Ministria e Arsimit publikon variantin përfundimtar të udhëzimit “Për zbatimin e programeve dhe teksteve mësimore të arsimit parauniversitar”. Në të janë saktësuar të gjitha hapat për mbarëvjatjen e vitit shkollor 2009-2010. Me aplikimin e reformës së re në këtë sistem, risi do të ketë për nxënësit e gjimnazeve. Ata për herë të parë do të kenë lëndë me zgjedhje. Por edhe pse ka dy ditë që ka nisur shkolla, një pjesë e mirë e këtyre teksteve mungon. Nga sa bën me dije MASH është strukturuar tërësisht kurrikula, programet dhe standardet lëndore. Struktura e re kurrikulare e gjimnazit do të jetë e përbërë nga dy pjesë kryesore, kurrikula bërthamë dhe kurrikula me zgjedhje te detyruar dhe të lirë. “Kjo kurrikul sjell një konceptim të ri të procesit të mësimdhënies dhe mësimnxënies, duke synuar që sistemi arsimor shqiptar të përafrohet me atë ndërkombëtar në formë dhe përmbajtje”, sqarojnë specialistët e MASH. Sipas tyre, kurrikula me zgjedhje përfshin kurrikulën me zgjedhje të detyruar dhe kurrikulën me zgjedhje të lirë. Kurrikula me zgjedhje, në vitin e parë të gjimnazit do të përfshijë 9 lëndë. Ato janë përkatësisht Matematikë e avancuar, Letërsi e avancuar, Informatikë e avancuar, Trashëgimia jonë kulturore, Gjuhë e huaj (Anglisht, Frëngjisht, Italisht, Gjermanisht dhe Spanjisht) Lëndë me zgjedhje të lirë janë përforcimi në matematikë, letërsi, fizikë dhe biologji. Ndërkaq, nga sa bën me dije Ministria e Arsimit janë shtypur dhe po shpërndahen tekstet e reja shkollore për arsimin parauniversitar. Risi do të ketë dhe për nxënësit e klasave të VI-ta. Përveç gjuhës së huaj të parë të detyruar, ata do të kenë mundësi të mësojnë edhe një gjuhë të huaj të dytë fakultative (jo me detyrim). Mësimi do të zhvillohet mbi bazën e orëve ekstrakurrikulare. “Synimi i kësaj politike arsimore është shumëgjuhësia në shkollat e arsimit parauniversitar, mundësimi i mësimit të një gjuhe të huaj që në moshë sa më të vogël,(klasa III e CU) vijimësia e gjuhës (klasa VI) dhe mundësia e gjuhës së dytë në ciklet pasardhëse”, sqaron Ministria e Arsimit. Në këtë vit arsimor, në të gjithë shkollat 9-vjeçare do të mundësohet mësimdhënia e lëndës së informatikës.