Vendimi është marrë pasditen e djeshme në unanimitet të plotë, pasi të gjithë gjyqtarët kanë votuar pro shfuqizimit të marrëveshjes detare që i fal Greqisë 354.4 kilometra katrorë sipërfaqe ujore
 
TIRANë - Gjykata Kushtetuese i ka dhënë fund dje një prej çështjeve më të debatueshme kohët e fundit në Shqipëri, siç ishte pakti i ujërave mes Shqipërisë dhe Greqisë. Pasditen e djeshme, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë vendosur të pranojnë kërkesën e Partisë Socialiste, duke i thënë jo marrëveshjes detare me Greqinë, e cila pas zbulimit të saj solli një valë reagimesh, jo vetëm nga shoqëria civile, por edhe nga faktorë të ndryshëm e specialistë. Lajmi për shfuqizimin e marrëveshjes, që sipas studimit të kolonel Myslim Pashës, i fal Greqisë 354.4 kilometra katrorë sipërfaqe ujore, nuk u pohua zyrtarisht, por burime të rezervuara i thanë “Korrierit”, se vendimi për shfuqizimin e marrëveshjes së paratifikuar ende nga parlamenti, është marrë gjatë pasdites së djeshme, pas një mbledhjeje shumë të gjatë të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët mësohet se kanë qenë të gjithë të pranishëm gjatë marrjes së vendimit. Bëhet me dije se gjatë votimit, shumica e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese kanë shprehur mendimin pro shfuqizimit të marrëveshjes në fjalë, e cila për një kohë shumë të gjatë shkaktoi një debat të madh publik në vendin tonë. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese i jep fund marrëveshjes së shumëpërfolur, që u nënshkrua në Tiranë në prill të vitit të shkuar mes ish-ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha dhe homologes së tij greke, Dora Bakojanis. Marrëveshja në fjalë, sipas specialistëve, është përgatitur në mënyrë të fshehtë dhe përmban një sërë shkeljes ligjore e kushtetuese, të cilat duket se kanë qenë dhe arsye të mjaftueshme për Gjykatën Kushtetuese që të vendosë rrëzimin e saj.
Marrëveshja 
Pas zbulimit të fakteve të njëpasnjëshme që hidhnin dyshime të shumta jo vetëm mbi transparencën e marrëveshjes që përcaktonte kufijtë ujorë me Greqinë, por që gjithashtu përmbante edhe shkelje të shumta, Partia Socialiste dhe partitë aleate të saj vendosën t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, së cilës i kërkuan shfuqizimin e marrëveshjes në fjalë. Sipas padisë, që vetëm për një seancë të vetme i mori më shumë se 7 orë kohë Gjykatës Kushtetuese, rezultonte se nga përcaktimi i kufirit ujor midis Greqisë dhe Shqipërisë, kjo e fundit ka humbur 354.4 kilometra katrorë sipërfaqe ujore. Gjatë përballjes në gjykatë, përfaqësuesit e qeverisë nga ana e tyre thonë se nuk është lëshuar asnjë centimetër sipërfaqe ujore, edhe pse ky pretendim u hodh poshtë nga një studim i bërë nga koloneli Myslim Pashaj, i cili arriti të provojë se ky pakt, përveçse cënonte një sërë ligjesh, i falte Greqisë sipërfaqen e konsiderueshme ujore, duke i dhënë dalje në Kanalin e Otrantos. Marrëveshja u nënshkrua në muajin prill të vitit të shkuar, me rastin e vizitës në Shqipëri të kryeministrit grek Karamanlis, por zërat kundër saj u shtuan vetëm tani në prag të ratifikimit nga Parlamenti Shqiptar. Si shkas shërbeu publikimi në media i një studimi, sipas të cilit përcaktimi i kufirit ka ndryshuar mjaft nga pikat e njohura të referimit në përcaktimin e kufijve midis dy shteteve. Debati rreth kësaj marrëveshjeje, përveçse teknik, pritet të shtrihet më tej, pasi në opinion vlerësohen veçanërisht disa deklarata të zyrtarëve të lartë grekë, se marrëveshja e arritur ishte e një rëndësie strategjike për Greqinë. Në qendër të komenteve e analizave po shfaqet edhe çështja e kalimit në drejtim të Italisë e gazsjellësit nga Rusia, “Rruga Jugore”, i cili duket se përfundimisht ka shmangur Shqipërinë.