Shtabi zgjedhor i LDK-së në Ferizaj u ka bërë apel të martën qytetarëve ferizajas që ta shfrytëzojnë të drejtën për ta ndryshuar vendvotimin.

Një thirrje e tillë është arsyetuar me faktin se në ditën e votimit për kryetar të komunës së Ferizajt te mbajtura më 29 prill, qytetarët janë përballur me parregullsi të shumta rreth gjetjes së vendvotimeve, për shkak të ndërrimit të tyre, ndërsa kjo çështje dhe mosfunksionimi i faqes zyrtare të KQZ-së që ka shkaktuar një përqindje të vogël, pra rreth 29% të daljes në zgjedhje.

Medain Hashani, shef i shtabit zgjedhor të LDK-së, ka thënë se si subjekt kanë qenë të shqetësuar dhe kanë reaguar menjëherë në ditën e votimit.

"Kemi bërë ankesat tona ndaj KQZ-së për ndryshimin e vendvotimit, kryesisht familjeve dhe anëtarëve të kryesive të nëndegëve të fshatrave dhe qytetit, të cilat janë pjesë e LDK-së, mirëpo përgjigja e tyre ka qenë se këto janë bërë nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB). Andaj duke u bazuar në këtë, ne kemi kërkuar nga KQZ-ja të mundësojë ndryshimin e vendvotimit në zgjedhjet për balotazh, sepse kemi menduar që qytetarët të mos maltretohen në ditën e votimit pra me 27 maj dhe të abstenojnë në ditën e votimit", ka thënë Hashani, për të shtuar se kjo përbën një procedurë të thjeshtë që zgjatë vetëm një minutë.

Zyrtarët e LDK-së thanë se kanë ngrehur një padi ndaj KQZ-së, për shkak të ndryshimit të vendvotimit të qytetarëve pa dijen e tyre dhe për shkak të mosinformimit të tyre me këto ndryshime