08/11/2011  Kryetari i Shoqatës së Gjuetarëve, Albert Mazelliu: E vetmja mbrojtje, krijimi i zonave të mbrojtura


DEVOLL- Thëllëza e malit dhe ajo e fushës, lepuri i egër dhe kaprolli, por edhe shpendë dhe kafshë të tjera të egra, dikur banorë të përhershëm të pyjeve të Devollit, sot janë drejt zhdukjes së plotë. Pyjet nuk kanë më atë gjallërinë e dikurshme, mungon bukuria e lëvizjes së kafshëve, nuk ndjen më fërfëllimën e fluturimit të shpendëve, pylli të jep përshtypjen e një vendi të braktisur, dhe mbi të gjitha kjo pasuri e madhe kombëtare po shënon fundin e vet. Gjuetia e paligjshme, nga vetë gjahtarët e rrethit, për vite të tëra me radhë u shndërrua në një masakër të vërtetë. Sikur të mos mjaftonte e gjitha kjo, në këto zona nisën të vijnë gjuetarët e rretheve të tjera, madje nuk mbeten pas as turistët dhe vizitorët që vinin nga shtetet fqinj, të cilët nuk kishin aspak për synim njohjen e trojeve tona, por gjuetinë e thëllëzës, të lepurit të egër dhe të kaprollit.


Gjueti pa kriter


Situata u rëndua edhe më tej, nga rritja e ndjeshme e armëve të gjahut. Sot vetëm në rrethin e Devollit numërohen rreth 1700 armë, gjë që do të thotë se një armatë e madhe sulmon në çdo kohë edhe ata pak kafshë të egra që kanë mbetur (nëse kanë mbetur). E vetmja shpresë për mbrojtjen e banorëve të pyllit, mbetet krijimi i zonave të mbrojtura në të kundërt, këto lloj kafshësh do të kthehen në një nostalgji të përhershme. Shqetësimin në fjalë e sjell për gazetën “Metropol”, kryetari i Shoqatës së Gjahtarëve të rrethit Devoll, Albert Mazelliu. Sipas tij, kujdesi i gjahtarëve për të respektuar të gjitha rregullat dhe ligjet mbi gjuetinë vijoi së paku deri në vitin 2000, ndërsa pas kësaj periudhe gjithçka do të kthehej në një kaos, ku askush nuk respektonte asgjë, madje as periudhën kohore të shumëzimit, kur gjuetia ishte e paligjshme. Nëse shoqata numëronte rreth 500 anëtarë, pas kësaj do të niste edhe shthurja e shoqatës. Shumë prej tyre dolën nga shoqata për t’ju bashkuar pjesës tjetër që nuk respektonte as ligj dhe as rregull. Aktualisht numërohen 1700 armë gjahu, çka do të thotë se numri i gjahtarëve është rritur ndjeshëm dhe gjenden jashtë kontrollit. Tashmë, jo si gjithnjë, shprehet Mazellu, gjuetia do të vijonte edhe natën me drita, duke e kthyer këtë gjueti në një shfarosje të pamëshirshme të kafshëve dhe shpendëve. Për rrjedhojë, bashkëpunimi me Drejtorinë e Shërbimit Pyjor dhe me strukturat e tjera përkatëse mbërriti në nivelet më të ulëta. Megjithatë, shton Mazelliu, sërish shqetësimi u ngrit nga vetë gjuetarët që vijojnë të jenë pjesë e shoqatës, të cilët nuk mundeshin të lejonin që kjo masakër të zhdukte dhe thëllëzën e fundit. Për këtë arsye, u kërkua ndihma e Drejtorisë së Shërbimit Pyjor, por edhe e strukturave të policisë, me qëllim që t’i jepej fund këtij fenomeni barbar.


Të mbrohemi...


Të gjendur në këto kushte u kërkua krijimi i zonave të mbrojtura, pasi vetëm kështu mund të vihet nën mbrojtje ato zona ku mund të mbarështohen shpendët dhe kafshët e egra të pyllit. Aktualisht, së bashku me institucionet e përmendura më sipër po krijohet një zonë e mbrojtur: Kokogllavë – Korijet – Lapishtë – Stranë - rruga Vërnik - Bilisht. Është një sipërfaqe prej 500 ha, ku mendohet të mbarështohet lepuri i egër, thëllëza malore dhe fushore dhe kaprolli. Më pas pretendojmë të rrisim gamën e kafshëve të egra. Gatishmëria e gjahtarëve të organizuar në shoqatë është e plotë. Me këtë iniciativë i kemi shpallur “luftë” gjuetisë së paligjshme, besojmë se me ndihmën e strukturave përkatëse do t’ia dalim mbanë. Gjithsesi nuk mund të thuhet se është një punë e lehtë, pasi të ndalësh amatorët e gjuetisë që përdorin çdo mënyrë dhe mjet”, përfundoi kryetari i Shoqatës së Gjuetarëve të rrethit Devoll, Albert Mazelliu.