Ilir Meta takon homologun italian Franco Frattinin. Italia, mbështetëse e fortë e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit evropian

“Italia është avokati kryesor i Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit të plotë evropian. Shqipëria ka arritje të dukshme në të gjitha fushat, veçanërisht në ato të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kontrollit të kufijve, forcimit të shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut”.

Italia do të mbështesë fuqimisht aspiratën e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit evropian. Ky ka qenë konkluzioni i takimit të zhvilluar dje në Romë, ndërmjet ministrit shqiptar të Punëve të Jashtme, Ilir Meta dhe atij italian Franco Frattini.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, gjatë kësaj vizite zyrtare, mori konfirmimin e homologut të tij fqinj, Franko Fratini, për ecurinë e Shqipërisë në rrugën e integrimit në BE. Procesi i integrimit evropian të Shqipërisë, liberalizimi i vizave dhe forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, ishin në qendër të bisedimeve dy paleshe.
Gjatë takimit “kokë më kokë”, Franco Frattini, deklaroi se “Italia është avokati kryesor i Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit të plotë evropian. Brenda gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm, Komisioni Evropian do të marrë vendimin pozitiv për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Shqipëria ka arritje të dukshme në të gjitha fushat, veçanërisht në ato të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kontrollit të kufijve, forcimit të shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut”, tha ministri Frattini, duke siguruar se, “Italia do të jetë një mbështetëse e fortë dhe strategjike e Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit evropian”.
Nga e tij, ministri Ilir Meta, garantoi se qeveria shqiptare do të përmbushë në kohë të gjitha standardet që kërkon procesi i liberalizimit të vizave.
Në këtë kuadër, u vlerësua vizita e ardhshme e Ministrit të Brendshëm italian në Tiranë, gjatë muajit nëntor. Në vijim gjatë takimit, u ra dakord që marrëdhëniet mes dy vendeve të ngrihen në një nivel edhe më të lartë, në të gjitha fushat me interes reciprok, duke pasur si synim nënshkrimin së afërmi të dokumentit dypalësh për partneritet strategjik, i cili do të shoqërohet me samite periodike të nivelit më të lartë midis dy qeverive.
Dy homologët ranë gjithashtu dakord që “mes dy vendeve të forcohet edhe bashkëpunimi në nivel rajonal, sikurse do të jetë Nisma Adriatiko-Joniane apo e Evropës Qendrore”. Lidhur me zhvillimet në rajon, bashkëbiseduesit vlerësuan rolin e Shqipërisë si një faktor paqeje dhe stabiliteti. Ata vlerësuan gjithashtu kontributin dhe bashkëpunimin e trupave italiane dhe atyre shqiptare, të cilat janë të dislokuara në Afganistan, duke evidentuar faktin se, “Shqipëria është një ndër vendet që eksporton siguri dhe kontribuon në forcimin e paqes dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë”.
Më tej, u diskutua edhe për integrimin e mëtejshëm të komunitetit shqiptar në shoqërinë italiane, i cili tashmë ka kaluar nga faza e emergjencës së një emigracioni klandestin, drejt një integrimi dhe kontributi gjithnjë e më të plotë në shoqërinë italiane.

...