Autori i Lajmit: Redaksia
"Nëse për një çast zoti do të harroje se jam një kukull prej lecke dhe do të më dhurojë një copëz jetë, ndoshta nuk do të thosha gjithë çka mendoj, por patjetër që do të mendoja gjithçka që do të thoja. Do ti jepja rëndësi gjërave jo për çka ato vlejnë, po për atë që përfaqësojnë. Do të flija pak dhe do të ëndërroja shumë, do të ecja kur të tjerët ndalin, do të rrija zgjuar kur të tjerët flenë, do të dëgjoja kur të tjerët flasin dhe ah si do të shijoja një akullore me çokollatë!! Nëse zoti do të më dhuronte një copëz jetë, do të vishesha thjesht, do të shtrihesha në diell duke lënë zbuluar jo vetëm trupin, por edhe shpirtin tim. O zot sikur të kisha një zemër, do të shkruaja urrejtjen mbi akull dhe do të prisja që të shkrihej në diell. Do të vizatoja me një ëndërr të Van Gogut mbi yje një poezi të Benedetit dhe një këngë e Seratit do të ishte serenata që do ti ofroja hënës. Do të ujisja trëndafilat me lotët e mi për të ndier dhimbjen e gjembave të tyre dhe puthjen mishtore të petaleve. O zot sikur të kisha një copëz jetë, nuk do të lija pajetuar një ditë pa u thënë gjithë njerëzve që dua, se i dua. Do ti bindja të gjithë burrat dhe gratë se janë të preferuarit e mi dhe se do të jetoja i dashuruar pas dashurisë. Njerëzve do tu thoja sesa shumë gabojnë kur mendojnë se ndalin së dashuruari-kur plaken, pa e ditur se në fakt ata plaken pikërisht kur ndalin së dashuruari. Një fëmijë do ti jepja krahë, por do ta lija të mësonte vetë të fluturonte. Pleqve do tu mësoja se vdekja nuk vjen me plakjen, por me harresën.
Shumë gjëra kam mësuar nga ju, njerëz! Kam mësuar se gjithë bota kërkon të jetojë mbi majën e malit, pa e ditur se lumturia e vërtetë është rruga për tu ngjitur aty. Kam mësuar se kur një i sapolindur shtrëngon me grushtin e tij të vogël për herë të parë gishtin e të atit, e mban atë shtrënguar përgjithmonë. Kam mësuar se dikush duhet të shohë dikë nga lart-poshtë vetëm kur i duhet ta ndihmojë të ngrihet në këmbë. Janë shumë gjërat që kam mundur të mësoj prej jush, por në të vërtetë nuk më shërbejnë shumë, sepse kur të më mbyllin brenda asaj bauleje, unë fatkeqësisht do të iki.
Gabriel Garsia Markez
U lind më 6 mars 1927 në Aracataca, një vendbanim i vogël në bregdetin kolumbian. Më vonë ky vend u bë i njohur si Macondo në romanin "Njëqind vjet vetmi". Garcia Marquez-i ishte i pari prej 16 fëmijëve. Fëmijërinë dhe rininë i kaloi bashkë me gjyshin dhe gjyshen, që të dy tregimtarë të jashtëzakonshëm të legjendave fantastike. Jeta në rrethana varfërie më vonë gjeti vend në shumë përshkrime në romanet e tij. Ai dëshironte të studionte drejtësi e cila shpejt e neveriti; vendosi të kalojë ditët nëpër kafenetë e qytezës bashkë me miqtë e tij dhe të shkruajë artikuj për gazeta, kryesisht reportazhe, arti më i zorshëm dhe më i bukur i gazetarisë. Dallimi mes gazetarisë dhe letërsisë, ka thënë ky mjeshtër i shkrimit, nuk është aq i madh: "Burimet e informacionit janë të njëjta, hulumtimi dhe trajtimi i informatës po ashtu; dallimi qëndron në përpunimin e lëndës".
Karriera gazetareske
Puna si gazetar i mundësoi Gabriel Garcia Marquez-it udhëtime në të katër anët e botës, në Nju Jork e Paris, në Barcelonë e Gjenevë, në Romë dhe në Havanë. Kapërcimi i kufijve ndikoi që ai të mos e shikojë më veten vetëm si kolumbian, por si latino-amerikan, si qytetar i një kontinenti. Suksesi i madh në letërsi e bëri të njohur edhe në qarqe politike. Si miq të tij ai numëron Javier Solanën dhe gjeneralin Ëesley Clark, por edhe Fidel Castron, i cili për kritikët e tij është diktator, për adhuruesit kundërshtar i denjë i kapitalizmit. Miqësia e tij me Castron e shtyri shkrimtarin peruan Mario Vargas Llosa të prishë marrëdhëniet me Garcia Marquez-in.
"Njëqind vjet vetmi"
Romani më i njohur i Gabriel Garcia Marquez-it është "Njëqind vjet vetmi", ku përshkruhet ngritja dhe rënia e familjes Bunedia dhe e fshatit Macondo, të themeluar prej saj. Në këtë fshat zhvillohet gjithë historia e Amerikës Latine: luftëra civile dhe viktima të shumtë, lulëzim ekonomik dhe plaçkitje nga padronët lokalë, katastrofa natyrore dhe shkatërrime nga dora e njeriut. Ngjarjet sillen rreth shtëpisë së Ursula dhe Jose Arcadio Bunedia. Garcia Marquez përshkruan mllefin e përditshëm, ndryshimet e gjeneratave, incestin, fantazitë e papërmbushura, vitalitetin e burrave dhe mençurinë e grave të Macondos. Në fund një "tajfun biblik" e fshin nga faqja e dheut fshatin.
"Dashuri në kohërat e kolerës"
Në romanin "Dashuri në kohërat e kolerës" Gabriel Garcia Marquez arrin të skicojë identitetin e Amerikës Latine përmes dashurisë së dy njerëzve. Mjeku Florentino Arizo pret më shumë se 50 vjet të dashurën e tij të rinisë, Ferminën. Pas një martese me mjekun Juvenal Urbino, i cili vdes në rrethana tragjikomike, Fermina, pas shumë hamendjeve pranon të martohet me Florentino Arizën. Të pashqetësuar nga bota përreth ata vendosen në një anije dhe grisin flamurin e kolerës për ti penguar njerëzit e tjerë që të afrohen aty. Dy pleq të dashuruar duan të jetojnë të qetë deri në fund të jetës, duke lundruar në lumin Magdalena. Me këto romane Garcia Marquez-i i ka bërë jehonë realizmit magjik të Amerikës Latine. Në veprën e tij shkëlqen magjia e poetikës – pafund e bukur, tmerrësisht pikëlluese.

Ky lajm është publikuar: 13/01/2010