SHKRUAN: Jonida Tashi 15-06-2011 11:49

Përfundon korrigjimi i 41 mijë testeve të provimit të Gjuhë-Letërsisë, ndërkohë që maturantët do të njihen me notat përkatëse ditën e enjte të kësaj jave. Ky fakt bëhet i ditur nga drejtori i Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Vejsiu, i cili sqaron se tashmë ka përfunduar procesi i korrigjimit të testeve të Gjuhë-Letërsisë dhe pritet të bëhet vetëm procesi i quajtur “Matching” (që është përputhja ose bashkërendimi i rezultateve të sekretuara me emrat e maturantëve). “Procesi ‘Machting’ do të nisë nesër (sot) në orën 14.00 dhe maksimumi pasnesër në drekë do të dalin rezultatet e provimit të Letërsisë”, - sqaron drejtori i Arsimit Parauniversitar. Procesi i lidhjes së rezultateve të provimit me emrat e maturantëve, pra zbërthimi i barkodit, do të nisë në orën 14.00 të ditës së sotme, fill pasi nga ambientet e Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP) të dalin specialistët që janë “izoluar” aty një javë më parë për hartimin e testit të Matematikës, provimi i dytë i Maturës që do të zhvillohet sot. Më pas, me hedhjen e pikëve të marra nga maturantët, do të krijohet një listë ku çdo barkodi i vihen në korrespondencë pikët. Për secilin nga katër provimet, testet e maturantëve, pas korrigjimit në 6 qendrat e vlerësimit dorëzohen në AKP, për t’iu nënshtruar procesit të bashkërendimit të rezultateve, që kryhet në bashkëpunim me APRIAL-in. Sipas procedurës së përcaktuar nga MASH, pas grumbullimit të këtyre testeve dhe rezultateve, nis edhe procesi i identifikimit ndërmjet kandidatit dhe pikëve të vlerësimit që ai ka marrë, që ekuivalentohen në notë. Procesi i quajtur “Matching” (që është përputhja ose bashkërendimi) i rezultateve të sekretuara me emrat e maturantëve do të kryhet për të katër provimet e Maturës Shtetërore. Për këtë, testet e maturantëve, pasi fillon provimi sekretohen, pra pajisen me një barkod që përbën identitetin e çdo maturanti. Në këtë mënyrë mësuesit (asnjë zyrtar tjetër) gjatë procesit të vlerësimit të testeve, për shkak të barkodit nuk njihen me identitetin e maturantëve dhe mund të kryejnë një vlerësim objektiv të tyre. “Çdo test i plotësuar i një maturanti ka si element dallues vetëm një barkod. Gjatë hedhjes së pikëve të fituara për çdo pyetje, krijohet një listë ku çdo barkodi i vihen në korrespondencë pikët. Këtë proces e realizon APRIAL. Ndërkohë AKP, në bazë të të dhënave që disponon nga mjediset ku janë zhvilluar provimet, krijon një listë, ku çdo barkodi i bashkëngjitet emri i maturantit. Të dyja këto procese realizohen në mënyrë të pavarur. Procesi i hedhjes së të dhënave përfundon kur nuk ka mbetur qoftë dhe një test i paverifikuar, janë eliminuar të gjitha gabimet e mundshme dhe të dy institucionet kanë materialet përkatëse të përfunduara”, - shpjegojnë specialistët e arsimit që merren me këtë proces. Në bazë të të dhënave të rezultateve në pikë, ministri i Arsimit vendos kufirin e kalueshmërisë, që quhet “Cutoff”. Pas kësaj, pikët konvertohen në nota të shkallëzuara me dy shifra pas presjes dhjetore. Me përfundimin e vlerësimit, testet e maturantëve çkodohen, një proces që kryhet vetëm nga kompjuteri, dhe vijat e barkodit me anën e një aparati kthehen në shifra. Ky proces kryhet nga dy institucione: AKP dhe APRIAL, njëri përmban barkodet e maturantëve dhe emrat, ndërsa tjetri barkodet e maturantëve dhe pikët, rezultatet. Në përfundimin të këtij procesi, anëtarët e komisionit “Matching” marrin rezultatet, të bashkërenduara me emrat e maturantëve në një kompaktdisk (CD) vetëm të lexueshëm, me të gjithë emrat dhe rezultatet e maturantëve dhe më pas bëhet edhe printimi i rezultateve. Kjo metodologji përdoret për të katër provimet që japin maturantët dhe në përfundim secili maturant në bazën e të dhënave ka katër rezultatet e tij.