Autori i Lajmit: Entela Duraj
Profesorët e Universitetit të Tiranës janë bashkuar me të njëjtin mendim, se aplikimi i Kartës së Bolonjës po shfaq probleme, kryesisht në ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve, ndaj dhe shtrohet nevoja e rishikimit të ligjit për arsimin e lartë. Për të njëjtën arsye janë zhvilluar muajt e fundit edhe grevat e studentëve në disa fakultete të UT-së. Dje, gjatë një tryeze të rrumbullakët mbi “Implementimin e Kartës së Bolonjës në Arsimin e Lartë në Shqipëri”, rektori i Universitetit të Tiranës, prof.dr. Dhori Kule, shtroi disa nga problematikat që janë shfaqur gjatë këtyre viteve në aplikimin e këtij sistemi. Sipas Kules, disa nene të Ligjit të Arsimit të Lartë bien ndesh me kërkesat e implementimit të Kartës së Bolonjës, çka vështirëson edhe reformimin e plotë të universiteteve.



Rektori Kule



“Ligji për Arsimin e Lartë nuk përputhet me Kartën e Bolonjës, ndaj dhe aplikimi po shoqërohet me probleme. Ngërci në implementimin e ciklit të dytë dhe të tretë, si dhe financimi i universiteteve janë disa nga problematikat. Ka mospërshtatje sipas Bolonjës të cikleve të studimit. Ministrat kur kanë nënshkruar, kanë nënshkruar që cikli i parë i studimeve është të paktën tre vjet. Asnjë vend tjetër nuk e ka parashikuar që të jetë domosdoshmërisht dhe saktësisht tre vjet cikli i parë i studimeve. Kemi gjetur tashmë edhe përkrahje dhe mbështetje edhe nga MASH për të bërë rishikimet përkatëse të ligjit që të vijnë në përputhje me implementimin e procesit të Bolonjës",- tha Dhori Kule, rektor i Universitetit të Tiranës.



Autonomia financiare



Një tjetër problem, sipas rektorit të Universitetit të Tiranës, është financimi i universiteteve. Sipas Dhori Kules, për të përballuar financiarisht studimet duhet ndarë cikli i parë 3-vjeçar nga cikli i dytë dhe i tretë i studimeve. Pra ciklet e studimit nuk mund të përballohen vetëm me buxhetin e shtetit. Ciklet e dyta dhe të treta ka propozuar rektori Kule, duhet të menaxhohen nëpërmjet buxheteve të vetë universiteteve. "Ne kemi përqafuar masivizimin me të dy aktorët, universitetet publike dhe jo publike, por masivizimi në vetvete, nëse numri i studentëve në universitetet publike është dyfishuar kjo kërkon njëkohësisht dyfishim të buxhetit të shtetit",- vijoi Kule.



Dekani Rrokaj



Ndërsa dekani i Fakultetit Histori-Filologji, Shezai Rrokaj, shtoi: “Vetë universitetet, ashtu sikurse premtoi kryeministri, duhet të kenë buxhetin e vet jashtë ngarkesës mësimore. Universitetet kanë fituar diçka nga autonomia, po janë larg meritimit për vendimmarrje. Kjo ka të bëjë me mënyrën se si miratohen stafet akademike, si miratohen strukturat, tarifat, se si miratohen kuotat me politikat që bën shteti që nuk i subvencionon në universitet”.

Para disa kohësh komuniteti i profesoratit dhe drejtuesit e universiteteve e fakulteteve kundërshtuan miratimin e ligjit të arsimit të lartë, pasi disa nene të tij cenonin rëndë autonominë e universiteteve. Dje në tryezën e rrumbullakët “Implementimi i Kartës së Bolonjës në Shqipëri”, organizuar nga Këshilli Studentor i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe Histori- Filologji, ishin të pranishëm zv.ministrja e Arsimit, Nora Malaj, zv. ambasadori italian në Shqipëri, rektorë, dekanë dhe studentë. Në vitin 2003, vende si Shqipëria dhe Serbia iu bashkuan Kartës së Bolonjës, ndërkohë që nga një studim i vitit 2004, është konstatuar se vetëm 33% e studentëve e kishin pranuar Kartën e Bolonjës, si një proces integrimi dhe liberalizimi për universitetet.

Ky lajm është publikuar: 17/11/2009