10/06/2009  Tryezë shkencore


Këto ditë në mjediset e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë u mbajt tryeza shkencore “Letërsia jonë për fëmijë dhe kritika letrare”. Veprimtaria ishte organizuar në kuadër të manifestimit letrar të karvanit të shkrimtarëve për fëmijë “Agim Deva”. Nga Republika e Shqipërisë morën pjesë Pandeli Koçi, kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj dhe nënkryetari i kësaj shoqate, dr. Xhahid Bushati.


Fjalën e hapjes në tryezë e mbajti drejtuesi i karvanit, dr. Xhevat Syla, i cili vlerësoi në rrafshin historik e aktual rolin e kritikës letrare në zhvillimin e lartësimin e vlerave artistike dhe edukative të letërsisë shqipe për fëmijë. Në mënyrë të veçantë, u vlerësuan ndihmesat e kritikëve dhe të studiuesve B. Dedja, H. Mekuli, V. Shita, M. Xhaxhiu, A. Deva, Y. Elashani, O. Grillo, F. Bojku etj. Kritiku letrar dhe studiuesi Prend Buzhala mbajti kumtesën “Trajtat e perceptimit të kritikës në letërsinë për fëmijë”. Shkrimtari Pandeli Koçi në kumtesën “Ravgime nëpër kritikën e letërsisë sonë për fëmijë” parashtroi disa probleme aktuale të trashëguara të kritereve e të metodologjisë së kësaj kritike. “Rruga që duhet të ndjekë kritika” titullohej vështrimi që paraqiti shkrimtari Arif Demolli. Ai theksoi nevojën e thellimit të kritikës në analizat për çështjet e gjuhës e të stilit, të kompozicionit e të personazheve të veprave, të intertekstit dhe hipertekstit. Dr. Xhahid Bushati në kumtesën e tij u ndal te disa periudha të zhvillimit të letërsisë për fëmijë, si ajo e viteve ’60 deri në ditët e sotme dhe theksoi domosdoshmërinë e qarkullimit të saj në të dyja anët e kufirit dhe në diasporë. Ai vuri në dukje se roli i kritikës konstruktive është i pazëvendësueshëm në lançimin e vlerave dhe nxjerr në dritë dobësitë e të metat reale të letërsisë për fëmijë. Në kumtesat e tyre Gani Xhafolli, Flamur Maloku, dr. Faik Shkodra, Qibrije Demiri dhe Ibrahim Kadriu shqyrtuan nga kënde të ndryshme metodologjike dhe estetike vlerat e antivlerat e kritikës, duke theksuar domosdoshmërinë e analizës së veprave me metoda të reja bashkëkohore. Tryeza shkencore u vlerësua e suksesshme dhe si pikë kulmore e veprimtarive të sivjetme të karvanit të letërsisë për fëmijë “Agim Deva”, që mbushi 10 vjet të pandërprerë në Republikën e Kosovës.