Pezmatimi reumatik i nyjeve trupore (kyçeve) ose ndryshe artriti reumatik (angl. rheumatoid arthritis) është një sëmundje malcuese që shpesh nis në nyjet e vogla, në duar dhe këmbë. Kyçet ënjten, të dhembin dhe në rastin e malcimit të madh ato bëhen të nxehta. Malcimi çon në sertësi në kyçe, sidomos kur njeriu çohet në mëngjes apo ka ndenjur në vend për një kohë të gjatë. Më e zakonshmja është që kyçet preken po aq shumë në të dyja anët e trupit. Malcimi nis në indet e kupës së kyçit. Nëse malcimi vazhdon për një kohë të gjatë mund të dëmtojë pjesë të ndryshme në kyç dhe rreth tij si kërcet e kyçit, kockat, gilcat dhe ligamentet. Lëvizshmëria në kyçe keqësohet dhe kyçi në disa raste mundet të keq-vendoset. Në raste të rralla mundet që edhe organe të tjera në trup të malcohen, si për shembull pleura, cipa e zemrës, enët e gjakut dhe sytë.

Gratë

Gratë preken në më tepër se dyfishin e rasteve sesa burrat. Artriti reumatik mund të shfaqet në të gjitha moshat, por mosha mesatare tek ata që sëmuren është 55 vjeç. Kjo sëmundje gjendet në të gjithë botën dhe është pothuajse njëlloj e zakonshme në të gjitha anët e botës. Studiuesit nuk kanë arritur akoma të sqarojnë shkaqet që çojnë në artritin reumatik. Me sa duket ka shumë faktorë që marrin pjesë. Është konstatuar se ka disa prirje të trashëgueshme që përbëjnë një rrezik më të madh për t'u kapur nga artriti reumatik. Rreziku për t'u kapur nga një variant më i rëndë i sëmundjes mund të jetë gjithashtu i trashëgueshëm. Tek dikush që ka prirje për t'u kapur nga kjo sëmundje mundet që disa lloj infektimesh të bëjnë që ajo të shpërthejë. Faktorët hormonalë, por edhe tuhatja mund të ndikojnë në të.

Mjekët

Sipas mjekësisë, artriti reumatik mund të vazhdojë gjatë gjithë jetës, por edhe mund të fshihet nga një kohë në tjetrën. Mjekët përpiqen që t'u pakësojnë dhembjet pacienteve të tyre si dhe të parandalojnë ndonjë paralizë të mundshme. Zakonisht, ata përdorin barna anti-malcim si aspirina etj, ushtrime fizike dhe deri në operim të kyçeve të deformuara për rregullimin apo edhe zëvendësimin e tyre me kyçe artificiale plastike apo prej ndonjë lënde tjetër. Për përcaktimin e sëmundjes kthehesh te doktori specialist reumatolog, dhe ai të përshkruan ilaçet dhe këshillat e nevojshme, të cilat nëse përdoren përkrah kurave popullore të mëposhtme ndihmojnë në luftën kundër sëmundjes.



Bimë mjekësore dhe këshilla të posaçme për artritin reumatik

1. Hithra

(Bimë e egër barishtore që në kërcellin e në gjethet e saj të dhëmbëzuara ka një push të imët djegës dhe që përdoret si bimë mjekësore e për ushqim.) Hithra përmban sasira të konsiderueshme të vitaminës A dhe C, vitaminë K, amin si histamina, serotoninë dhe minerale siç është hekuri shumë i rëndësishëm për organizmin e njeriut. Pra, për shkak të vlerave të shumta që ajo përmban dhe efektet e saj janë të menjëhershme. Në mjekësinë popullore hithra njihet si mbretëresha e bimëve mjekësore, për shkak të efekteve të saj pozitive në shërimin e disa sëmundjeve. Përdorimi i kësaj bime gjatë periudhës së pranverës ndihmon në pastrimin e gjakut dhe te të sëmurët me anemi. Këshillohet që gjatë kësaj kohe të konsumohet sa më shpesh bima e hithrës në formë sallate ose dhe e gatuar në supë ose byrek. Githashtu, mund të pihen 3 gota çaj në ditë nga kjo bimë. Për të përgatitur çajin nevojitet një lugë nga bima e tharë dhe e grimcuar. Kjo masë hidhet në një gotë me ujë të nxehtë dhe lihet në qetësi për 15 minuta. Më pas kullohet dhe pihet 3 herë në ditë nga një gotë. Një tjetër mënyrë për të shëruar dhimbjet e reumatizmës është edhe vendosja e bimës së freskët në kontakt të drejtpërdrejtë me lëkurën. Vendi i dhimbjes rrihet me bimën e freskët derisa të dallohet një si pullë gjaku. Efektet anësore të hithrës janë ende të panjohura. Por është thelbësisht e dëmshme të përdoret te personat, që kanë akumulime ujore si pasojë e aktivitetit të kufizuar të zemrës dhe veshkave, pasi është një çaj që nxit largimin e ujërave nga trupi.

2. Rigoni

Të gjithë i njohin vlerat e rigonit në gatim. Jo vetëm kaq, përveç shijes aq të mirë që u jep ushqimeve, është dhe mrekullia që bën kjo bimë edhe në mjekësinë popullore. Pjesa që ndihmon në kurimin e sëmundjeve është e gjithë bima, por mund të përdoren edhe gjethet e saj, të mbledhura gjatë kohës së lulëzimit nga qershori deri në shtator. Gjethet të jenë tharë në mjedis të mbyllur dhe të jenë grimcuar, pasi në këtë mënyrë vlerat e bimës nuk humbasin. Gjatë mbledhjes duhet pasur kujdes, pasi bima rritet e fshehur mes ferrave dhe pyjeve. Bima aromatike shpesh është me nuancë të kuqe të dobët. Gjethet i ka të holla dhe në formë vezake. Kërcelli i rigonit ka gjithmonë ngjyrë të gjelbër. Bima lulëzon nga muaji qershor deri në shtator dhe ka një lartësi deri në 15 centimetra. Gjendet në ferra e pyje. Për përgatitjen e çajit të rigonit, merr një lugë gjelle nga gjethet e tij të thara dhe i hedh në një gotë, pastaj në atë gotë hedh ujë të vluar dhe e lë 15 min. Pastaj e kullon dhe e pi, dy herë në ditë.

3. Farat e lules se diellit për vetë përmbajtjen e tyre, kanë veti anti-malcuese të kyçeve, më të fortë se ilaçi i njohur me emrin "Ibuprofen". Përvetësimi i 250 gram fara lule dielli është e barabartë me efektin e ilaçit me të mirë anti-malcues të kyçeve.

4.Qershia përmban magnezium dhe botacium, i pari konsiderohet asgjësues dhimbjesh ndërsa i dyti zvogëlues malcimi. Ngrenia e disa kokrrave në ditë do të mjaftonte, qoftë edhe të konservuara.

5. Ngrenia e peshkut dhe e vajit të peshkut bën dobi në kurimin e malcimit të kyçeve.

6. Gjethet dhe degët i "fierit" përdoret gjithashtu për kurimin e përdhesit (cermës) dhe reumatizmës. Pasi i pret degët e fierit në copa të vogla, i vendos mbi vendin e dhembjes dhe i lidh me një copë apo fasho. Në fillim dhembjet do të shtohen, por për një kohë të shkurtër ato do të eliminohen totalisht. Duhet pasur parasysh se fieri është dy llojesh: mashkull dhe femër. Fieri mashkull nuk ka gjethe, as degë, as lule dhe as kokrra, ndërsa fieri femër i ka këto dhe ky është për qëllim në këtë kurë.

7. Elimino lëvizjet apo qëndrimet që i shtojnë lodhjet kyçeve. Mos qëndro gjatë dhe pa lëvizur në një pozicion. Planifiko që me parë për shëtitjet dhe aktivitet e ndryshme dhe bëje jetën sa më të thjeshtë që të mundesh, sepse tensionet ndikojnë negativisht në sëmundjen tënde. Mos e lodh trupin dhe aq me tepër kyçet.

8. Dieta dhe ushtrimet: Nese keni artrit reumatik ju mund të humbni edhe oreksin ndoshta. Mund të ndjeheni të dobët dhe të pafuqishëm. Por për të ruajtur shëndetin tuaj dhe për ti mos lejuar simptomat që të përparojnë, ju duhet të mbani një dietë ushqimore të balancuar dhe të bëni ushtrime të lehta. Përpiquni të hani shumë fruta dhe perime. Përpiquni të shmangni dhjamëra, gjalp, qumësht të paskremuar, mish vici, derri, lope qingji. Duhet të hani me shumë peshk. Gjithashtu mund të hani pulë dhe gjeldeti. Përpiquni të konsumoni ushqime me pak kalori sepse kështu do të bini nga pesha që në fakt bën që të ulet pesha që duhet të përballojnë kycet tuaja. Ju duhet të merrni rregullisht vitamina sepse sëmundja juaj ju bën deficitar në disa lloj vitamish si psh: Vitamina D, që është shumë e rëndësishme për kockat. Gjithashtu duhet të merrni edhe kalcium.





24 Gusht 2010