21/04/2005  Shtëpia botuese “Ideart” sapo ka nxjerrë në librari romanin e ri të Zija Çelës, një vepër me titullin befasues Las Varrezas, që të vjen ta lexosh si Las Vegas. Por edhe kjo metaforë, me një lidhje të drejtëpërdrejtë, do të jetë e pranishme gjatë leximit.


Zija Çela, përveç librave të tjerë, ka botuar më parë këto romane:


“Një verë pa lamtumirë”, “Mali i tejdukshëm”, “Gjaku i dallëndyshes”, “Gjysma e Xhokondës”, “Monedha e dashurisë”, “Banketi i hijeve”, “Lëngata e hënës” dhe


“Gjaku im i errët”. Eqrem Basha shprehet për shkrimtarin: Kam një rekomandim këmbëngulës: lexojeni Çelën...Ndërsa Xhemail Mustafa thotë se “Identiteti i prozës moderne shqiptare do të ishte i gjymtë pa prozën e Zija Çelës, sidomos pa triptikun e romaneve të tij të mrekullueshme për


jetën e vdekjen. Një mënyrë të këtillë të rrëfimit dhe të zhvillimit të situatave mbi parimet e lëvizjeve të brendshme koncentrike, gjithsesi do të mund ta ndërtonte vetëm një mjeshtër i sprovuar i artit të romanit, çfarë është Zija Çela”.


Por çfarë është, me dy fjalë, kjo vepër e re? Është një roman për jetën dhe vdekjen, por jo një roman tmerri, përkundrazi, është përditshmëria që na shtyn të pyesim: Ku po shkojmë kështu, çfarë po bëjmë, përse ti Kain i ri ia shkatërron jetën vëllait tënd bashkëkohor? Sepse jeta në këtë vepër nuk cënohet nga natyra, as vdekja nuk është natyrale, shkatërrimi këtu vjen nga zezonat që i punojmë njëri-tjetrit. Dhe prapë shtrohet pyetja: Mos, vallë, çfarë lëmë prapa, shpesh e gjejmë edhe përpara?


Romani fillon me Formulën e jetës. Në qytetin e Kukunamit njerëzit po rronin më gjatë, sepse, sa herë që dikush binte në hekën e mortjes, Dinosha e bukur, bashkëshortja e nëpunësit të postës, i gjendej te koka, përkulej, e shtrëngonte, përgjërohej për tjetrin


dhe, ndonëse i duhej të vuante vetë, ia shkëpuste vdekjes nga thonjtë. Por kur një ditë Dinosha zë shtratin vetë, kur dikush duhet ta ngrejë në këmbë duke vuajtur për të, të tjerët tërhiqen dhe formula e jetës ngec... Një mallkim do të bjerë në qytetin e Kukunamit, tashmë do të fillojë të funksionojë Formula e vdekjes. Sa herë që dikush ishte duke mbyllur sytë, nuk donte të ikte vetëm, por caktonte një tjetër që t’i bënte shoqëri matanë. Dhe ashtu ndodh, me vullnetin e shenjuesit, brenda njëzet e katër orëve “këput qafën” edhe i shenjuari... Kukunamit, i cili kur ishte një rezervat i jetës as që njihej jashtë,


tani që bëhet vend i vdekjes, i del nami ngado. Do të vijë menjëherë solidariteti i ndërkombëtarëve, madje ka dhe një propozim: pikërisht si monument, pavarësisht se monument i vdekjes, Kukunami mund të shpallet Pasuri Botërore dhe të merret në mbrojtje nga ONESKO. Është një gjetje e papërsëritshme, origjinale, plot skena ngërthyese, asocacione idesh dhe identifikimesh, një tekst që të rrëqeth, por që të rrëmben dhe lexohet me ëndje, një prej atyre romaneve që, mbasi të jenë lexuar, mbahen mend gjatë, madje të ngjallin dëshirën për t’ju rikthyer.