Prishtinë, 10 gusht – Lëvizja për Integrim dhe Bashkim ka mbetur pa kryetarin e saj shumëvjeçar Smajl Latifi. Zyrtarët e kësaj lëvizjeje, të martën, përmes një konference për media kanë njoftuar se kanë aprovuar dorëheqjen e tashmë ish-kryetarit Latifi dhe kanë vendosur që të emërojnë Fadil Fazliun si ushtrues detyre të kryetarit, deri në kuvendin e ardhshëm zgjedhor.
Arsye e dorëheqjes se ish-kryetarit Smajl Latifi është thënë se ka qenë mundësia që ai të kandidohet për kryetar në Komunën e Rahovecit, me ndonjë parti tjetër. 
Para dy viteve Latifi kishte kandiduar për kryetar të Komunës së Rahovecit me partinë e tij LKçK, por nuk ia kishte arritur që të zgjidhej. Pas kësaj ai ka vendosur që të ndërrojë partinë për të fituar postin e kryetarit të Rahovecit. “Gjithkush ka të drejtë me shku ku të donë, ose me dhanë dorëheqje”, ka thënë u. d. i kryetarit, Fadil Fazliu.
Fazliu ka thënë se LIB-i me gjithë dorëheqjen e kryetarit të saj, Ismail Latifi, vazhdon punën dhe aktivitetin e  vet me të gjitha degët dhe nëndegët, si dhe aktivet e saja.
“Ne punojmë prapë dhe angazhohemi për të fuqizuar idenë dhe konceptin të cilin e ka Lëvizja për Integrim dhe Bashkim, si trashëguese e LKçK-së”, ka thënë Fazliu.
Fazliu ka deklaruar se çdokush ka të drejtë të japë dorëheqje, ndërsa ka shtuar se nuk e di se me cilën parti do të kandidojë tani ish-kryetari Latifi, për kryetar të Rahovecit, por e rëndësishme, sipas tij, është se LIB-i ia ka miratuar dorëheqjen.