muliNga Lindita Çela


Flamur Bonjaku, në bazë të regjistrit të zgjedhjeve, do të votojë në qendrën e votimin nr 647.  Është qendra që përmbledh Bashkinë e Kukësit, e sipas adresës, Flamuri jeton në bllokun e pallateve, pas Prefekturës, në qendër të qytetit. Në Kukës nuk është aspak e vështirë të mësosh për familjen Bonjaku. Kuksianët e vjetër e dinë mirë historinë e këtij fisi, e të flasin për orë të tëra. Pak kohë, pas vendosjes së komunizmit, u fol gjatë për arratinë e  burrave të këtij fisi. Kanë ikur nga Shqipëria që në vitin 1946-të e  kurrë më nuk kanë vënë më këmbë në Kukës. Të kërkosh shtëpinë e Bonjakëve është sfilitje e kotë. Qoftë dhe fëmijët, të thonë se Flamuri jeton në  Gjakovë, edhe pse në listën e zgjedhësve rezultojnë 7 votues nga kjo familje. Fisi Bonjaku nuk është habia e vetme që kanë listat zgjedhore në Kukës.  Dashamir Arsenov është një tjetër çudi elektorale. Vendasit shqyejnë sytë, pasi kurrë në qytetin e tyre nuk ka patur familje, që së paku nga mbiemri, të ketë prejardhjen bulldare. Përveç, emërit që ekziston në listën zgjedhore, askush nuk di se kush është dhe ku jeton Dashamir Arsenov. Këto nuk janë anomalitë e vetme që kanë listat zgjedhore në  Kukës. Vetëm për qendrën e votimin nr 647  janë rrreth 180 persona që askush nuk i njeh, por që në bazë të listës zgjedhore, do të jenë votues kuksianë për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.


Votues nga Tirana, Durrësi, Kavaja e Lushnja


Po ti hedhësh një sy listave paraprake të votimit në Kukës, të duket se e gjithë Shqipëria do të shkulet për të votuar më 23 qershor, aty. Në anën e djathtë të listave janë shkruar adresat e zgjedhësve, ku krahas qendrave të votimit tregohet se votuesit jetojnë në Tiranë, Durrës,  Kavajë, Rrogozhinë, Lushnje e deri në Vlorë, si Shkukri Mustafa. Lista e votuesve, me vendbanime në qytete të ndryshme të vendit, është aq e gjatë, sa nuk ke zgjidhje tjetër numërimi veçse ti besosh shifrave të ofruara nga Partia Socialiste e qytetit të Kukësit. Sekretari  organizativ i  kësaj partie, thotë se ka dyshime, që së paku 8 mijë veta, të jenë shtuar në listat zgjedhore për qarkun e  Kukësit. Rozaf Sopaj të thotë se në listat paraprake ka të shtuar fiktiv, njerëz që askush nuk i njeh e që janë regjistruar kohët e fundit në Kukës. Në ndryshim me vitet e tjera, është bërë kujdes që nga listat të hiqen të vdekurit por në zona të caktuara thuajse është dyfishuar numëri i zgjedhësve. Megjithatë shqetësimi unë më i madh është se, në bazë të informacioneve që kemi, po punohet me dy lista, ku ajo me anomalitë më të mëdha, do të bëhet prezent ditën e zgjedhjeve- të thotë sekretari organizativ i Partisë Socialiste. Në fakt, për tu regjistruar si banor i Kukësit, të mjafton një kontratë qiraje.  Kushdo, pas një aplikimi në zyrat e gjendjes civile, e sheh veten menjeherë në listat e zgjedhësve. Por ndërsa  listat fiktive shqetësojnë opozitën, zyrtarë të pushtetit vendor në Kukës janë krejtësisht të qetë. Me argumentin se listat po rishikohen e po punohet për të hequr dublimet, apo edhe ato pak të vdekur që kanë mbetur në lista, i vënë kapak çështjes. Në Bashkinë e Kukësit, zyrtarisht, askush nuk pranon të flasë për këtë çështje. Listat po verifikohen, dhe çdo fjalë e thënë nga zv.ministri i Brendshëm, Fredinant Pone, është fuqi-plotë për punonjësit e Bashkisë.


‘Hamshorët’ e Mulit, banorë të Bathores, Paskuqanit, Domjes e Saukut


Kur debati për rritjen në mënyrë të pashpjegueshme të zgjedhësve në Kukës, thuajse po krijonte konfliktin e rradhës në politikën shqiptare, Ministri i Brendshëm dha një shpjegimim, që nuk i shkonte dhe aq për hirë pozicionit, por që ishte tipike shpjegim i Mulit.  Banorët e Topojanit, aty ku dyshohet të ketë një dyfishim të listës zgjedhore, janë hamshorë, e për këtë Muli nuk kishte asnjë faj. Kështu, Flamuri i  vuri kapak çështjes së shtimit të numrit, në mënyrë të çuditshme, të  zgjedhësve në zonën ku ai ka lindur. Por në Topojan, thuajse është e pamundur të shkosh, nëse nuk ke një makinë foristradë.  Megjithëse, në shtator të vitit 2012  Benet Beci, në cilësinë e drejtorit të Fondit të Zhvillimit, inaguroi rrugën Kukës- Shishtaves, ku 25 kilometra duhet të lidhnin 19 fshtrat e komunave,  Zapot, Topojan e Shistavec, në  fakt vetëm 5 kilometra rrugë janë shtruar. Pjesa tjetër e rrugëtimit,  drejtë Topojanit e Novoselës, është e pakalueshme nga gropat e shtullungat e tymit që mbulojnë rrugën bëjnë që gjithçka aty të duket pjellë e mjerimit. Shtëpi të rrënuara, burra të veshur keq, e që veç kockave nuk kanë asgjë pas shpirtit, e fytyrat e zhubrosura nga dielli të grave, të bëjnë të ikësh një orë e më parë nga ky vend. Por, pikërisht në këtë komunë, ku gjindja e mban frymën kryesisht me gjënë e gjallë, vetëm për këtë vit rezultojnë të jenë shtuar në listat e zgjedhësve 270 persona.  Por nëse, do të llogarisim dhe shitmin e popullësisë në Zapot dhe  Shishtavec, përfaqësuesit e opozitës thonë se numri shkon në  600 persona. Por, po të shkosh në Topojan e kupton që gjindja aty nuk është shtuar si rezultat i pjellshmërisë së burrave dhe grave, ashtu si dhe Muli tha. Përkundrazi. Në të vërtetë njerëzit kanë marrë arratinë për një jetë më të mirë, ku  mundën, veç aty ku nuk ka rrugë, ambulancë e ujë, të mos jetojnë 24 orë.  Topojanët i sheh në të rrallë ndërkohë që në bazë të listave zgjedhore kupton se  banorë të Bathorës, Paskuqanit, Domjes, Saukut janë kthyer vetëm me letra në qendrat e votimit. Kështu ka berë Isamil Aliaj që është banor i Bathores sëbashku me 20 anëtarët e fisit të tij. Me letra rezulton në Topojan dhe fisi Dafku, ku llogariten 60-të votues.  Fisi Ismaili me 40 votues. Zyberajt me 30 votues, të gjithë të vendosur  në qendrat e votimit 668-669- 670 -671 në Topojan. Vetëm për këtë komunë, lista e të shtuarve është 270  persona. Referuar, po listës së zgjedhjeve, të gjthë këto votues janë banues në  Paskuqan, Bathore, Surel, Sauk apo dhe Domje. Ndaj po të kërkosh në Topojan për Ismail Aliajn do të shkoj dita kot. Në fshat nuk gjendet as Karafil Dafku, Jahir Ismaili, Ylber Zyberaj apo çdo kush tjetër nga lista që Muli thotë se falë potencës së tyre kanë shtuar numrin e popullsisë në Topojan.  Hamshorët, aty jo vetëm që nuk ekzistojnë, por mjafton që të kapërcesh ato pak  kilometra që ka asfaltuar Benet Beci, për të parë që në Topojan  jetojnë një grusht njerëzish. Aty kanë mbetur ata më mjeranët, me të pa përkrahurit, kanë mbetur ata që nuk kanë pasur fuqi as të marrin arratinë nga i vend që krenari të vetme kanë Flamur Nokën.