Autori i Lajmit: Mr.Xhafer SylaNë letërsi çdo vepër është një raport i rivendosur i shkrimtarit, i tekstit dhe i lexuesit dhe të gjitha këto tri “dimensione” të sendërtimit letrar gjenden në vepër, të përfaqësuara prore pak a shumë dhe të lidhura ndërsjelltas.

Duke shikuar ndërrimin e metodave dhe të aspekteve të llojllojshme në kritikën letrare dhe perspektivën, konkludojmë se brenda 100 vjetëve të fundit, studimi modern i letërsisë ka kaluar nëpër tri faza elementare. Në të parën, në kohën e pozitivizmit, objekti kryesor i studimit të letërsisë ka qenë shkrimtari (krijuesi). Në të dytën, vetë teksti i ndarë. Në të tretën interesimi i veprimtarëve shkencore, është zhvendosur nga lexuesi (receptuesi). Interpretimi i prirur nga krijuesi është imanent për kritikën biografike, psikologjike (dhe psikoanlitike) e deri diku edhe për atë sociologjike. Mbrojtësit e studimit të tekstit të veçuar, vështrojnë hulumtimet e pararendësve të tyre si në qasje të jashtme, mjaft të përciptë të veprës letrare. Në sistemin e shenjave gjuhësore e kanë përqendruar vëmendjen, së pari formalistët ruse dhe kritika e re anglo-amerikane, pastaj metoda fenomenologjike, strukturalizmi dhe semiologjia.
Nevoja e leximit
Është vërejtur nevoja e leximit për të depërtuar në botën e krijimtarisë së poetit dhe për t’u transponuar shpirtërisht në atë botë. Për dallim nga kritika ekspresioniste (të shenjëzuar me subjektivitet të papenguar), e cila tekstet letrare i pranon si pretekste për përsiatje dhe asociacione, dhe për dallim nga kërkesa që lexuesi të transponohet në shpirtin e shkrimtarit, deri në identifikimin me të, teoria e recepcionit përpiqet që rolin e lëçitësit, në procesin letrar, ta peshojë dhe ta justifikojë. Në trekëndëshin autori - vepra - publiku, ky i fundit nuk është vetëm vështrues pasiv, vetëm zinxhir reagimesh të thjeshta, porse edhe personalisht, është energjia, e cila krijon historinë (H. R. Juas). Estetika e recepcionit përpiqet që proceset receptive t’i përshkruajë duke u nisur nga teksti dhe pikërisht, në atë mënyrë, saqë e analizon “horizontin e pritjeve”, i cili është paraqitur falë përvojës së arritur në tekstet e tjera. Aleksandrizmi, intertekstualiteti, imagjinata ia lëshojnë vendin erudicionit. Leximi bëhet temë obsesive e epikës. Prozën autorefleksive, ose metaprozën e pushton preokupimi me realizimin e tekstit në vetëdijen e lexuesit. Lexuesi bëhet pjesëmarrës aktiv i procesit krijues dhe shkrimtari i shpreson, gjithnjë e më shumë kësaj gjeje, duke dhënë nganjëherë udhëzime për “lexim të drejtë”. Jemi dëshmitarë të një vargu të tërë realizimesh prozaike, në të cilat kryeprotagonisti i tërhequr në qetësinë e sallës së leximit, ballafaqohet me botën fiktive, e cila shpeshherë shfaqet substanciale nga e përditshme. Heroi postmodern nuk është më aventurier, luftëtar as krijues në kuptimin klasik, p. sh., geteist për të mund të thuhet, më pare se është i dashuruari apasionant në libër lartmadhëria e tij, lexuesi.
Interesi
Është ngjallur serish edhe interesimi për disa prototipa nga tradita letrare, sikundër janë “Don Kishoti” i Servantesit, ose “Zonja Bovari” e Floberit. “…Sipas të gjitha gjasave ky shekulli na afron serish me situatën fillestare, arketipa të sajimit letrar “Thekson një studiues: Ai që shkruan dhe ai që e percepton këtë të shkruar, do të ndeshet vetiu, fytyrë me fytyrë, sy me sy, në detin e dashurisë, dhe që do t’i bashkojë. Ose, siç thoshte Borhesi në një ese të vetin: Në fund, pas të gjithave, mbesin vetëm lexuesi dhe unë derisa Fjala ime provon të inkarnohet në të, e ai përpiqet të inkarnohet në Fjalën.” Në dekadat e fundit të shekullit XX është botuar një numër i madh punimesh shkencore, të cilat tematizojnë aktin e leximit. Ajo rrymë është bërë me kalimin e kohës, dominonte në lëmin e teorisë së letërsisë, ndaj ka nisur të përdoret përherë e më shumë termi “teoria e leximit.” Në vitin 1980 janë botuar, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dy përmbledhje punimesh, perspektiva letrare e të cilave është quajtur reader - response - criticism (RRC). Teoria e përgjigjes së lexuesit, ose e reagimit (RRC), është një botëkuptim shumë më i ngushtë se teoria e leximit. Studiuesit e karakterit përgjigjen së lexuesit flakin përfytyrimin mbi predestinimin e leximit me tekstin dhe marrin parasysh liritë më të vogla, ose më të mëdha të interpretimit. Në vëllimet e cekura janë pikasur në mënyrë të përgjithshme, gjashtë lloje qasjesh në kuadrin e teorisë së leximit. Do t’i numërojmë:
1)-Qasjen retorike e kanë ato studime që merren, pike së pari me komunikimin brenda këtij drejtimi, dhe teoria e aktit ligjërues (Speech - act teory). Përfaqësuesit kryesorë: Vejn But, Stenlli Fish, Poll Piker, Cvetan Todorov.
2)-Qasja semiotike dhe strukturaliste është pritur nga analiza dhe përshkrimi i tekstit. Përfaqësuesit: Mihail Bahtin, Rolan Bart, Umberto Eko, Stenlli Fish, Roman Jakobson, Juri Zlotman, Majkëll Rifater, Cvetan Todorov.
3)-Qasja fenomenologjike. Përfaqësuesit: Roman Ingarden, Volfgang Izer, Zhorzh Pule.
4)-Qasja psikoanalitike dhe subjektive, që provon të shpjegojë se si personaliteti i lexuesit e formëson të lexuarit dhe interpretimin. Përfaqësuesit: Dejvid Blliç, Norman Holland, Zhak Lakan, Rolan Bart.
5)-Qasja sociologjike dhe historike (që përfshin edhe estetikën e receptimit) i referohet publikut lexues të kohës së caktuar. Përfaqësuesit: Robert Eskarpi, Lisjen Godman, Hans Rober Jaus, Gjergj Llukaç. Zhan - Pol Sartër, Rolan Bart.
6)-Në kuadrin e qasjes hermeneutike, hasim kritikët, të cilët shtrihen nga autoritarizmi i padyshimtë interpretativ deri te relativizmi në interpretim. Përfaqësuesit: Xhefri Hartman, Zhak Derida, Pol de Man, Xhorxh Stejner, Uejn Buit, Stenlli Fish, Pol Riker, Cvetan Todorov.
Hetimi i tezave
Në idetë e strukturalistëve është vështirë të hetohen tezat e shprehura konkretisht. Është e qartë se RRC nuk është kurrfarë orientimi koherent teorik. Brenda këtij orientimi mund të vështrohet më pare një strategji globale metodologjike në fund të qindvjetëshit XX, e cila zë vend prijatar. Së pari të pyetemi ç’nënkuptojmë me konceptin e lirisë së lexuesit? Nëse nisemi nga teza se para leximit ekziston sallteksti e që vetëm realizimi i tij, në vetëdijen e lexuesit, prodhon efekt artistik, atëbotë është e qartë se leximi, është së pari, proces mental i cili rrjedh në kokën e lexuesit, me rastin e ndeshjes së tij me tekstin. Leximit i rrekemi si akt individual, të brendshëm për dallim nga teoritë, për të cilat lëçitja paraqet proces kolektiv dhe fenomen shoqëror. Me këtë, nga korniza e rezonimit tonë, janë eliminuar tretmanet sociologjiko-historike. Po ashtu konsiderojmë se brenda trajtimit retorik, hermeneutik dhe dekonstruksionist, nuk arrijmë te përsiatjet kompetente për lirinë e lexuesit. Sa u përket strukturalistëve dhe semiologëve, nuk mund të evitohet kontributi, që, në planin e leximit, e kanë dhënë Barti, Rifateri, Eko ose Todorovi. Termat e aprovuar, siç janë arki-lexuesi ose lexuesi kompetent janë shfaqur pikërisht në radhët e strukturalistëve. Gjithashtu na e merr mendja se përqendrimi i tyre në tekstin, kur është fjala për lirinë e lexuesit, është një kundërvënie e domosdoshme e qasjes subjektive. Në mbarim të përfundojmë se, në këtë punim, do të merremi, para së gjithash, me punimet dhe qëndrimet e strukturalistëve, fenomenologëve dhe të psikoanalistëve. Do të ndalemi te disa autorë, kontributi i të cilëve, ndaj problemit të lirisë së lexuesit, është i spikatur e të cilët janë individualitete të fuqishme për t’u përfshirë vetëm në një teori. Në “Emrin e trëndafilit” të U. Ekos, njëra nga veprat më kapitale të postmodernizmit, janë gjendur, në rolin e protagonistit, jo vetëm lexuesi, porse edhe objekti i aktivitetit receptiv të rinj – libri. Qysh nga mesi i viteve të gjashtëdhjeta të shekullit XX, Eko, në studimin e tij “Vepra e hapur”, në kontekstin e gjurmimeve semiotike, ka shfaqur interes për statusin e lexuesit brenda procesit të komunikimit letrar. Në librin “Roli i lexuesit”, autori i përmbahet besnikërisht teorisë së komunikimit, si një pikënisje për mbarështrimin e procesit të leximit. Ai konsideron se çdo porosi mbetet e pakuptueshme, nëse ndërmjet dërguesit dhe marrësit, nuk ekziston kodi sipas marrëveshjes së arritur më parë. “Lexuesi është i definuar rigorozisht me organizimin leksik dhe sintaktik të tekstit: teksti s’është asgjë tjetër, pos produksion semantiko-programatik i model - lexuesit të tij vetjak.” Me këtë definicion, Eko po i afrohej konceptit të Rifaterit për arkilexuesin si një mbledhje (shifër) leximesh. Me nocioinin model – lexues (arkilexues) operojnë edhe Barti, Lotmani, Izeri etj.
Shembujt
Sikurse Eko dhe Rifateri, strukturalisti R. Bart bën fjalë për një fare lloji të lexuesit mesatar, global. Arkilexuesin R. Barti e quan konotacion. Vend kyç i studimit të Fishit “Letërsia në lexuesin: stilistika efektive”, është koncepti i tij për lexuesin. Ai subjekt i idealizuar, duhet patjetër, t’i plotësojë disa kritere, e para së gjithash, posedimin e të ashtuquajturës “dukuri semantike”, që i nevojitet lexuesit “të pjekur”, që ta kuptojë logjikën - bazë të tekstit - pra, fjala është për të ashtuquajturin lexues të informuar. Opusi i fenomenologut Roman Ingarden shënon një tentim unik për t’u konstatuar modeli i atillë i leximit të teksteve letrare, në të cilin njëkohësisht me shkallën më të lartë të objektivitetit do të prezantoheshin faktorët individualë - psikologjikë të lexuesit. Për të lexuesit nuk janë asgjë tjetër përveç një konsumues i thjeshtë, por edhe pjesëmarrës në krijimin e veprës letrare artistike. Volfgang Izeri, në veprën e tij “Akti i leximit”, niset nga teza se relacioni teksti - lexuesi, nuk është njëkahësh porse ndërmjet këtyre dy elementeve të komunikimit letrar, dominon raporti i interaksionit. Botëkuptimi i zërit të “lexuesit implicit”, që është shtjelluar në librin homonim i përket “strukturës së lexuesit, të shënuar në tekst”. Psikoanalisti amerikan Norman Holland, teorinë e tij të leximit e ka eksploruar në vijat kryesore në studimin “Dinamika e reagimit letrar”. Për t’i zbuluar reagimet individuale – psikologjike të lexuesve, ai përvetëson psikoanalizën, pikënisja e së cilës mbarështrohet në pikëpamjet subjektive. Ai konsideron se literatura thith fuqinë nga rrënjët më të thella nga përvoja më individuale, ndërsa kënaqësia, që na ofron rrjedh nga dëshirat dhe druajtjet burimore me një domethënie të lidhur. Çdo lexues reagon ndaj artit, në të njëjtën mënyrë sikurse edhe ndaj secilës përvojë jetësore. Ai veprën letrare e lë të depërtojë nëpër sistemin e tij karakteristik të mbrojtjes, duke projektuar në tekst botën personale të fantazisë.
Reagimi letrar
Modeli i reagimit letrar, që e ndërton Hollandi, bazohet në të kuptuarit e tekstit si tërësi fjalësh, të cilit kuptimin jetës dhe domethënien ia jep (frymëzon) publiku deri në atë masë, saqë, në fund, “absorbohet” nga ana e tekstit. Në esencë duke u marre me tregimin e Posë “Letra e vjedhur”, me nëntitullin “Leximi si një transaksion personal”, thuhet teksti nuk është tërësi e pandryshueshme, veçse një proces, në të cilin merr pjesë aktive edhe lexuesi. Te çdo lexim, tekstit të fiksuar në letër, lexuesi ia bashkangjet një sërë faktesh ekstratekstuale, joletrare. Me ndihmën e nocioneve psikoanalitike, sikundër janë identiteti, imagjinata, ose mbrojtja, jemi në gjendje që, reagimin letrar, ta lidhim me personalitetin e leximit. Teoria transaktive e reagimit, na ndihmon që t’i vëmë në lidhje “llojllojshmërinë e pasur të përvojës letrare me pasurinë e pamatshme të qenieve njerëzore”. Më vonë Hollandi e zgjeron teorinë e tij të leximit me selitjen e konceptit “temat e identitetit” me të cilin nënkuptohet se çdo njeri ka strukturën e caktuar mentale, e cila rregullon të gjitha format e sjelljes së tij, e kështu edhe të kuptuarit dhe të interpretuarit e veprave letrare. Fantazia nuk ekziston në mënyrë latente, në të ndodhet vetëm materiali, nga i cili, secili lexues do të krijojë vetë trillin e tij, që nuk është e thënë se kondicionon me trillin e shkrimtarit. Veprat nuk kanë fantazi, ato i kanë njerëzit. Ato gjenden në lexuesin, më saktësisht në raportin kreativ mes lexuesit dhe veprës. Në librin e Hollandit “Leximi i pesë lexuesve”, qëndron: “Psikika e lexuesit shfrytëzon, përshtat dhe rregullon çdo gjë, që e merr nga tregimi, e që asaj mund t’i sjellë kënaqësi”, pra, çdo akt leximi është konstruktiv. Kolegu i Hollandit, Dejvid Blliç, është protagonisti kryesor i pozicionit të subjektivizimit radikal. Në studimin me titull “Kritika subjektive” Blliçi parashtron teorinë e tij, sipas së cilës, vepra letrare është prirur gjithmonë nga vështruesi i saj dhe se ajo, gjatë aktit perceptiv bëhet refleks i lexuesit. Tejvlerësimi në supozimin tonë episteomologjik, autori e mbështet mbi tri arritje epokale të fizikës moderne: teorinë e relativitetit të Ajnshtajnit, ligjin e komplementarizmit të Borit dhe parimin e pasigurisë së Hajzenbergut. Zbatuar në fushën e shkencave humaniste, kjo gjë do të thotë se vështruesi, është subjekt, dhe se mënyra e tij e perceptimit, e cakton esencën, madje edhe fillimin e ekzistimit të objektit.

Subjektivizmi
Ekzistenca e një vepre letrare
Duke shtjelluar parimin e subjektivizmit në teorinë e leximit Blliç cek edhe qëndrimet e Luiz Rozeblatit, Hollandit dhe të Fishit, me të cilat është, kryesisht në të njëjtat gjatësi të valëve. Për Blliçin çdo lexim i tekstit është vepër tjetër fare. “Vepra”, thotë ai “madje as nuk ekziston, po qe se nuk lexohet nga asnjëri.” Vallë, njëmend vepra nuk ekziston, po qe se nuk e lexon kurrkush? Si kundërpeshë e këtij qëndrimi e marrin pikëpamjen e fenomenologëve, të Huserilit, ose të Ingardenit, se vepra letrare ekziston pavarësisht nga shfaqja e saj fizike, e kështu edhe nga perceptimi i saj. Apologjia e subjektivizmit e Blliçit është penguar me ekskluzivitetin solistik. Për çdo rast Blliç personifikon pikën e fundme, deri te e cila është arritur gjatë zhvendosjes së pozicionit nga pika objektive kah subjektivja. Në fund të kësaj pasqyre, përgjithësuese të shqyrtimeve teorike të teorive bashkëkohore të leximit, vërejmë pengesën dhe anarkinë, si dy ekstreme, mes të cilave, këto vështrime, përcaktojnë pozitën e lexuesit. Rruga mesatare ndërmjet shtrëngesës dhe anarkisë, rëndon tentohet të gjendet me pranimin (afirmimin) e lexuesit ideal, kompetent, e ky do të ishte ai lexues, që ka mjaft përvojë jetësore dhe letrare dhe nga i cili pritet ta demonstrojë ndjeshmërinë e zhvilluar sa duhet ose shijen. Është një pajtueshmëri e përgjithshme në qëndrimin mbi nevojën e marrjes në konsiderate të lexuesit, si një faktor të barabartë, dhe vendimtar në jetën e veprës letrare. Mendimet e tilla i gjejmë edhe në hulumtimet më të reja, që shtjellojnë çështjen e lirisë së leximit. Le t’i citojmë vetëm disa nga mendimet:
Teri Igllton: Kryengritja e lexuesit.
Mishel Sharl: Retorika e leximit.
Pol Riker: Koha e tregimit.
Është interesant edhe mendimi, që e shpreh Hillias Milleri në studimin “Etika e leximit, duke u orvatur të vërë në pah domosdonë e ekzistimit të momentit etik dhe të përgjegjësisë në aktin e leximit. Nëse pyeteni a kanë të drejtë teoricienët, të cilët kërkojnë që lexuesi ta kapë atë logjikë, të cilën e ka bartur në vepër shkrimtari, apo ata të cilët ia lënë lexuesit lirinë, që ta gjejë kuptimin, që i duket se është i njëmend. Përgjigjja më e mirë, në këtë pyetje, sigurisht do të ishte: liria e lexuesit varet nga mënyra e të dëftuarit, që e ka zgjedhur shkrimtari. Kësisoj, bie fjala, për Sartrin opcioni i dytë e harkut diskursiv, publiku, nënkuptohet mu në shkrimtarin dhe vijon (rrjedh) në mënyrë logjike nga përzgjedhja e materialit dhe të formulimeve stilistike.


Postmodernizmi
“Letërsia e rraskapitjes”
Postmodernizmi është era e preokupimit epistemiologjik. Xhon Barti, prozën bashkëkohore e ka quajtur “letërsi të rraskapitjes” (Literature of Exhaution) të lodhur nga gjurmimi pas rrugëve të reja, së këtejmi, të kthyer nga tekstet e vjetra, tanimë të shkruara. Kështu, dukuritë siç janë aleksandrizmi dhe intertekstualizmi, janë determinante të pashmangshme të asaj letërsie (Borhesi, Nabokov etj.). Preokupimi i teorisë kontemporane të letërsisë me problemet e lexuesit dhe të leximit, projektohet edhe në praktikën prozatore: janë gjithnjë me të në mes të teoricienëve dhe artistëve, në mes studimeve shkencore dhe shqyrtimeve, në njërën anë dhe prozës imagjinare, në anën tjetër. Lexuesi modern është më i lire se sa që u dukej strukturalistëve, në mes tjerash, edhe për shkak të evolucionit të shkrimit artistik, që ka ndodhur. Vetëdija e ndërruar e shkrimtarëve, për rolin dhe cilësinë të publikut vetjak leximtar, si dhe për statusin dhe funksionin e vetë letërsisë, solli ndërrimet në diskursin e tyre. Realizimi bashkëkohor prozatorë (si, p. sh., të Dakakovit, Ekos, Borhesit, por edhe të Kadaresë, Bashkim Shehut, Anton Pashkut, Zejnullah Rrahmanit, Jusuf Buxhovit, Mehmet Krajës, Kujtim Rrahmanit, Kujtim Shalës dhe shumë të tjerëve), tregojnë nevojën e qartë për një lexues të përgatitur dhe të aftë që të veprojë aktivisht dhe kreativisht. Në “Emrin e trëndafilit” të Ekos, rolin e objektit vdekjeprurës të gjakimit e merr libri. Borhesi, një autor kulti i epokës postmoderne, “ruajtës i bibliotekave”, ka ndërtuar mbarë botën e vet letrare mbi themelet e trashëgimisë së pasur të njerëzimit. Teza e Xhon Bardit, mbi “letërsinë e rraskapitjes” dhe shprehja “reecriture” e Rolan Bartit, janë paradigma për veprat e Borhesit. Temat e tija të adhuruara, janë të lidhura me botën hermetike të Bibliotekës. “Ndoshta pleqëria dhe frika po më mashtrojnë”, - thotë shkrimtari, “por po parandiej se gjinia njerëzore - e vetmja - do të vdesë së shpejti, ndërsa Biblioteka do të mbetet e ndritur, e shkretë, e paskajshme, përsosurisht inerte, e stolisur me libra të çmuara, e pavlershme, e qëndrueshme, e padepërtueshme.” Duke iu kthyer vendnisjes së punimit tone dhe fenomenit të lirisë së lexuesit mund të themi se ai po i ikën definimit final. Me vetë faktin se është gjendur në epiqendrën e vëmendjes shkencore, por edhe letrare, dhe kreative shkrimtari ka përvetësuar disa hapësira për veprimin e vet, që më pare dukeshin të rezervuara vetëm për shkrimtarin. Por çdo insistim kokëfortë për lexim dhe lexues si një moment i vetëm, vërtet dhe komponentë të letërsisë përfundon doemos në rrugë pa krye. Në fund mund të shtrohet pyetja se a bën të nxirret ndonjë mësim nga numri i madh e metodave interpretuese të cilat janë ndërruar brenda perspektivës historike. Rëndom thuhet se rrekja më e mire e veprës është ajo, që do t’i bashkonte anët e mira të të gjitha metodave të njohura. Në praktikën e interpretimeve, mbase është punë më e thjeshtë të përpiqemi t’ju shmangemi njëanshmërive të metodave të sprovuara dhe që ta kërkojnë rrugën vetjake.
Ky lajm është publikuar: 26/09/2007