09/12/2004  TIRANË – Para të pandehurit Astrit Kurmemaj dje, erdhën dy dëshmitarë. Kujtim Basha ka qenë në momentin e vrasjes së Luan Muçës, në datë 13 prill 2003, por shpjegoi se nuk ka njohur njeri, edhe pse ka parë dikë që kishte kaluar shumë shpejt. "Unë isha në dyqan, gati 30 metra nga vendi i ngjarjes. Dëgjova krisma dhe menjëherë u fsheha prapa frigoriferit. E di që u vra Luan Muça, që pak sekonda para se të shtrihej në rrugë më përshëndeti". Ndërsa dëshmitari i dytë, Fatos Prizreni, deklaroi se erdhi në gjykatë vetëm për të respektuar trupin gjykues. Ai është pronar i një lokali në Shkodër. Nga ky lokal, që në prill të vitit të kaluar nuk punohej, është qëlluar për vdekje Luan Muça. "Unë kam qenë në Greqi së bashku me gruan dhe lokalin e kam patur të mbyllur. Çelësat i kam patur vetëm unë. Nuk e di pse më kanë thirrur. Për vrasjen nuk kam dijeni". Kaq ishte dëshmia e Prizrenit. Për të dëshmuar është thirrur edhe shtetasi Leandro Matia, i cili në momentin e vrasjes ka qenë në dyqan, duke blerë një paketë. Por adresa e tij nuk gjendet. Dje u tha se dëshmitari ka shitur shtëpinë dhe është larguar nga Shkodra.