Libri i Alan Bullock-ut „Hitleri dhe Stalini“ është një vepër që bëri bujë në shtypin perëndimor. „Dailly Telegraph” e quajti një risí dhe të guximshëm. Ishte një zbulim. Gazeta „Time“ e cilësoi „një kryevepër saktësie, qartësie dhe mësimdhënëse për të ardhmen“. Janë të shumta vlerësimet. Po përmendim edhe “Finacial Times”: “Një punim i magjishëm historik, që të rrëmben, kur e lexon“.
Nga vetë titulli kuptohet se kemi të bëjmë me një vepër jetësh paralele, si ato të Plutarkut. Paralelizmi na nxit të mendojmë edhe për një vepër tjetër: „Stalini dhe Enveri“. Këtë do ta bëjnë historianët tanë të paindoktrinuar. Analogjitë për një vepër të tillë janë të shumta.
Lexuesit tonë po i vëmë në dispozicion disa pjesë që kanë të bëjnë me jetën familjare të Stalinit. Në të vërtetë tirani sovjetik ka qenë, së paku, jofamiljar. Ka një aktualitet të fortë edhe për gjendjen e tanishme. Duket se njeriu shkatërrimtar i  familjes së vet është një shtetar i dyshimtë. Është njëri nga deduksionet e kësaj vepre.
K.X.

Kompleksi i inferioritetit
Ai grubost (pagdhenduria apo të qenurit trashanik, që vinte edhe nga mungesa e kulturës), që Lenini e përcaktonte si "një vogëlsirë, por që mund të merrte një domethënie të madhe" iu fsheh më vonë, por bënte pjesë në karakterin e Stalinit gjer në fundin e jetës së tij. Pastaj, më vonë akoma, kur u bë sovrani i Rusisë, ai mund ta humbiste gjakftohtësinë dhe t'i përvishej cilitdo që e cingëriste. Dhe ai që ia ngrinte nervat, më së shpeshti arrestohej apo zhdukej nga faqja e dheut.
Këto tipare parake (aziatike - do t'i quante Trocki) do të shfaqeshin veçanërisht ndaj atyre që e kishin kaluar mërgimin në Europë dhe kishin marrë, sidoqoftë, një lustër europianizimi. Kjo e bënte që të kishte mëri kundrejt sjelljeve më të kulturuara të të tjerëve, kundrejt atyre që dinin gjuhë të huaja, kundrejt atyre që shkruanin më lehtësisht dhe kishin një gojëtari më të spikatur. Ai diti ta shndërrojë këtë ndryshesë në përparësi, kur u drejtohej militantëve, me një përvojë si të tijën; por ishte i molepsur edhe nga një kompleks i inferioritetit, që ia kërcënonte përfytyrimin që kishte për vetveten, atë të pasardhësit natyror të Leninit.

Dobësi të tjera të Stalinit
Një tipar tjetër i tij kishte të bënte me kultin e individit që donte ta përpunonte për vete, paçka se marksizmi kishte thënie të tëra kundër këtij kulti.
Ishte mjeshtër hipokrizie, duke luajtur rolin e një komediani të regjur, për t'u paraqitur ashtu siç nuk qé në të vërtetë. I dogji si tepër ai qortimi që i kishte bërë Lenini se ishte harbut (shprehur në letrën vetjake që i kishte dërguar, kur kishte keqtrajtuar Krupskajën, por edhe në letrën e fshehtë drejtuar organeve të larta partiake për këtë harbutëri, -p.) dhe në vitet që vijuan u mundua të lozte rolin e të moderuarit, si edhe të mbante një barazlargesë ndërmjet skajeve të opozitës në parti. Ai, tani, parapëlqente mësymjen me ndërmjetësinë e të tjerëve, siç ua la Zinovievit dhe Kamenievit nismën e sulmeve kundër Trockit, kurse vetë shtirej sikur donte ta zvogëlonte sherrin. Kështu, kur ata kërkuan përjashtimin nga partia të Trockit, ai i këshilloi që të ishin më të përmbajtur!
Nuk vonoi që Trocki të kuptonte më së miri se armiku i tij më i rrezikshëm nuk ishte Zinovievi, as Kamenievi, por anëtari i trëtë i trojkës (Stalini, - p.). Kur Kamenievi, më së fundi, në vitin 1925, i ndërgjegjësuar për rrezikun që paraqiste Stalini, denoncoi të keqen e qeverisjes prej tij (në Kongresin XIV), Stalini iu përgjigj qetësisht se natyrisht që vetëm një drejtim kolegjial ishte i mundshëm. Ishte Opozita, - vazhdoi ai, - që synonte të dëbonte nga drejtimi anëtarët e tjerë. Dhe ai cilësoi me emër pesë ndërmjet tyre që ishin të domosdoshëm, tre nga të cilët qenë vënë në kryq të kuq nga ai, që të eliminoheshin, kur t'u vinte koha.
Manovrimet me anë të të cilave, për një kohë gjashtëvjeçare, ai eliminoi rivalët e tij dhe Opozitën, qenë një model i politikës makiavelike, në të cilën gjetën vend të gjitha dredhitë dhe të gjitha stratagjemat që porosiste mjeshtri fiorentin. Sikundër edhe Hitleri, ai i kushtoi vëmendje të veçantë zgjedhjes së çastit dhe tregoi të njëjtin talent nuhatës në përcaktimin e dobësive dhe mendësive të kundërshtarëve. Cilësitë e tij të organizatorit dhe të drejtuesit ishin të padyshimta, por ato zvetënoheshin  nga dobësi të karakterit dhe të temperamentit të tij. Mashtrimin dhe pabesinë* ai i kishte të natyrshme. Sa herë mundej, ai parapëlqente shtirjen dhe manovrimin e kulisave përkundrejt ballafaqimit të drejtpërdrejtë, duke i lënë kundërshtarit lëvizjen fillestare, para sa ta mbërthente befasisht, duke vënë një tjetër që t'ia ngulte thikën prapa kurrizit.
Edhe për ngritjen e gjendjes së tij vetjake, vinte të tjerët. Kongresi i Fitimtarëve i vitit 1934 e ngriti në zenit kultin e tij të individit, por ai nuk foli kurrë për këtë dëshirë të tejmasshme**; punët bëheshin nën rrogoz, nën nxitjen e tij, ndërsa Hitleri kishte kërkuar hapur një pozicion unik në partinë e vet.

Jeta familjare: një rrënim tërësor
Gjatë viteve 20, kur Stalini ishte Sekretar i përgjithshëm dhe anëtar i B. Politike dhe ndikimi i tij ishte në rritje, por ende nuk ishte i lirë, si pasojë e njëlloj kundërvënieje kolektive, ai ishte më afër, nga ç’kishte qenë ndonjëherë, për të bërë një jetë familjare normale. E bija, Svjetllana, e quante atë kohë si më të lumturën e jetës së saj, kur në vatrën familjare mblidheshin në Zubalovo miq e të afërm, si Kirovi, Orxhonikixja dhe Bukarini, të tre miq të nënës së saj. Në atë kohë bëheshin edhe piknikë, në atë daça,  që ishte vetëm 30 km larg Moskës.

Nadjezhda
Në vitin 1934 kjo periudhë ishte vagëlluar, kishte marrë fund. Trysnia shkatërrimtare që kishte shpërthyer kundër fshatarësisë, shkaktoi një viktimë edhe nën çatinë e Stalinit. Terrori që kishte kapluar shpirtrat e njerëzve, kishte mbërthyer edhe gruan e Stalinit, Nadjezhdën. Njëzet vjet më e re se i shoqi (ajo ishte 31 vjeçe kur vdiq) dhe e përkushtuar për çështjen, ajo e idealizonte burrin e saj në kohët e para të bashkimit me të. Por shpirti i saj u trondit kur i shoqi po merrte gjithmonë e më tepër frerët e një pushteti autoritar, sidomos në fillimet e viteve 30. Duke dashur të bënte një jetë të pavarur, ajo u mor me kiminë, në Akademinë industriale.
Shokët e studimit, që detyroheshin të merreshin me fushatën e kolektivizimit, i tregonin se ç’ndodhte në Ukrainë dhe ajo i ankohej të shoqit. Marrëdhëniet vetjake në familje po fashiteshin. Gjatë një grindjeje, ajo e la dhe iku me të dy fëmijët. Mendimi për vetëvrasje iu fanit, që kur i kërkoi të vëllait, që ishte me mison zyrtar në Berlin, që t’i sillte një revolver, pa i thënë përse e donte këtë dhuratë.
Më 8 nëntor të vitit 1932, në një mbrëmje që kishte dhënë në Kremlin Voroshillovi, një grindje shpërtheu ndërmjet Nadjezhdës dhe të shoqit. Kur ky e fyeu para njerëzve, ajo doli nga dhoma. Pasi bëri një shëtitje në muret e Kremlinit me mikeshën e saj, Paulina Molotovin, Nadjezhda u mbyll në dhomën e saj. Ajo telefonoi në daça për të ditur nëse Stalini ishte aty. Sipas Krushovit, që e kishte marrë vesh ngjarjen nga mazhordomi i Stalinit, Vllasiku,  roja i shërbimit ishte përgjigjur se i shoqi ishte me një grua (Krushovi thotë se ajo ishte gruaja e një anëtari të partisë që quhej Gusev). Nuk dihet sesa ndikoi kjo në shpirtin e saj. Sidoqoftë, gjatë natës, ajo i dha fund jetës, me një shkrepje të revoles.
Sipas Svjetllanës, i ati ishte hardallosur meqë nuk kuptonte se përse puna kishte mbërritur gjer këtu. Vdekja e s’ëmës u shpall pa asnjë fjalë për vetëvrasjen. Letra që ajo kishte lënë u zhduk. Stalini u paraqit bashkë me të afërtit për ta parë në arkivolin e hapur. Dhe, duke u kthyer, tha: - “Ajo më la, si një armik!”. As ndërmend, as në fiqir, që të ndjente ndonjë fajësi apo ndonjë përgjegjësi për vdekjen e gruas, ai e pa këtë vdekje si një akt tradhtie. Ai nuk mori më pjesë as në shërbimet e funeralit, as në varrosje dhe nuk ia pa kurrë varrin.
Kjo humbje nuk ia flashku vendosmërinë: Më 27 nëntor, ai foli në K.Q. me një ton aq shpërthyes dhe kërcënues kundër fshatarësisë, saqë fjala e tij nuk u botua kurrë. Sa për aktin e Nadjezhdës, ai atë nuk e përligji kurrë. Kjo vetëvrasje i dha fund jetës së tij si familjar. Ai iku nga apartamenti i tij i Kremlinit, ku kishte vdekur ajo, dhe e lëshoi Zubalovon për një daça të re, të cilën e ndërtoi në Kuncevo, në rrethinat e Moskës.

Svjetllana, si në burg
Ai nuk pati një prerje të menjehershme me prindët e së shoqes. I ati dhe e ëma e kësaj, të cilët ai i kishte njohur në kohën e Tiflisit, u lejuan që të vendoseshin në Zubalovo. Por Stalini i  prishi pak e nga pak marrëdhëniet njerëzore të zakonshme me ta. Fëmijët e tij nuk rrinin tanimë me të, duke banuar në apartamentin e ri të Kremlinit, në të cilin ai nuk kishte fjetur kurrë. Masat e ruajtjes së personit të tij dhe të fëmijëve ishin në detyrim të policisë së fshehtë. Për Svjetllanën ishte si të jetonte në një burg. I gjithë sistemi mbrojtës ishte në dorë të ish- rojës vetjake të Stalinit gjatë luftës civile, Vllasikut. Tani ky ishte komandant i Sigurimit (NKVD-së), që kishte fuqi të jashtëzakonshme dhe u rindërtua si një perandori e pavarur, në emër të Stalinit, duke pasur në zotërim, tanimë, shumë e shumë seli me një personel të mbufatur, në zyrat e të cilave Stalini nuk shkonte shpesh.

Nadja, në “Kujtimet” e Bazhanovit
“Ndodhte që pas mbledhjeve të B. Politike, Stalini vonohej për të ardhur në shtëpi e, në këto raste, detyrohesha të vija në shtëpinë e tij, duke e pritur, së bashku me të shoqen, të cilën e quaja thjeshtësisht Nadja. E njoha nga afër, madje zura dhe njëfarë miqësie me të. Nadja ishte krejt e kundërta e Stalinit. Ajo ishte zonjë grua, e ndershme, njerëzore. Jo e bukur, por kishte një fytyrë të këndshme, të sinqertë dhe simpatike. Ishte e bija e një punëtori bolshevik tek i cili Lenini qe strehuar në vitin 1917. Me Stalinin ajo pati një djalë, Vasilin (5 vjeç në atë kohë) dhe, pas tre vjetësh, lindi edhe një vajzë, Svjetllanën.
Kur u njoha me Nadjen, pata përshtypjen se rreth saj qe krijuar një zbrazëtirë. Mikesha në atë kohë ajo s’kishte, ndërsa  burrat nuk i afroheshin, nga frika se mos Stalini dyshonte se i vinin vërdallë dhe mandej ata nuk mund të gjenin as vrimë ku të futeshin. Pata ndjesinë se e shoqja e diktatorit kishte nevojë për ngrohtësi njerëzore.
Jeta e saj shtëpiake ishte e zorshme. Në shtëpi Stalini sillej si një tiran i vërtetë. Disa herë Nadja më qé ankuar:- “Ka tri ditë me radhë që rri si vuv, me askënd nuk flet dhe nuk përgjigjet, kur për diç e pyesin!”. Më qante hallin, kësisoj, dhe psherëtinte e pikëlluar. Mundohesha t’u shmangesha bisedimeve për Stalinin. E njihja mirë Stalinin. Nadja e gjorë sapo kishte filluar të zbulonte imoralitetin dhe natyrën e tij çnjerëzore dhe vetë s’donte t’u besonte këtyre zbulimeve.
Mbas disa kohësh Nadja u zhduk. Siç mora vesh më vonë, kishte vajtur në Leningrad për të kaluar te prindërit, muajt e fundit të shtatzanisë. Kur e takova, pasi u kthye, ajo më tha: -Kënaquni duke admiruar krijesën time.
Krijesa tremuajshe ishte Svjetllana. Më lejohej, në shenjë mirëbesimi, ta mbaja në krahë jo më tepër se katër minuta atë topth mishi”(...).
“...Pasi ika nga sekretariati i Stalinit, Nadjen e takoja rrallë dhe rastësisht. Kur Orxhonikixe u bë kryetar i Komisionit Qendror të Revizionimit, Nadjen e mori në punë si sekretare të tretë. Tek shkova një ditë në zyrën e Orxhonikixes, e takova dhe kuvenduam gjatë me të. Puna pranë Orxhonikixes e kishte gjallëruar; aty atmosfera qe e këndshme. Sergo (Orxhonikixe, - p.) ishte njeri i mirë. Paskëtaj nuk e pashë më Nadjen.
Fundi i saj tragjik dihet, veçse jo me tërë  hollësitë. Ajo vajti të studiojë në Akademinë Industriale. Pavarësisht nga emri i bujshëm, ato qenë ca kurse kualifikimi për komunistët punëtorë e fshatarë të bazës. Ishte viti 1932 kur Stalini iu përvesh kësaj kasaphane gjigante në tërë Rusinë – kolektivizimit me dhunë –  kur miliona familje fshatare niseshin për në kampet shfarosëse të përqendrimit. Personeli i Akademisë dhe njerëzit e bazës e kishin parë me sytë e tyre këtë rrënim të tmerrshëm të fshatarësisë. Kur dëgjonin se ajo grua e re ishte e shoqja e Stalinit, ata bëheshin memecë dhe e mbyllnin gojën si me çelës. Por dalngadalë të gjithë u bindën se Nadja ishte e mrekullueshme, zemërbardhë dhe e dhembshur; mund t’i besoje. Gjuhët u zgjidhën dhe asaj nisën t’i rrëfenin se ç’ndodhte, në të vërtetë, anembanë vendit. Nadja u tmerrua. Nuk mund të rrinte pa ia treguar të shoqit të gjitha ç’kishte dëgjuar. E përfytyroja kundërveprimin e Stalinit. Ai nuk e kishte për gjë ta shante atë , budallaqe dhe idiote, kur haheshin për ndonjë çështje. Stalini iu hakërrye, duke i thënë se informacioni i saj s’ishte veçse një pjesë e propagandës kundërrevolucionare.
-Po të gjithë dëshmitarët pohojnë të njëjtën gjë.
-Të gjithë?- u vrenjtua Stalini.
-Me përjashtim vetëm të njërit; por ai nuk thotë të vërtetën, se ka frikë. Ky është sekretari i organizatës-bazë të Akademisë, Nikita Krushovi.
Stalini nuk e harroi këtë emër. Në polemikën që vazhdoi në shtëpi, Stalini i tha Nadjes se të gjitha thëniet e saj qenë shpifje dhe këmbënguli që e shoqja t’i rrëfente se kush qenë autorët e këtyre pallavrave. Nadja i përmendi emrat e bashkëbiseduesve. Sikur ta dinte ajo me kë kishte të bënte! Të gjithë ata që i kishin besuar asaj u arrestuan dhe u pushkatuan. E tmerruar, Nadja vrau veten *. Vetëkuptohet se unë s’kam qenë dëshmitar i skenës që përshkrova më sipër. Por mbarimin e saj unë kështu e kuptoj, sipas atyre gjerave që na kanë dëgjuar veshët.
Fill pas kësaj nisi karriera e shkëlqyer e shokut Krushov. Për herë të parë, ndërsa po bëheshin zgjedhjet për në organet rajonale, Stalini i tha sekretarit të komitetit të Moskës: -“Kemi një punëtor partie të mrekullueshëm, sekretarin e organizatës-bazë të Akademisë Industriale: bëjeni sekretar partie rajoni!”. Në atë kohë fjala e Stalinit ishte ligj. Nuk vonoi që Krushovi të bëhej sekretar rajoni dhe shumë shpejt sekretar i komitetit të partisë për Moskën. Kësisoj Nikita Krushovi arriti gjer në majat më të larta të hierarkisë sovjetike”.
(Boris Baxhanov, “Kujtimet e ish-sekretarit të Stalinit”, f. 68-69-70, në përkth. në gjuhën shqipe).

Qëndrimi shpërfillës ndaj fëmijëve
I mbyllur siç ishte dhe si njeri që i kishte zët vizitat jashtë Moskës, në shtëpinë e tij ftonte shokët dhe shihte filma sovjetikë apo të huaj, duke ngrënë drekën apo darkën. Kjo ishte njohja me hallet e vendit. Ishte, si të thuash, një dritare për të parë jashtë por, njëherësh, qé edhe një imazh aspak besnik i realitetit sovjetik. Sipas Krushovit, pas 1928-s ai nuk vinte kurrë në fshatrat, të cilat i kishte katandisur si mos më keq. Po ashtu, pas vrasjes së Kirovit, në fillim të vitit 1934, ai nuk shkonte më në Leningrad, madje as pas qëndresës epike 900-ditëshe. Ajo që mund të shihte në Moskë, qé ç’mund të vështrohej duke hapur paksa perden nga Packard-i i tij amerikan i blinduar, ndërsa kjo makinë rrëshqiste me shpejtësi të madhe, e shoqëruar nga një falangë garde e Sigurimit,  në rrugët e mëdha që u hapën posaçërisht, për të kaluar lirisht nga Kuncevo në zyrën e tij.
Kjo ruajtje e tij e tepruar kishte domethënien e vet. Por Stalini ishte edhe shkatërruesi i familjes së vet. Të dy djemtë e tij patën një fund tragjik. Ai e urrente djalin e madh, Jakovin, që e kishte nga martesa e parë, pa dyshim se i kujtonte origjinën gjeorgjiane. Kur në fillimin e luftës Jakovi ra rob në dorë të gjermanëve, Stalini e përbuzi si një tradhtar, sepse “një rus i vërtetë nuk dorëzohej kurrë”. I dyti, Vasili, pas një karriere të mynxyrshme si oficer i aviacionit, vdiq i telendisur si i alkoolizuar në moshën 41-vjeçare.
“Me Stalinin jetonte edhe djali i tij i madh, nga martesa e parë, Jakovi. S’di sepse atë gjithmonë e thërritnin Jashka. Ai qe një djalë i përmbajtur, i heshtur dhe i mbyllur; ishte nja katër vjet më i ri se unë. Kishte një pamje të shastisur. Më habiste një veçanti e tij, të cilën mund ta quajmë shurdhëri nervoze. Dukej sikur përherë nga diç vuante. Ti i flisje, ai s’të përgjigjej, thuajse qe në botën tjetër. Mandej, befas e mblidhte veten dhe të dëgjonte me të dy veshët. Stalini atë e urrente dhe vazhdimisht e fyente. Jashka donte të mësonte. Stalini e dërgoi të punonte punëtor në një uzinë. Tërë qenia e Jashkës shprehte një pakënaqësi ndaj të jatit. Ai përpiqej të mos binte në sy e gjer para luftës nuk luajti asnjë rol. E mobilizuan dhe e shpunë në front, ku gjermanët e zunë rob. Kur autoritetet gjermane i propozuan Stalinit t’ia ndërronin të birin me një gjeneral të dëgjuar, rob i sovjetikëve, Stalini u përgjigj: - “Unë s’kam djalë”.
Jashka mbeti rob dhe, në fund të tërheqjes, Gestapoja e pushkatoi.
Kurrë nuk e pashë me sy të birin e Nadjes. Atëherë ai qe foshnjë; kur u rrit, u bë një alkoolist i pandreqshëm. Historia e Svjetllanës dihet mirë. Sikurse edhe e ëma, ajo e kuptoi natyrën e të jatit; pse jo, edhe të komunizmit. Ndaj edhe kërkoi strehim politik jashtë shtetit, duke i dhënë një goditje të fuqishme propagandës komuniste. (“Ama të bukur regjim: Edhe e bija nuk e duroi dot dhe u arratis!”.).
Si përfundim mund të pohojmë se Stalini ishte një njeri pa parime morale, me prirje kriminale. Por mendoj se “fenomeni Stalin” ngre një problem tjetër, tepër serioz: si shpjegohet që një njeri i tillë mund të shfaqte prirje kriminale gjatë një çerek shekulli, duke shfarosur me miliona njerëz të pafajshëm, i pandëshkuar? Eh, kësaj pyetjeje mund t’i jepet vetëm një përgjigje: Stalini ishte pjellë e sistemit komunist. Sistemi komunist krijoi një klimë të tillë, në të cilën pushtetmbajtësit tërë veprimtarinë e tyre e konceptonin si një luftë të pandërprerë me kundërshtarët e trilluar, me klasat dhe me grupet armiqësore, me kundërrevolucionarë, me sabotatorë, duke ua hedhur fajin e dështimeve të tyre të njëpasnjëshme armiqve imagjinarë; ndaj dhe vazhdimisht bënin thirrje për represione, për vrasje dhe për shtypjen e të gjitha të drejtave dhe ndjenjave njerëzore. Në një truall të tillë, Stalinët mund të mbijnë dhe të lulëzojnë në çdo kohë”.
(B. Baxhanov, vepër e cituar, botimi shqip (1992), f. 70 – 71).

...