Të përkushtuar pas përkthimit të shumë kryeveprave botërore, Jorgji dhe Agim Doksani sjellin një libër studimor për letërsinë  , Nga prof. dr. Adriatik Kallulli
At e bir, të përkushtuar pas përkthimit të shumë kryeveprave botërore, Jorgji dhe Agim Doksani, kësaj here paraqiten bashkërisht me një libër të ngjeshur studimor për letërsinë botërore të shekullit XX. Përfshihen në të edhe panorama sintetike për rrjedhën e letërsisë në tridhjetë vende të botës, në të gjitha kontinentet, edhe të dhëna lakonike për më shumë se 260 individualitete të shquar, veçanërisht për novelistët, por edhe të tjerë që kanë shtatin e tyre dhe gëzojnë reputacionin mbarëbotëror. Informacione pak të njohura dhe interpretime për dhjetëra kryevepra të dala në këtë shekull dhe që për vlerat estetike, mesazhet e mëdha dhe origjinalitetin e spikatur, janë përkthyer në tridhjetë-dyzet gjuhë të botës, shfrytëzuar për filma, dramatizime.

Hollësi interesante për jetën dhe biografinë krijuese të shumë shkrimtarëve, pasojat e rënda që kanë pasur pikërisht se kanë mbrojtur me vetëdije principet themelore të artit dhe të qenit artist. Të ndodhur në të njëjtën periudhë kohore, shekulli XX dhe në këta pak vite të shekullit të ri, pranë apo larg gjeografikisht njëri-tjetrit, ata kanë përjetuar atmosfera të përafërta social-historike, janë goditur nga dhuna e dhunime gjithfarësh, skanë pyetur për fatin e tyre personal dhe secili e bashkërisht kanë mbajtur ndezur zjarrin e humanizmit, kanë ndezur me të vatrën e së vërtetës në kombet e ndryshme të botës. Me veprat e tyre më përfaqësuese kanë çuar më tej bukurinë e artit të letërsisë, kanë ripërtërirë mënyrat e të shkruarit, me përpjekje shumë të vetëdijshme dhe natyrisht në saje të talentit të tyre dhe vullnetit titanik, vërtetë e kanë çliruar artin nga qelia e realizmit, sikurse shprehet Oskar Uajldi. Sepse, as jeta dhe aq më shumë arti nuk mund të përparojnë në monotoni dhe ujëra të ndenjura. Ripërtëritja e artit ska qenë as në këtë shekull diçka e thjeshtë dhe e lehtë. Secili shkrimtar që ka bërë diçka për këtë ripërtëritje duhet të kalonte më parë si nëpër një sitë tërë letërsinë e mëparshme botërore, të gjykonte në radhë të parë kolosët, duke u bindur se vlerat e tyre sjanë tranzitore, por gurë ciklopikë, vendosur në themele të panteonit estetik. Janë nisur ti tejkalojnë, por ec e kaptoje Himalajën e Homerit, Virgjilit, Dantes, Shekspirit, Servantesit, Gëtes, Balzakut, Dostojevskit, Tolstotit e dhjetëra të tjerëve. Duke kundruar bukuritë e shprehjes së tyre, janë dashuruar fort me ta. Kështu gjyshërit dhe stërgjyshërit e letërsisë i marrin për dore nipat dhe e bëjnë udhëtimin bashkërisht. Albert Kamy ka qenë adhurues i pataksur i Dostojevskit, Frans Kafka i mahnitur pas Gëtes. Adhurimet e Stefan Cvajgut për të mëdhenjtë e shekujve të kaluar shkonin deri në  vetëtherori, ngaqë studionte imtësisht gjithçka të tyre, duke të kujtuar atë sentencën e Turgenievit: Dëshiron të jesh i lumtur? Mëso para së gjithash të vuash.. Sillen shumë shembuj rrëqethës nga të tilla vuajtje të vetëpranuara. Le të përmendim disa. Xhejms Xhojs (1882-1941) shkrimtari novator irlandezqë përmbysi kuptimin tradicional të romanit, kreu rreth dyzet operacione në sy dhe sërish përvijonte punën e tij titanike. Çdo ditë e çdo çast në jetën e Frans Kafkës ka qenë e ngjyer me vuajtje, sepse, siç thotë një kryepersonazh i tij: Gjithçka e kësaj bote ka të bëjë me gjyqet.. Dhe asnjë gjyq stë lë kurrfarë shijeje të mirë. Vetëtherorizmi krijues përfshin sidomos shpirtrat e ndjeshëm poetikë. Tragjeditë e tyre, shpesh edhe suicidet (vetëvrasjet) në moshë tepër të re, shkaktohen nga sulmet dhe kërcënimet e shpeshta të së keqes. Sështë thënë kot se në çdo vetëvrasje ka një vrasës. Vdekje inteligjencës, vdekje poetëve, janë parullat e regresit. Fat të tillë pësojnë filozofi dhe eseisti Migel de Unamuno, poeti Garsia Lorka (1898-1936), Sergei Esenini, Vladimir Majakovski, Marina Cvetajeva, kalorës të fjalës së lirë që shuhen nga sindroma e përbashkët: Vargjet janë dënesa jonë. (Ahmatova). Por edhe japonezët Akutagava Runoske, Jukio Misimo, Jasunari Kavabata, por edhe të tjerë e të tjerë, shuar, vetëshuar apo vrarë ndër luftërat e jetës, siç thoshte Migjeni ynë. Ata janë dëshmi e dhimbshme se edhe në shekullin XX kamxhikët e dhunës lëshohen ditë-natë ndaj bartësve të së vërtetës. Shkrimtari e di më mirë se shumëkush diçka të tillë. Meritë e studimit është se në të nuk vihet re asnjë paragjykim për përkatësitë ideologjike të shkrimtarëve. Mjafton që ata të jenë artistë të nivelit të lartë. Ndryshe nga disa artikuj e studime ku lehtësisht kalohet në mohime ekstremiste, në këtë vëllim do të gjesh pranë e pranë shkrimtarë që vijnë nga e djathta apo nga e majta. Vlerësime reale, objektive, për Maksim Gorkin dhe Vladimir Majakovskin që për autorët është poet me përmasa krijuese të jashtëzakonshme. Studimi u vjen në ndihmë tërë mësuesve dhe pedagogëve të letërsisë, veçanërisht nxënësve të viteve të fundit dhe studentëve të artit të letërsisë, psikologjisë artistike, natyrisht edhe krijuesve të rinj. Në një ribotim të tij mund të shmangen eklektizmat, disproporcionet, kalimet e nxituara mbi disa shkrimtarë dhe kryevepra, të cilat janë në të vërtetë si luftanijet e mëdha brenda oqeanit të letërsisë dhe zbulimi i dialektikës së disa shkrimtarëve në kushtëzim me situatat historike që përjetojnë, traditat dhe filozoftë që thithin, përjetimet që kanë.






Last Updated on Saturday, 21 March 2009 23:34