Për të gjithë e në të gjitha pikëpamjet kam qenë e jam njeriu kot, i humbur.


Jam i humbur / I huaj ndaj të gjithëve.


I humbur jam midis qiellit të bardhë dhe monotonisë së ngjyrave.





Vepra e Albert Kamysë hapi rrugë të veçantë në letërsinë botërore. Letërsia e tillë, e absurdit, pushtoi gjeninë krijuese në shekullin XX. Termi kamyjen pati ndikim të madh tek autorët e mëtutjeshëm, duke e bërë aktuale temën e absurdit. Veçanërisht “I huaji” qe kulminacioni i dominimit. Kjo frymë u përhap edhe në krijimtarinë letrare shqiptare. Autori shqiptar që e realizoi mirë letërsinë e absurdit është Fatos Kongoli. Ndikimi kamyjen shfaqet në veprën e titulluar “I humburi”. Kamy evokon njeriun e huaj të shekullit XX, ndërkaq Kongoli njeriun e humbur të shekullit XXI. Shqipëria e viteve ‘70, në një periudhë gati 40-vjeçare, dominon romanin e Kongolit. Si rrëfyes të ngjarjes Kongoli ka narratorin Thesar Lumi. Rrëfimi zhvillohet duke u përcjellë me rrethanat dhe ngjarjet e kohës. Esencë janë ngjarjet personale, të heroit rrëfimtar, me përmasa absurde. Ideja e të humburit në këtë botë e përshkon tërë romanin e Kongolit. Rrëfimi hapet si tragjicitet shpirtëror i narratorit rrëfimtar. Shtyllat e absurditetit ndërtohen nga: kotësia e jetës, jeta pa motiv, koha e mbytur dhe qytezën e pluhurosur. Brenda këtyre kufizimeve, Thesar Lumi lëviz i humbur. Ky është konteksti që do të thuret deri në fund të romanit.


E kaluara e personazhit të Kongolit, reflekton të tashmen e tij. E kaluar, e cila zgjeron absurditetin. Koha kalon vite në roman, ndërsa ngjarja zhvillohet në vijë të njëjtë. Njëtrajtshmëria bën që romani të funksionojë në mënyrë që prirja fëmijërore e Thesar Lumit të zbulojë mediokritetin e jetës. Jetë të cilën e jeton. Ai zbulon servilitetin e babait: “Im atë nuk ishte i fortë ishte frikacak”. Për herë të dytë, zbulon hipokrizinë e njerëzve të tij: “Ne rriteshim të bindur se ishim fëmijët më të lumtur në botë”.


Për herë të tretë, zbulon që dajën e kishte të arratisur: “Dajën duhet ta urresh” e mësuan Thesarin. Mjaftonte për të, e për rrethin e tij fjala i arratisur.


Zbulimet jetësore që Thesar Lumi i quan histori, do ta përcjellin si kob gjatë tërë jetës. Heroi përjeton zhgënjim shpirtëror kur i prishet imazhi për të atin. Babi përkulet para Xhodës. Babi në atë moshë nënkupton madhështinë. Te Thesari shuhet ëndrra e bukur fëmijërore. Xhoda hap rrugën e vuajtjeve dhe traumave të para. Si drejtor shkolle, metodë të punës ka rrahjen. Nga ai, “Ati e merr zanatin me rreh”. Ndërsa, heroi i romanit, nga ia merr zanatin e hakmarrjes. Thesari vret qenin e Vilmës (vajzës së Xhodës), që të vuajë Xhoda. Si rrjedhojë, Thesarit i imponohet loja e aktrimit, loja e maskave sikur gjithë të tjerët. (prindërit, mësuesit, drejtori etj.). Ai duhet ta luaj lojën me hipokrizi. Më tej, personazhit i duhet të jetoj me “minën biografike”, kur duhet ta mbajë të fshehur historinë e dajës së arratisur.


Kapitulli i fëmijërisë së Thesar Lumit do të mbyllet nga Xhoda. Vrasja e qenit do të zbulohet, ku me këtë rast Thesarit i duhet të zhduket. Xhoda luan rol vendimtar.


Shkurtimisht, fëmijëria e Thesar Lumit krijohet me personazhet: Xhoda, Vilma, Fagu. Vilma është personazh që bashkë me të atin, Xhodën do ta përcjellin kujtimin e heroit të romanit deri në fund, duke ndryshuar kthesat e jetesës së tij. Në këndvështrimin tjetër, Vilma do të jetë edhe mollë sherri për Thesarin. Fillimisht ajo shfaq urrejtje për të.


Në pjesën e dytë ajo do të dashurohet përfundimisht. Imazhi i fëmijërisë i Thesar Lumit mbyllet duke iu krijuar heroit kompleksi i inferioritetit. “Pragun e fëmijërisë e kapërceva pikërisht me këtë zbulim: ekzistonte një ndjenjë që njerëzit e quanin inferioritet”.


Jeta e Thesar Lumit merr një kahje tjetër. Regjistrohet në fakultet me ndihmën e të parit të qytetit, Hulusiu. Ky i fundit ekspozon një shtresë tjetër njerëzish, që është gjithashtu thumbuese. Në këtë rreth të dyfytyrësisë, Thesari futë: babën, nënën dhe Hulusiun. Përgjërimi ndaj individit për interes përshkruhet shumë bukur nga fëmija. Këtu, fillon jeta studentore e Thesarit, e cila krijohet me: Ladin, Sonjën dhe sytë e bardhë.


Në periudhën e dytë të jetës Thesari do të ndeshet me një ambient tjetër kohor. Me shtresën e pasur. Do të futet “brenda rregullave të lojës”, por pa iu përshtatur atyre. Përmes Ladit, shokut të universitetit, Thesari do të njoftohet me kushërirën e tij, Sonjën


(grua të cilës i ka vdekur burri dhe ka një djalë). Sonja dhe Ladi i përkasin shoqërisë së lartë. Kongoli, këtu do të gjejë një shteg që ta thumbojë “aristokracinë”, me sytë e të riut. Në ditëlindjen e Ladit, ai do t’i analizojë “të ftuarit në ekuilibër të llogaritur”, ku vetja do t’i duket majmun i kopshtit zoologjik. Do të vështrojë babanë e Ladit me mungesën e edukatës themelore të përshëndetjes. Në këtë rreth do të ndihet i huaj. Ndjena e të huajit do t’ia ndryshojë edhe thithjen e ajrit. Mundimi në këtë ambient aristokracie dhe feste rritet kur Thesari nuk mundet ta kalojë kompleksin e inferioritetit. Interesimin ndaj të ftuarve për të ishte zero.


Mungesa e rehatisë do të zhduket me shfaqjen e Sonjës. Shfaqja e saj do t’i ndryshojë ngjyrat. Aty do të lind dashuria “kobëmbjellëse”, si e quan Thesari. Në këtë festë të huajsh, Thesari do ta njofton djalin e ministrit, që e riemërton “Sytë e bardhë të lëngëzuar”. Ky do të jetë mollë shkatërrimtare e sherrit. (Ky është i dashuruar në Sonjën, dhe të kundërtën e njeh si humbje të tmerrshme. Si hetues i policisë do t’i lëshojë thumbat ndaj Thesarit duke ia zbuluar “minën biografike”, dajën e arratisur. Në këtë rast do ta shpëtojë Ladi, sepse që të dy emërohen me pozicione të larta dhe secili ia di tjetrit “thembrën e Akilit”).


Me gjithë dashurinë vullkanike të Sonjës, Thesari vazhdon të ndihet i huaj në gjirin e saj. Ai nuk do të kupton shumëçka dhe nuk do t’iu përkasë atyre, sado që jeton në të. Kjo ndjenjë e të humburit, i reflekton nga fëmijëria. Gjithmonë do ta konsiderojë veten si njeriun e dorës së fundit, duke e jetuar jetën e dyfishtë. Botën e mendon si hapësirë të zbrazët të absurdit, ndërsa vetën si njeri impotent brenda kësaj hapësire. Kjo ndjenjë e të huajit në këtë botë do ta përcjellë deri në ditët e fundit të rrëfimit të tij.


Romani i Kongolit si frymëzim i romanit të Kamysë, ngjallë kureshtjen se: ku takohet heroi shqiptar, i Kongolit, me heroin e Kamysë? Duke ditur se dy personazhet e dy autorëve të përmendur jetojnë botën e absurdit. Gjithashtu, që dy personazhet rrëfejnë në vetën e parë, duke përshkruar gjithçka hollësisht, pa dalë përtej vetvetes. Ajo që ndryshon midis dy veprave, me gjithë temën e njëjtë, të absurdit, është që romanet shkruhen në dy pikëpamje të ndryshme, në vende, kohë dhe rrethanë të ndryshme.


Temën e tillë Kamyja e ka realizuar duke e ndarë romanin në dy pjesë, brenda së cilës përshkruhen tri vdekje: vdes e ëma e Mërsoit, vdes Arabi (të cilin e vret Mërso) dhe në fund ndëshkohet me vdekje Mërso. Këndvështrimi i tij është i ndryshëm nga i të tjerëve. Ky tip karakteri rezulton më së miri në “vetëmbrojtjen” që bën në gjyq. Ai, asnjëherë nga dita e parë e arrestimit e gjer në fund nuk mendon për një zgjidhje. Nuk merr asnjë lloj mase për të dalë nga burgu. Sikundër ai e zgjeron absurditetin me mënyrën e deklarimit të së vërtetës: “I thashë se ndodhi rastësisht”. Dielli ishte arsyeja më e fortë për ta konkretizuar këtë rastësi. Vrasja e tillë është mister për të tjerët. Mërso ishte absurd edhe me mënyrën e të menduarit. Gjatë procesit të burgimit, harronte se bëhej fjalë për të.


Nuk ishte i interesuar as për avokat. Mezi priste të mbaronte seanca e të kthehej në qelinë e tij. Ai ambientohet me mënyrën e jetesës, duke gjetur përkrahje në kujtimin e fjalëve të mamasë: “njeriu mësohet me çdo gjë”. Humbja e nocionit të kohës nuk kishte domethënie të madhe për të. Fjalët dje dhe nesër përbëjnë të veçantën për të.


Karakteri i Mërsos nuk kuptohet kurrë gjer në fund. Këtu autori lë mundësi të ndryshme të interpretimit. Pikërisht ky moskuptim gjerë në fund arrin shkëlqimin e realizimit të Kamysë. Heroi i Kamysë nuk qan për mamanë e vdekur, duke mos shfaqur asnjë shenjë mërzie të natyrshme të njerëzimit. Pas ceremonisë së varrimit të mamasë, Mërsoja i lodhur mendon: “Kaloi edhe kjo e diel, mamaja ishte varrosur, unë do të rifilloja punën dhe tek e fundit, asgjë s’kishte ndryshuar”. Ai po ashtu pas varrimit takohet me Marinë, të dashurën. Mos ndjeshmëria e shfaqur për mamanë dhe takimi i menjëhershëm me Marinë, do të jenë mallkim për Mërsonë. Gjatë gjykimit, gjykatësit dhe të tjerët do të merren më shumë me të, me vdekjen e mamanë së tij, sesa me vrasjen e bërë. Në rastin e Mërsos, mollë sherri është vdekja e mamasë. Mënyra e sjelljes së tij, gjatë vdekjes së mamasë, provon për gjykatësit se Mërsoja, ishte kriminel. Ndërkaq, takimi dhe dashuria me Marinë do të jetë një shtytëse tjetër e këtij mendimi.


Mërsoja i Albert Kamysë dhe Thesar Lumin i Fatos Kongolit, me gjithë absurditetin e jetës, dallojnë shumë. Kthesat e jetës marrin kahe të ndryshme te narratorët. Në thelb, Thesarit ia imponon pushteti të kalojë jetë të absurdit, të asgjësë, duke i mbyllur çdo shteg pa i lënë rrugëdalje. Mërsoi trefish është absurd. Fillimisht e dënon natyra - dielli, duke e bërë që të kryej vrasje absurde. Gjyqi i shtetit e dënon në fund me vdekje. Përfundimisht Mërsoi është i krijuar absurd, si natyrë njerëzore. Protagonistët e dy romaneve, “I huaji” dhe i “Humburi” janë të ndryshëm, bile shumë të ndryshëm, në aspektin e dashurisë. Mërsoja është i ftohtë në këtë kuptim, si në kuptimin e mamasë. Konkretizim, është pyetja e të dashurës, Marisë, nëse donte të martohej me të: “I thashë se s’më prishej ndonjë punë dhe se ne edhe mund të martoheshim po të donte ajo”.


Në pyetjen e saj se a e dashuronte: “kjo nuk kishte aspak rëndësi, por padyshim që nuk e dashuroj”. Thesar Lumi është kontrast i madh në këtë aspekt. Sonja do të përpijë qenien e tij në kuptimin fizik të fjalës. Lumturinë me Sonjën, ai e quante absurde. Pa të dashurën, Sonjën, personazhit të Kongolit dita i bëhej shekull. Bota nuk kishte ngjyrë pa të. Kur rrethana i krijohet të mos e takoj Sonjën, Thesari mendon ta merr arratinë, të mbyllej në ndonjë shpellë, ta çonte jetën e eremit. Bota me Sonojen, hidhej në një humnerë ekstaze. Për të, ajo ishte gruaja qiellore. Lidhja me të fillon si dalldi, vazhdon si sfidë dhe mbaron si tragjedi.


Ndonëse, ndryshe në pikëpamjen e dashurisë, Thesari dhe Mërso, protagonistë të dy teksteve të lartpërmendur do të kenë të njëjtin fat, në pikëpamjen e “normave të sjelljes”. Troç do të bien ndesh me “rregullat e lojës”. Në këtë humnerë ata i përkasin një bote tjetër. Janë të huaj për rrethin e normave/rregullave. Mërsoi nuk do të njohë rregullat dhe procedurat e jurisë, avokatëve, prokurorit dhe gjithashtu leximi i aktakuzës do të jetë i panjohur për të. Më tej, ai edhe do të jetë inferior ndaj kësaj procedure. Ai nuk mësohej me mendimin se ishte kriminel. Edhe ky fakt ishte i huaj për të. “Çdo gjë ishte kaq e natyrshme, kaq e rregulluar mirë dhe e luajtur me kaq thjeshtësi saqë unë pata përshtypjen qesharake se “isha i familjes”. Personazhi i Kamysë është jashtë këtij sistemi.


Thesar Lumi humb brenda aristokracisë së shtetit. Perceptimi i kësaj shoqërie, i këtyre rregullave, deklarohet mirë nga Sonja: “Ata janë kafshë, janë tigra para lepujve dhe lepuj para tigrave. Shoqëria jonë, monolite, siç thuhet, është e kalbur. Sepse atë e drejtojnë njerëz parvëny”. “Kjo është fatkeqësia e madhe e kombit”. Vështirë se do të shpëtojmë ndonjëherë nga parvënytë...”. Këtu flet Kongoli nën hijen e Sonjës. Thesari, Sonja, Ladi e tërë vendi, janë viktimë e këtij pushteti të banalizuar, të viteve ‘70.


Thesari është i humbur edhe brenda shoqërisë së re të krijuar: Ladi / Sonja. Brenda rregullave të tyre heroi i Kongolit, do të humbasë në hapësirë pa mundësi orientimi. Situatat e ndryshe e provojnë në shumë mënyra: “Për herë të parë i thashë vetes se këtu isha i huaj. Isha futur rastësisht në ingranazhin e jetës së ca njerëzve, të cilët, sado të afërt, prapë mbështjellshin si një mjegull enigme, që do të mbetej për mua e padepërtueshme”..


Fatos Kongoli dhe Albert Kamy kanë krijuar njeriun e absurdit në shoqëri të ndryshme. Thesari është “i humbur”, Mërso është “i huaj”. Dy heronjtë e romaneve “I Huaji” dhe i “I Humburi”, humbasin çdo lidhje me traditën e normën. Ata sillen të humbur dhe të pavlerë. Në rastin e gjykimit të Mërsosë kur turma garohet për të përcjellë procedurën, ky habitet sepse “Zakonisht njerëzit nuk ma vinin veshin”. Ndërkaq, personazhi i Kongolit jetonte nën mendimin: “Kam qenë dhe jam njeriu i dorës së fundit”.


Protagonisti i Kongolit komunikon me protagonistin e Kamysë edhe në aspektin fetar. Thesari dhe Mërsoi janë rritur pa ndjenja fetare, pa besim në Zot. Edhe me këtë mënyrë të të jetuarit janë të huaj ndaj rrethit. Mërso, gjatë qëndrimit në gjyq shumë herë ballafaqohet me priftin i cili mundohet ta ngushëllojë me besim në Zot. Mërso refuzon priftin. Shfaq mosbesimin për botën tjetër derisa e emërojnë “antikrisht”. Thesar Lumi në fillim të rrëfimit shfaq mungesën e kësaj ndjenje. As Thesari nuk e jeh Zotin. Nuk i njeh zakonet fetare.


Thesari e Mërso komunikojnë edhe në aspektin emocional. Ata arrijnë në fazën e shpërqendrimit, kur diçka ngacmon qenien e tyre. Thesari çekuilibrohet në ngrohtësinë e gjinjve të Sonjës. Mërso çekuilibrohet gjatë përfytyrimit të dashurive që kishte njohur.


Autorët e dy romaneve objekt, shpalosin botën shpirtërore dhe emocionale.


Me përshkrime të hollësishme , rrëfime esenciale, veprime absurde autorët japin një jetë të vdekur. Jetë e cila ndërtohet mbi fatkeqësinë. E cila shkon drejt rrënimit. Dy autorët kanë në qendër një hero, me anë të të cilëve arrijnë të nënvizojnë absurditetin e kohës. Mërso dhe Thesari janë fatkeq secili në mënyrën e vet. Mërsosë i vdes e ëma, vret arabin dhe përfundon në burg. Gjysma e romanit jepet nën ethet e vdekjes. Sikundër, Thesari zbulon mediokritetin e jetës, zbulon servilitetin e saj, zhgënjehet në çdo fill të saj. Fillimisht ai është i torturuar nga Xhoda, drejtori i shkollës, pastaj hakmerret ndaj tij, duke e përdorur të bijën, Vilmën. Më vonë hynë në botën e aristokracisë ku jetën e ndërton nëpërmjet Ladit e Sonjës. Ladi përfundon me vetëvrasje, Sonja me arratisje, ndërsa ky mbetet më humbur se kurrë. Sytë e bardhë gjithmonë do ta kenë në përcjellje, Thesarin, si më vonë Sytë e kriminelit - Faguja. Ky i fundit është tjetër personazh që shfaqet në fillim të romanit të Kongolit. (Rrugaç i shkollës me bandë, i dashuruar në Vilmën). Në fund heroi i Kongolit do të ndeshte me të. Pas një lloj aventure të vogël me Vilmën, (më shumë me iniciativën e saj, sepse Thesari ishte i dehur nga dashuria për Sonjën) Sonja bën vetëvrasje, nga dëshpërimi që e dhunon Fagu. Në fund të veprës


“I humburi” mbesin Thesari dhe Xhoda duke e vuajtur jetën, duke nëmur njeri-tjetrin. Thesari endet i vetmuar, duke u ndier si Buda, ndërsa, ferri i jetës së tij Xhoda ende, si një i krisur gjakpirës. Jetojnë si mallkim i njëri tjetrit. Pikëtakim i tyre mbetet varri i Vilmës.


Thesar Lumi- shqiptar dhe Mërso - francez ndëshkohen në mënyra të ndryshme, i pari ndëshkohet duke mos vdekur i dyti me vdekje.


Mërso në ditët e fundit ëndërron aromën e verës, fustanin e Maries, lagjen e dashur, qiellin e veçantë të mbrëmjeve. Se jeta i ka marrë një kahe tjetër, Mërso e kupton në momentin kur e kishte goditur arabin: “E kuptova se kisha prishur ekuilibrin e ditës, qetësinë e jashtëzakonshme të plazhit ku kisha qenë i lumtur”. Dy gjërat për të cilat mendonte nën pritjen e vdekjes ishte agimi (sepse ne mëngjes kryheshin pushkatimet) dhe lutja për falje.


Sado që i humbur në këtë botë, heroi i Kamysë, kalon jetë të mirë. Me mënyrën e vet të të jetuarit, ndryshe nga ne, prapë ai është i lumtur në të. Me gjithë ftohtësinë e tij ndaj njerëzve, ai është i kënaqur shpesh herë me ta. Gjatë qëndrimit në burg, në disa raste, vërshon ndjeshmëria e Mërsos. Ai del nga vetvetja: “Me një shpërthim e një shikim aq triumfues në drejtimin tim, saqë për herë të parë pas shumë vitesh pata një dëshirë të marrë të qaja sepse e ndjeva sa shumë më përbuznin gjithë këta njerëz”. Pastaj kur Çelesta deklaron për të në mënyrë mbrojtëse, Mërsos i lindë ndjenja e parë në jetë për të përqafuar një burrë. Disa herë vërehet edhe mallëngjimi i Mërsosë për Marinë.


Krahas Mërsos, Thesar Lumi ballafaqohet ndryshe me të jetuarit. Mërso me rrethanë e pa rrethanë është njeri i absurdit. Sikundër tij, Thesarit i kushtëzohet një jetesë e tillë. Një jetë absurde me përmasa të jashtëzakonshme. Dallon nga absurdi i parë, sepse ky është absurd i imponuar. Rrota e mekanizmit nuk e merr me vete Thesarin vetëm me një veprim, siç e merr Mërsonë, por atë e përcjellë në çdo hap. “Ne kemi kaluar një fëmijëri nën dajak e vazhdojmë të mbahemi nën dajak”, rrëfehet Thesar Lumi.


Kur Mërso dëshmon para gjyqit që krimi i bërë ishte rastësi, gjykatësi shkruan dënimin, sepse mendon që: “Rastësia kishte marrë me vete shumë mëkate në këtë botë”. Te Kamyja dënohet rastësia. Por, në njëfarë mënyre dënohet një krim i bërë. Thesari nuk kryen krim. Pas një varg torturash provon ta plagos Fagun me thikë po dështon. Për herë të dytë mendon të kryej krim kundër “Syve të bardhe”, por nuk mundet. Nuk ishte i zoti ta vriste veten, edhe kur merr vesh për vetëvrasjen e Ladit. Ai është i ndjeshëm nga vdekja e të tjerëve. E përcjell era e gjakut kudo, pas vdekjes së Ladit, pushkatimit të babait të tij, zhdukjes së Sonjës dhe vdekjes së Vilmës.


Thesari është më shumë i dënuar. “Tigri vdekjembartës i përgjonte të gjithë. Ishte koha kur askush nuk ndihej i sigurt. As të lumturit në lumturinë e tyre, as të mjerët në mjerimin e tyre. As torturuesit, as të torturuarit. As të mençurit as budallenjtë. As të drejtët, as maskarenjtë. Të gjithë ia kishin frikën tigrit, të gjithë ia kishin friken njëri-tjetrit”.


Personazhi i Kongolit është i humbur, i dënuar çdo herë. Ai është i tejndjeshëm. Kur mbetet pa Sonjen, çdo gjë e përcakton në raport me të. Nuk mund të çojë dashuri me Lindën, as ta dashurojë Vilmën. Ai nuk mundet ta kapërcejë Sonjën. Vilmën e dashuron në mënyrë tjetër, që as vet nuk e përcakton. Misterioze mbetet se gjithmonë në sytë e saj sheh sytë e Ladit. Një herë ai arsyeton edhe Fagun duke ndier keqardhje, duke menduar që edhe ai vuante në mënyrën e vet. Këtu ai e shihte edhe tragjikomedinë. Faguja bënte luftë me të për Vilmën, ndërsa, ky nuk e dashuronte. Thesari është karakter i butë. Asnjëherë ai nuk tenton të përfitojë nga shoqëria me Ladin. Ladi do të mbetet një yllësi tjetër dhimbjeje në qiellin e zbrazur të tij. Pranë dashurisë së Sonjës ai dëshironte të ishte Noa biblik dhe të merrte barkën së bashku me të dashurën. Në një rast tjetër veten e sheh si Martin Iden, pranë dashurisë së saj.


Personazhi i Kongolit, Thesar Lumi, e kërkon vdekjen, Orën e mallkimit e sheh gjithkund. Arsyeja që qëndronte në jetë ishte pamundësia për tu larguar nga ajo. Jetën e quante vdekje për së gjalli andaj i dukej torturë në amshim. Në këtë kuptim dënohet më shumë se Mërso i Kamysë. Ky i fundit e pret vdekjen, ndërsa Thesari nuk pret asgjë përpos vuajtjes dhe torturës. Nuk ka se ku të prehet, kur çdo gjë është e mbështjellë me heshtjen e vdekjes.“Në qytezë varej një heshtje vdekje”. Arrestimi i babait të Ladit përbën edhe fundin e Thesarit dhe lidhjes treshe”. Ladi/Sonja/Thesari. Gjendja e rëndë e shtynte Thesari në krizat e halucinacionit e të çmendurisë: “Rënkimet e Sonjës dhe dihatjet e syve të bardhë po me çmendin”. Për Sonjën nuk thuhet më asgjë. Ajo zhduket nën valët rrëmbyese të jetës. Ndoshta kishte mbetur në duar e djalit të ministrit. Ndoshta.....? Thesar Lumin e mbyt kjo mosdije. Këtë enigmë kishte refuzuar ta dinte, pasi nuk ishte i aftë të përdorte thikën. Gjendja shpirtërore e heroit të romanit “I humburi”, kishte marrë përfundimisht tatëpjetën.


Temën e ngjashme të absurdit Kongoli e zgjeron edhe në veprën më të vonshme të tij: “Jetë në një kuti shkrepësesh”. Në krye të romanit është po ashtu heroi i humbur para mizioritetit të jetës. Kongoli në dy romanet e shtreson zbrazëtinë e jetës nën tehin e absurdit. Dy romanet e Kongolit realizohen përmes rrëfimit, në veten e parë dhe të tretën. Strukturat e dy rrëfimeve, të dy personazheve, të dy romaneve të Kongolit “i Huaji” dhe “Jetë në një kuti shkrepësesh”, ndërtohen si të ngjashme duke u ndërlidhur me periudha kohore: fëmijëri/rini dhe pjekuri.


Libri “I huaji” i Kamysë dhe, libri “I Humburi” i Kongolit pra mbështjellin temën e njëjtë, por situatat dhe karakteret e ndryshme. Veçoritë e përbashkëta të tyre, kanë bërë që personazhet hero të komunikojnë në plot raste ndërmjet vete. Në këtë kontekst, të komunikimit të autorëve, e të heronjve hyn edhe vepra tjetër e F. Kongolit “Jetë në një kuti shkrepësesh”. Protagonisti i tij, Bledi Tereziu komunikon me Thesar Lumin.


E në këtë mënyrë edhe me Mërsonë e Kamysë. Në “Jetë në një kuti shkrepësesh, Kongoli prapë shënon situatën absurde të kohës. Intensiteti i jetës, në dy romanet e Kongolit shtrihet në një dimension pothuajse të njëjtë.


Bledi Tereziu zbulon në fëmijëri se banorët të tij nuk janë gjë tjetër pos një kor i krimbave të lidhur me historinë e bodrumit dhe të vjetërsirave. Ndërkaq, Thesar Lumi zbulon hipokrizinë e njerëzve të tij, Bledi kërkonte guaskën e kërmillit, Thesarit i qe futur gaforrja që ishte gati të shpërthente.


Në “Jetë në një kuti shkrepësesh” mbretëronin dy tema të absurdit: ajo e vrasjes së romes dhe jeta absurde nëpër të cilën kalon populli i heroit të veprës. Rasti i parë që cilësohet më i lehtë, bën që Bledi Tereziu të komunikojë me Mërsonë. Të dytë vrasin padashur. Absurdi i dytë në “Jetë në një kuti shkrepësesh”, kap tërë veprën “I humburi”, të Kongolit. Konkretizimi më i mirë është kur Bledi i lakmon Romës që ka vdekur, duke e nënvlerësuar jetën dhe duke mos i gjetur kuptimësinë. Ashtu ndodh edhe me Thesar Lumi, ai kërkon vdekjen në pamundësi për të jetuar. Në këtë kuptim, këta janë ndryshe me Mërsonë e Kamysë. Dy personazhet e Kongolit mundoheshin të arrinin ekuilibrin me botën, gjersa personazhi i Kamysë e kupton që e kishte prishur ekuilibrin.


Bledi Tereziu e ndan botën në: parahistorike dhe në atë moderne, ndërsa Thesar Lumi: në bardhë e zi, në bastardë e të fisëm. Njëri fshihej në bodrumin e vjetër të apartamentit, tjetri ishte i humbur në humbëtirë. Njëri përjashtonte gjithçka, tjetri shumëzonte njerëzit me zero.


Përfundimisht Mërso, Thesari, Bledi janë të huaj. Tragjikisht ata janë të huaj edhe ndaj familjes së afërt. “Sot më vdiq mamaja. Apo ndoshta dje nuk e di”, fillon rrëfimin Mërsoja. “Prindërit qenë mësuar me mungesa të tilla prej vitesh s’më pyesnin më ku veja e me se merresha”- fillon rrëfimin thesar Lumi. “Të shkretit prindërit e mi” i quan Bledi prindërit duke mos pasur afri me ta.


Xhoda është ankthi i Thesarit dhe me të do të ndeshet deri në fund. “Po qenka e thënë t’i shtyjmë ditët bashkë, si mallkim i njëri-tjetrit, derisa të mos jemi më as unë, i humburi, as ti, i çmenduri”. As sytë e bardhë.


Mërso përfundon: “Që të përfitoja nga gjithçka, që të mos ndjehesha i vetmuar, nuk më mbetej veçse të uroja që ditën e ekzekutimit tim të kishte sa më shumë njerëz të më prisnin me bërtitna e urrejtje””. “Të shkretit prindërit e mi”, përfundon Bledi Tereziu, të shkretit prindërit e mi...