21/11/2011  Ekspertët flasin me shembuj konkretë se cili mund të jetë investimi më i mirë


Të kursesh në një kohë kur çmimet janë rritur dhe jetesa është bërë tepër e vështirë në Shqipëri është një sfidë për çdo familje. Megjithatë, kultura e kursimit e ka karakterizuar familjen shqiptare ndër shekuj. Përpos të dhënave e të padhënave këtë e tregon fare mirë edhe niveli i depozitave bankare në vendin tonë, i cili vetëm në periudhën e krizës globale në vitet 2008-2009 pësoi një rënie për shkak të krizës së besimit. Dy vitet e fundit depozitat bankare janë rigjallëruar sërish. Shifrat tregojnë se niveli i depozitave të sistemit bankar deri në shtator 2011 është rritur me rreth 46 miliardë lekë ose me 5.3 për qind që nga fundi i tremujorit të kaluar. Totali i depozitave në sistem sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave ka arritur në 902,6 miliardë lekë, nga të cilat 778,14 miliardë lekë janë depozitat e individëve.


Depozitat, një pjesë nga emigracioni


Ecuria pozitive e depozitave të sistemit dëshmon për forcimin e besimit të publikut në sistem bankar, si dhe vazhdimin e një sjellje të kujdesshme të individëve për të shpenzuar, në kushtet e pasigurive të larta për të ardhmen. Madje këtë verë, sipas ekspertëve të bankave ka ndikuar në një masë të madhe edhe kriza në vendet fqinje si Greqia dhe Italia. Një pjesë e mirë e emigrantëve shqiptarë kanë sjellë kursimet e tyre në bankat vendase, duke i tërhequr prej sistemit bankar grek. Ekspertë të Bankës së Shqipërisë theksojnë se po balancohet pak a shumë niveli mes depozitave në monedhën vendase, dhe atyre në monedhë të huaj. Duke marrë parasysh dhe shifrat e pjesës së parë të vitit 2011, vërehet që balanca shkon më shumë të rritjes së depozitave në valutë të huaj. Të dhënat e marra nga bankat e nivelit të dytë tregojnë se janë të shumtë personat që kur hapin depozitat deklarojnë se burimi është emigracioni. Në dhjetor 2010 shifrat tregojnë se 51.2 për qind e depozitave janë në monedhën vendase dhe 48.8 për qind e tyre në valutë të huaj.


Ndryshimi thelbësor


Besueshmëria që ofron sistemi ynë bankar është njëra anë. Investimi për të ardhmen është një sfidë për të cilën duhet menduar sa je i ri, sepse sistemi ynë shtetëror i pensioneve nuk garanton të ardhura të mjaftueshme për të jetuar. Përpos kësaj skema shtetërore, në vendin tonë është futur edhe skema e pensioneve private. Prej më shumë se 4 vitesh ka nisur të marrë jetë i gjithë kuadri ligjor, i cili është plotësuar me rregulloret e nevojshme. Por ky treg ka mbetur ende i pazhvilluar. Në fakt është më mirë të investosh kursimet në një depozitë bankare apo në një fond privat. Ekspertët e bankave dhe të tregut të sigurimeve japin disa shembuj. Por në thelb ndryshimet kryesore mes një depozite bankare dhe një depozite individuale në një fond pensioni privat mbeten koha dhe interesat. Në një depozitë bankare interesat janë më të larta dhe investimi është më afatshkurtër, ndërsa në një depozitë individuale të një fondi pensioni privat interesat llogariten mbi gjithë shumën e depozituar përgjatë një kohe mbi 10-vjeçare kursimi. Interesat merren në formën e një pensioni mujor, ose e gjithë shuma menjëherë. Pra, nëse keni para dhe doni ti investoni për të ardhmen tuaj, duhet që të vlerësoni nëse doni që të merrni sa më shumë para në një kohë të ardhmen apo doni që të merrni interesat dhe ti investoni ato sërish deri në sa të plakeni.


Shqiptarët pak të interesuar ndaj sigurimit për moshën e tretë


Skema e pensioneve private, vetëm 6200 kontribues


Të investosh në një fond pensioni privat është një investim për të ardhmen. Nuk është një investim që mund të merret në një kohë të shkurtër si depozitat bankare, të cilat mund të merren me rrumbullakosjen e një viti, në momentin që ke nevojë për para. Pensioni privat është një kursim i më shumë se 10 apo 20 viteve, i cili përfitohet në mënyra të ndryshme në momentin e mbushjes së moshës për të dalë në pension. Më pak se 6 200 është numri i personave të përfshirë në skemat private të pensioneve në vendin tonë. Kur kursejmë, secili prej nesh heq dorë nga kryerja e shpenzimeve në këtë moment me qëllim që të ketë mundësi të shpenzojë në të ardhmen. Pra, duke kursyer ulim aftësinë për të shpenzuar sot duke rritur atë në të ardhme. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në tre kompanitë e pensioneve vullnetare që operojnë në vend, ka pasur rritje nga viti në vit, por sërish numri i kontribuesve është i vogël. Enkeleda Shehi, Drejtore e Departamentit të Kërkimeve dhe Statistikave, në këtë institucion është shprehur pak kohë më parë se për 9 muajt e 2011 janë siguruar 1 500 persona më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas drejtorit të Fondit Privat të Pensioneve në Kompaninë “Sigal”, Naim Hasa, pavarësisht përparësive që ka ky sistem, numri i personave të siguruar është ende i ulët, pasi ndikojnë politikat e ndjekura dhe mentaliteti i qytetarëve. Ndryshe nga vendet e zhvilluara, shqiptarët janë pak të tërhequr nga kjo formë e sigurimit të të ardhurave në moshën e tretë. Në total tregu i sigurimeve për periudhën janar-shtator 2011 ka pasur rritje me 4.73 për qind. Volumi i primeve të shkruara bruto është rritur me 295 567 mijë lekë dhe kap shifrën 6 538 457 mijë lekë. Ekspertët theksojnë se kur i investojmë kursimet duhet të kemi parasysh sigurinë e tyre, sa likuid është investimi dhe cili është fitimi i mundshëm prej tyre. Do të ishte shumë mirë që kursimet të ishin 100% të sigurta, tërësisht likuide dhe me fitim maksimal. Por një gjë e tillë nuk është e mundur.


Kur tërhiqni interesat në bankë për paratë e depozituara, 10% paguhet tatim për qeverinë


Depozita bankare, paratë


mund ti marrësh në çdo kohë


Kur i depozitojmë kursimet në banka, atëherë investimi është më pak likuid sepse nuk mund ti tërheqësh paratë në çdo kohë. Por rritet fitimi që ne marrim prej këtij investimi në formën e interesit të fituar. Sa më afatgjatë të jetë depozitimi, aq më shumë interes paguhet për të. Një arsye është se sa më afatgjatë depozitimi, aq më pak likuid bëhet investimi. P.sh., norma e interesit që paguhet për llogarinë rrjedhëse është më e vogël se ajo që paguhet për një depozitë më afat 1 vit sepse në rastin e parë paratë mund ti lëvizësh nga llogaria në çdo kohë, ndërsa në rastin e dytë duhet të respektosh afatin. Kur blejmë me kursimet prona të patundshme apo vepra arti, atëherë mundësia për ti konvertuar në para është më e ulët. Investime të tilla nuk janë shumë likuide.


Mos harroni interesin


Thuhet që me para mund të blesh gjithçka. Por edhe paraja vetë ka një çmim. Pikërisht çmimi që paguhet për përdorimin e parave të një tjetri për një farë kohe, quhet interes. Interesi që i paguhet dikujt, është kompensimi që ai merr meqenëse ka hequr dorë përkohësisht nga aftësia për ti shpenzuar paratë e tij. Pa interes pothuaj askush nuk do të ishte i gatshëm të jepte hua apo të depozitonte. Interesi përfaqëson edhe kosto, edhe të ardhur. Interesi është e ardhur për depozituesit (huadhënësit), të cilët heqin dorë nga shpenzimi i parave të tyre për një farë kohe. Interesi është kosto për huamarrësit. Duke ditur interesin çdokush mund të kuptojë se sa humbet nëse nuk i depoziton paratë në banka.


Si llogaritet interesi?


Zakonisht, normat e interesit shprehen në përqindje vjetore (për një vit). Meqenëse shprehen në përqindje vjetore, është e lehtë të krahasohen normat e interesit për lloje të ndryshme huash apo depozitash ose për të njëjtat lloje nga një bankë në tjetrën. Kur interesi llogaritet vetëm mbi shumën e marrë hua ose të depozituar në fillim, quhet interes i thjeshtë. Kur interesi llogaritet mbi shumën e marrë hua ose të depozituar në fillim, por edhe mbi interesin e mëparshëm, quhet interes i përbërë.


Interesi i përbërë


Interesi i përbërë e rrit gjendjen e depozitave më shpejt se sa interesi i thjeshtë. Sa më e lartë norma e interesit, aq më shpejt rritet gjendja e depozitave si pasojë e llogaritjes së interesit mbi interes. Kini parasysh, që të arrini të keni të plotë këtë përfitim, nuk duhet të bëni tërheqje nga llogaria. Nëse keni depozituar një shumë parash në bankë dhe doni të dini me përafërsi se për sa vjet do të dyfishohet ajo, bëhet një llogaritje shumë e thjeshtë.


Pjesëtohet numri 72 me normën e interesit të depozitës. P.sh., nëse norma e interesit është aktualisht 9% dhe depozitoni 100,000 lekë, atëherë për 8 vjet gjendja e llogarisë suaj do të arrijë afërsisht 200,000 lekë. Mos harroni, që kur tërhiqni interesat në bankë për paratë e depozituara, 10% do ta paguani si tatim për qeverinë. Shumë banka, kur ju japin hua, përdorin atë që quhet “metodë e skontimit” në llogaritjen e interesit. Sipas kësaj metode interesi, që duhet të paguajë huamarrësi, llogaritet dhe i mbahet qysh në fillim nga shuma e dhënë hua. Në këtë rast, norma reale e interesit të paguar për huanë është më e lartë se ajo që deklaron banka, pra kosto e huasë është më e madhe.


Kursimet të rëndësishme për ekonominë


Kursimet janë të rëndësishme për ekonominë shqiptare. Nëse nuk do të kurseheshin para, atëherë nuk do të kishte fonde në dispozicion për të blerë makineri, ndërtesa dhe të tjera pajisje të nevojshme për të zhvilluar ekonominë. Sepse për të ndërtuar, për të çelur një punishte apo fabrikë, duhen shumë para. Askush i vetëm nuk do të mund ti kishte këto para, por ato duhet të merren hua. Dhe, që të merren hua, duhet që dikush tjetër të kursejë. Kursimet e të gjithë popullsisë mblidhen nga bankat dhe institucione të tjera të specializuara dhe u jepen hua atyre që investojnë. Duke investuar krijohen vende pune, rriten të ardhurat dhe mirëqenia.


Shembull për depozitën


Keni depozituar para 5 vitesh, 100 mijë lekë me interes 9% në vit. Doni të tërhiqni gjithë depozitën dhe mendoni se shuma do të jetë 109 mijë lekë. Por në të vërtetë në depozitë do të keni më shumë: Do të keni 153 862 lekë, sepse keni fituar interes edhe prej interesit të depozituar.


Shembull për skemën e pensionit privat


Një grua që në moshën 39-vjeçare ka lidhur kontratë për të paguar 1 mijë euro në vit me dy këste për një periudhë 25-vjeçare. Në moshën 64-vjeçare kur të arrijë moshën e daljes në pension do të ketë në llogarinë e saj personale mbi 27 400 euro. Për këtë kompania e pensionit suplementar privat ka një mënyrë të veçantë llogaritjeje mbi shumën totale të depozituar. Shuma mund të merret ose si pension mujor, sipas preferencës së kontribuesit ose si shumë e plotë. Kjo depozitë është e trashëgueshme dhe nuk tatohet.


Sigurimi pensional suplementar parashikon këto përfitime:


1. Përfitime në kushte më të favorshme moshe e vjetërsie në punë.


2. Përfitime edhe në formë të pagesave të menjëhershme.


3. Përfitime më të mëdha se skema shtetërore si rezultat i investimit të kontributeve.


Epërsia me depozitat bankare


1. Depozitim i shumave të vogla nën minimumin e shumave të depozitave që kërkon një bankë.


2. Përfitimi disa herë më i madh nëpërmjet akumulimit të interesit në riinvestim.


3. Opsioni i përdorimit të përfitimit me këste mujore si pension, duke e vazhduar investimin ose shlyerjen e menjëhershme të llogarisë.


4. Kontributet dhe fitimi nga skema nuk tatohet dhe as taksohet.


5. Llogaria e krijuar sipas skemës është personale dhe e trashëgueshme.


6. Normat e interesit dhe ekonomia


7. Niveli i normave të interesit ka një ndikim të konsiderueshëm në ekonomi. Kur normat e interesit janë të ulëta, atëherë është më e lehtë për njerëzit të marrin hua për të blerë banesa, pajisje shtëpie, automobil. Duke u shtuar blerjet rritet kërkesa për prodhimin e pajisjeve dhe automobilave apo ndërtimin e banesave, rritet aktiviteti për shoqëritë që i tregtojnë apo firmat që i prodhojnë. Këto të fundit, për të përballuar kërkesat e rritura, investojnë më shumë në kapacitetin prodhues e ndërtues, hapin vende të reja pune dhe këto investime shtesë i financojnë duke marrë kredi nga bankat. Në këtë mënyrë, ekonomia zhvillohet. Ndërkohë këto përfitime humbasin kur norma e interesit është e lartë. Një normë e lartë interesi nuk ndikon shumë tek niveli i depozitimeve. Nga njëra anë, depozituesit rrisin kursimet për të përfituar prej normës së lartë të interesit dhe nga ana tjetër, rritja e të ardhurave prej depozitave i bën ata të ndihen më të pasur, për pasojë të shpenzojnë më tepër. Normat e interesit ndikojnë edhe vlerën e lekut. Nëse normat reale të interesit (pasi është zbritur norma e inflacionit) janë më të larta në krahasim me vendet e tjera, atëherë rritet kërkesa për lekë duke e forcuar vlerën e tij.