit të shqyrtimit të testeve, ndëshkohen me mosmarrje të shkallës së kualifikimit. Mësuesit e ndëshkuar me mosmarrje të shkallës së kualifikimit, për arsye të përjashtimit nga provimi ose të kopjimit kanë të drejtë të aplikojnë për kategorinë e pretenduar jo më parë se dy vjet.



Rastet kur mësuesit kanë të drejtë të ankimojnë



Brenda pesë ditëve nga data e provimit, pjesëmarrësi

në provim ka të drejtë t’i ankohet zyrtarisht drejtorit të

DAR-së përkatëse jo vetëm për parregullsi në procedurat e zhvillimit të provimit, por edhe për ndëshkimet që mund të ketë pësuar nga administratori ose përgjegjësi i administrimit të provimit. Drejtori i DAR-së, të cilit i është drejtuar ankesa, duhet t’i dorëzojë ankuesit përgjigjen zyrtare brenda pesë ditëve nga data e dorëzimit të ankesës. Nëse ankuesi nuk e merr përgjigjen brenda afatit ose gjykon që përgjigjja është e pamjaftueshme për të, ka të drejtë t’i drejtohet zyrtarisht drejtorit të IKT-së brenda pesë ditëve nga data e përgjigjes së marrë nga DAR. Gjithashtu, drejtori i IKT-së duhet t’i nisë përgjigjen ankuesit brenda dhjetë ditëve nga data e marrjes në dorëzim të ankesës. Nëse një pjesëmarrës në provim nuk e pranon rezultatin e provimit, ai duhet t’i nisë drejtorit të IKT-së kërkesën për t’u njohur me qortimin e testit të tij. Pas depozitimit të kërkesës, IKT-ja i dorëzon ose i dërgon ankuesit një fotokopje të testit të tij, kundrejt një pagese prej 300 lekësh. Nëse ankesa e pjesëmarrësit në provim gjykohet e drejtë nga vlerësues të ngarkuar nga drejtori i IKT-së, testi i ankuesit rivlerësohet. Nëse edhe pas kësaj procedure ankimimi, një ankues nuk është i kënaqur me përgjigjen përfundimtare të IKT-së, ai ka të drejtën e ankimimit në DMP në MASH.







Procedurat që do të ndiqen për vlerësimin e testit





Vlerësimi i të gjitha testeve do të kryhet në Tiranë, pranë IKT-së. Komisionet e Vlerësimit ngrihen me urdhër të drejtorit të IKT-së. Anëtari i një komisioni vlerësimi nënshkruan paraprakisht një kontratë me drejtorin e IKT-së, në të cilin përshkruhen detyrimet reciproke. Anëtar i komisionit të vlerësimit është: punonjës i IKT-së ose i AVA-s, i cili është diplomuar në lëndën përkatëse, është autor i programeve lëndore ose i teksteve përkatëse lëndore. Mësues, që nuk është kandidat për kualifikimin 2008. Për çdo lëndë ngrihet një komision i përbërë nga tre veta. Vlerësimi i përgjigjes së kandidatit bëhet me pikë. Vlerësuesit veçojnë testet e dyshuara për kopjim. Shuma e pikëve të një kandidati shënohet në krye të fletë-testit të tij dhe firmoset nga të tre vlerësuesit. Kurse komisioni i shqyrtimit të testeve do të përbëhet nga pesë veta. Komisioni i shqyrtimit të testeve: shqyrton testet e dyshuara për kopjim; veçon, me shumicë votash, testet në të cilat është kopjuar; anëtari i komisionit të shqyrtimit të testeve nënshkruan paraprakisht një kontratë me drejtorin e IKT-së në të cilin përshkruhen detyrimet reciproke.

Anëtar i komisionit të shqyrtimit të testeve është: Punonjësi i IKT-së ose i AVA-s, i cili është diplomuar në lëndën përkatëse, është autor i programeve lëndore ose i teksteve përkatëse lëndore; mësues, që nuk është kandidat për kualifikimin 2008.















17 Dhjetor 2008