Në botë lazeri përdoret për trajtimin e ndryshimeve dhe sëmundjeve të ndryshme të lëkurës





Në përgjithësi ato janë: normale, e yndyrshme, e thatë dhe e kombinuar. Ato përcaktohen në vartësi të nivelit të yndyrës dhe thatësisë. Zakonisht tipi i lëkurës varet nga madhësia e poreve. Lëkura normale ka një përbërje të ekuilibruar uji dhe yndyre. Poret janë mesatare. Lëkura e yndyrshme ka një teksturë të trashë. Zakonisht zonat yndyrore shkëlqejnë. Fytyra e yndyrshme rezulton nga ekzistenca e gjëndrave dhjamore hiperaktive, yndyra shkakton mbajtjen e qelizave të vdekura në folikujt e qimeve. Poret janë më të mëdha. Lëkura e thatë ka një teksturë të ashpër. Nuk ka zona të ndritshme, në të kundërt lëkura duket e fjetur. Poret janë zakonisht të vogla sepse sasia e yndyrës është e pakët. Me kalimin e moshës, lëkura e thatë është e prirur të krijojë rrudha. Lëkura e kombinuar është një përzierje midis zonave të thata e të yndyrshme në shkallë të ndryshme. Zakonisht zona T, (balli, hunda dhe mjekra) janë të yndyrshme, ndërsa mollëzat dhe qafa janë të thata.


Lazeri


Lazerët kanë gjetur aplikim për më shumë se 20 vjet, për trajtimin e ndryshimeve dhe sëmundjeve të ndryshme të lëkurës. Në botë është në ekspansion prodhimi dhe aplikimi i tyre, duke e pasur parasysh suksesin e arritur në trajtimin e problemeve të lëkurës, në mënyrë më të thjeshtë, më të shpejtë dhe me sukses permanent.




















Person kompetent për trajtim me lazer të ndryshimeve në lëkurë është vetëm dermatologu i trajnuar për punë me të. Në duart e tij ky aparat shndërrohet në mjet adekuat dhe jo të rrezikshëm për manipulim dhe në këtë mënyrë evitohen dëmtimet e lëkurës të shkaktuara nga përdorimi i lazerit nga personat jokompetentë. Principi i punës së lazerëve konsiston në rrezet që lëshohen nga kristalet e ndryshme, rrezet intensive pulsuese të dritës si dhe radiovalët, të cilat kanë efekte të mrekullueshme.





Në kohën e fundit, si më të suksesshme janë aparaturat (IPL) me kombinim rrezesh me efekte të shumëllojta dhe me gjatësi të ndryshme valore, dhe diapazon më të gjerë veprimesh, përkundër atyre me njëlloj rrezesh dhe me efekte të mjaftuara dhe të kënaqshme, por me diapazon më të ngushtë veprimesh. Lazerët në dermatologji kanë gjetur aplikim kryesisht te çrregullimet vaskulare më tepër beninje: si teleangiectazite (kapilarët e zgjeruar deri në 3 mm), nevus flameus, poikilodermia, rosacea, angiomat, spidernevuset dhe skuqjet e ndryshme të lëkurës së fytyrës dhe qafës, e më pak te format e rënda si hemangiomat dhe kapilarët e mëdhenj në ekstremitete.











Shumë të suksesshëm janë treguar në eliminimin e pasojave të dëmtimit të lëkurës nga rrezet e diellit si hiperpigmentimet, elastozën, duke bërë freskimin e lëkurës së fytyrës dhe tërheqjen e saj dhe me atë edhe zbutjen e rrudhave. I suksesshëm është treguar sidomos te depilimi permanent (heqja permanente) i qimeve të fytyrës dhe trupit si tek femrat ashtu edhe tek meshkujt. Efekte të mjaftuar ka treguar edhe në heqjen e tatuazheve, eliminimin e akneve dhe poreve të zgjeruara, përmirësimin e sëmundjeve si psoriasa vulgare, leukodermitë e ndryshme, ndërsa më pak i suksesshëm është treguar tek vitiligo. Disa nga lazerët mund të bëjnë ablacionin (djegien) e shtresave sipërfaqësore të lëkurës, me qëllim të heqjes së cikatrikseve (shenjave dhe vrajave) pas mjekimit të akneve.





Në përvojën mjekësore të aplikimit të lazerëve mund të thuhet se nënshtrimi i trajtimit me lazer, zakonisht ka rezultuar me arritjen e rezultateve të kënaqshme në trajtimin e qimeve, kapilarëve, skuqjeve të fytyrës, akneve dhe freskimit të lëkurës, por që të arrihet kjo duhet durim dhe qëndrueshmëri në trajtimet e përmuajshme ose 6 javësh, për të arritur qëllimin.


Pastrimi i fytyrës


Ky trajtim konsiston në mirëmbajtjen e lëkurës së fytyrës, pastrimin e qelizave të vdekura, heqjen e pikave të zeza, trajtimin e komedonëve, korrigjimin e ovalitetit dhe poreve të zmadhuara, skuqjeve masive, kompensimin e mungesave të lëkurës siç janë; mungesa e lagështirës, imuniteti i dobët, asfiksia etj. Pastrimi i fytyrës është një trajtim tradicional, tashmë i kompletuar falë aparaturave dhe produkteve profesionale që stimulon metabolizmin e lëkurës. Procesi përmban shumë faza, duke filluar nga pastrimi i lëkurës eksfolimi, trajtimi me avull, ozon, maska, serume, vakuum, lifting, e deri tek produktet finale dhe zgjat rreth 1 orë 30 minuta, kjo varet nga sasia e pikave të zeza. Ky trajtim është i përmuajshëm. Këtij trajtimi nuk mund t’i nënshtrohen gratë shtatzëna dhe ato që vuajnë nga sëmundje të zemrës. Gjithashtu nuk këshillohet edhe gjatë ciklit menstrual.


Ekzaminimi, domosdoshmëri


Vihet re një tendencë e klientëve. Ato janë të prirura të konsumojnë produkte shumë të kushtueshme, të blera me porosi jashtë shtetit. Cilësia kushton, por në këtë rast mungon sugjerimi i estetistes, i cili është i bazuar në njohuritë dhe eksperiencën e saj. Fytyra kërkon kujdes dhe ajo nuk mund të trajtohet me produkte të hamendshme ose të sugjeruara nga persona inkompetentë. Askush nuk është i aftë të përcaktojë karakteristikat e lëkurës së fytyrës me sy të lirë, madje as specialisti, pa ndihmën e skanerit të posaçëm, i cili plotëson të dhënat dhe është i pagabueshëm. Këtij ekzaminimi i nënshtrohen detyrimisht klientët që në takimin e parë. Lind nevoja që herë pas here të bëhet ky ekzaminim, sepse faktorë të ndryshëm ndikojnë ndjeshëm dhe lëkura e fytyrës mund të shfaqë probleme të paparashikuara. Nga eksperienca mund të them se në të gjitha ekzaminimet e fytyrave, janë konstatuar dy ose më shumë cilësi. Me sy të lirë mund të konstatojmë një fytyrë mikse ose të yndyrshme. Cilësitë e tjera që fsheh lëkura zbulohen me skaner, i cili i paraprin detyrimisht trajtimit. Nëse neglizhojmë këtë fakt, rrezikojmë të përdorim produkte të papërshtatshme që nuk e ndihmojnë lëkurën.