Kërkohen jo më pak se 8 kredite për dy ose 3 lëndë me zgjedhje, që do të jenë nga kurrikula bërthamë, edhe ajo e lirë. MASH nxjerr udhëzimin e ri për provimet




MASH përcakton listën e lëndëve me zgjedhje me kreditet përkatëse


Ndryshojnë rregullat për provimet e Maturës 2012, ku për herë të parë maturantët do t’i përzgjedhin lëndët me zgjedhje, jo vetëm sipas dëshirës, por edhe sipas krediteve. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj ka firmosur së fundi udhëzimin “Për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2012”, në të cilin janë detajuar të gjitha rregullat që do të ndiqen për përzgjedhjen e lëndëve me zgjedhje nga maturantët, që do të jenë me kredite dhe të ndara sipas profilit të shkollave. Ndonëse struktura e provimeve nuk ka pësuar asnjë ndryshim, pasi lëndët për të cilat maturantët do të testohen në Maturë do të jenë përsëri Gjuhë shqipe dhe Letërsi, Matematikë dhe provimet me zgjedhje, për këto të fundit do të ketë rregulla të reja përzgjedhjeje. Kështu, maturantët e Maturës 2012 duhet t’i zgjedhin lëndët për provimet me zgjedhje sipas këtyre kritereve: shuma e krediteve të këtyre lëndëve të jetë jo më e vogël se 8 dhe numri i lëndëve me zgjedhje të jetë 2 ose 3. MASH ka përcaktuar listën e lëndëve të provimeve me zgjedhje të Maturës 2012, ku përfshihen lëndë nga kurrikula bërthamë dhe nga kurrikula me zgjedhje. Më konkretisht, nga kurrikula bërthamë, për të gjitha shkollat e mesme, maturantët mund të përzgjedhin si lëndë me zgjedhje: gjuhën e huaj të parë, kiminë, fizikën, biologjinë, shkencat e tokës, qytetarinë, historinë, gjeografinë, ekonominë, teknologjinë. Kurse lëndët histori muzike, harmoni, histori arti, anatomi, histori baleti mund të përzgjidhen vetëm nga maturantët e shkollave artistike, dhe teoria profesionale vetëm nga ata të shkollave profesionale. Ndërkohë, nga kurrikula me zgjedhje maturantët mund të përzgjidhen plot 22 lëndë, që janë: letërsi e thelluar, matematikë e thelluar, fizikë e thelluar, kimi e thelluar, biologji e thelluar, trashëgimi kulturore, sociologji, histori e thelluar, gjeografi e thelluar, psikologji, filozofi, ekonomi e thelluar, teknologji e thelluar dhe gjuhë e huaj e dytë, angleze, italiane, franceze, gjermane, spanjolle. Sipas udhëzimit, çdo maturant mund të zgjedhë një ose dy gjuhë të huaja, me kusht që njëra të trajtohet si gjuhë e huaj e parë (10 kredite), ndërsa tjetra si gjuhë e huaj e dytë (6 kredite). Po ashtu, çdo maturant ka të drejtë të zgjedhë nga lista e lëndëve që i përkasin kurrikulës me zgjedhje, një apo më shumë lëndë, pavarësisht nëse i ka zgjedhur ose jo apo i janë ofruar ose jo nga shkolla gjatë viteve të studimit në shkollën e mesme. Lënda “Trashëgimi kulturore” përmban trashëgiminë kulturore shqiptare (2 kredite) dhe trashëgiminë kulturore europiane (2 kredite). Maturantët që do të përzgjedhin këtë lëndë do të testohen duke e trajtuar atë si një të tërë me 4 kredite. Po kështu edhe lënda “Histori e thelluar” përmban histori të qytetërimit botëror (2 kredite) dhe histori të qytetërimit shqiptar (2 kredite). Edhe në këtë rast, maturantët që do të zgjedhin këtë lëndë do të testohen duke e trajtuar atë si një e tërë me 4 kredite. Sakaq, programet orientuese të lëndëve me zgjedhje si nga kurrikula bërthamë ashtu edhe nga ajo e lirë do të jenë të njëjta për të gjithë maturantët që plotësojnë Formularin A1 dhe A1Z.