Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar Agjencinë Shtetërore të Legalizimeve. Me një vendim të saj të shpallur në fillim të këtij muaji, Gjykata rrëzoi ato kompetenca të ALUIZNI-t, i cili gjatë procesit të legalizimeve ia kishte marrë pushtetit vendor. Ky vendim kërkon një amendim të ligjit të Legalizimeve, e pikërisht në ato nene që përcaktojnë përgatitjen e procesit të legalizimeve të ndërtimeve në zonat informale. Sipas Gjykatës Kushtetuese,  “ndryshimet ligjore që i janë bërë ligjit të mëparshëm, e kanë zhveshur pushtetin vendor nga disa prej kompetencave të tyre, që në kuptim të Kushtetutës, të Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore si dhe jurisprudencës kushtetuese, cenojnë parimin e decentralizimit të pushtetit dhe të autonomisë vendore. Sipas Gjykatës Kushtetuese, ligji për Legalizimet i ka dhënë Agjencisë Shtetërore edhe kompetencat e mirëfillta që kishte më parë pushteti vendor, siç ishte dhënia e lejes së shfrytëzimit për ndërtimet”. “Nëpërmjet nenit 17, ‘...leja e legalizimit është e barazvlefshme me lejen e shfrytëzimit...’, merret një tjetër funksion i rëndësishëm i organeve të qeverisjes vendore, që lidhet me planifikimin urban dhe i ka kaluar ALUIZNI-t”, thuhet në argumentimin e Gjykatës Kushtetuese. Duke sjellë argumente se në cilat nene ligji “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” cenon pavarësinë dhe funksionimin e pushtetit vendor, relatori i kësaj çështje shprehet se ALUIZNI në zbatim të këtij ligji nga institucion bashkërendues, është shndërruar në institucion përgjegjës, kompetencë që i takonte më parë pushtetit vendor. Por Gjykata Kushtetuese nuk ka rrëzuar të gjitha kompetencat e ALUIZNI-t që ia jep ligji në procesin e Legalizimeve. Ligji i lë kompetencë Agjencisë Shtetërore legalizimin e shtesave në ndërtimet me leje. “Ky ligj i shtrin efektet edhe për legalizimin e objekteve, me leje ndërtimi nga KRRT-të apo KRRTRSH-ja, tek të cilat janë kryer shtesa anësore apo në lartësi, tej lejes së ndërtimit, si dhe për legalizimin e shtesave, në objektet e ngritura përpara vitit 1993. Këtu përfshihet edhe legalizimi i objekteve të miratuara me vendim të KRRT-së së njësisë së qeverisjes vendore ose të KRRTRSH-së, të cilat kanë ndryshime në funksionin e hapësirave”, shprehet ligji në nenin 23 të tij. Gjykata në argumentimin e saj, edhe pse sheh cenim të së drejtës për vetëqeverisje të pushtetit vendor, e sheh të lejueshëm në disa nene rolin e ALUIZNI-t, pasi sipas saj, legalizimi i ndërtimeve pa leje hyn në ato çështje me rëndësi kombëtare e strategjike për interesat e vendit, të cilat duhet të ushtrohen nën autoritetin e pushtetit qendror. Gjykata nuk rrëzoi nenin 4 të ligjit, i cili i jep agjencisë të drejtën e dhënies së lejes së legalizimit.          a.l