Intervistë me Drejtoren e Përgjithëshme të Liceut Artistik ”Jordan Misja”, znj. Evis Grezda

Të shtunën që sapo kaloi, orkestra e madhe sinfonike, orkestra e vogël e fëmijëve,  formacione të ndryshme si edhe me kori i Liceut Artistik “Jordan Misja” dhanë një koncert artistik në një nga sallat e Akademisë së Arteve, me rastin e anëtarësimit me të drejta të plotë të Shqipërisë në NATO. Në këtë koncert merrte pjesë edhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Fatos Beja dhe të ftuar të tjerë. Siç na thotë Drejtoresha e Përgjithëshme e Liceut, znj. Evis Grezda, ata kishin kohë që po e përgatisnin një koncert të tillë, i cili rezultoi mjaft i suksesshëm.
Liceu Artistik “Jordan Misja” është krijuar qysh në janar të vitit 1952 dhe frekuentohet  nga nxënës të ardhur nga e gjithë Shqipëria. Pra, ka plotë 57 vite që ju jep bazën e formimit të ardhshëm artistik mijëra artistëve nga i gjithë vendi. Në këtë shkollë i kanë marrë njohuritë e para artistët shqiptarë me famë botërore si sopranoja Inva Mula, violinisti Tedi Papavrami, fotografi Roland Tasho e dhjetëra të tjerë. Aktualisht janë mbi 900 nxënës të profilizuar në degët e arteve figurative dhe muzikore që përgatiten nga më shumë se 200 pedagogë në këtë shkollë.
Klasat e Liceut nuk ndryshojnë shumë nga ato të një shkolle të zakonshme, megjithë specifikën e tyre. Programi mësimor në këtë shkollë është i njëjtë me atë të shkollave të tjera në rang republike, megjithëse vitet e fundit po punohet për t’u lënë më tepër hapësirë specialiteteve, duke reduktuar njohuritë e përgjithshme. Mësimdhënia në këtë shkollë parashikon një formim artistik kompleks, i cili fillon nga elementarja deri në diplomimin në shkollën e mesme dhe ndahet në dy drejtime: disiplina e muzikës dhe arte figurative. Degët më të frekuentuara të Liceut për disiplinën muzikohe janë piano, violina, kitara, firzamonika dhe instrumentet frymore.
Gjatë 12 viteve të shkollimit, Liceu i përgatit nxënësit me njohuritë bazë, duke u krijuar mundësinë e kompletimit të këtyre njohurive për të vazhduar më pas studimet e larta, kryesisht në degët e artit. Sipas një studimi të bërë për strukturën e frekuentimit të shkollave të larta nga nxënësit e Liceut rezulton se; 60% e tyre shkojnë në Akademinë e Arteve ku vazhdojnë degët e tyre, 20% e tyre i ndjekin këto studime në akademitë e huaja të artit, 10% i vazhdojnë studimet e larta në dega arti të përafërta me ato të Liceut dhe vetëm 10% ndjekin shkolla të tjera të larta.
Po për të mbërritur deri këtu duhet një punë e madhe dhe e kualifikuar, përmes vëshitërive të shumëta, për të përgatitjen e artistëve të rinj. Puna fillon që me përzgjedhjen nëprmjet konkurseve fillestare të nxënëseve që do të vazhdojnë këtë shkollë. Jo kushdo mund të vazhdojë Liceun, por vetëm ata që kanë disa parametra të caktuar si talenti për degët përkatëse të artit, veshi i duhur muzikor për ata që do të shkollohen në disiplinën e muzikës, inteligjenca, parametrat fizike, etj. Natyrisht, si kudo, edhe kësaj përzgjedhjeje fillestare i shpëtojnë elementë të patalentuar e me mangësi të tjera që përbëjnë një problem me vete për pedagogët gjatë viteve të shkollës. Megjithatë, kjo kategori nxënësish është shumë e pakët, kështu që problemi kryesor për këtë shkollë mbetet formimi i duhur i nxënësve që kanë prirje dhe aftësi për degët e artit. Arritja e këtij objektivi ka të bëjë me aftësinë mësimdhënëse të trupës pëdagogjike, nivelin e drejtimit të shkollës dhe masat tekniko-organizative të marra në këtë dretjim.
Lidhur me punën dhe përkushtimin e trupës pedagogjike për përgatitjen e artistëve të ardhshëm në Liceun Artistik “Jordan Misja”, Drejtoresha e Përgjithëshme e kësaj shkolle na dha intervistën e mëposhtëme:

Cilët janë ata tregues që e klasifikojnë Liceun si një “shkollë kombëtare” dhe si po punoni ju që kjo shkollë ta meritojë plotësisht një status të tillë? Si po përfitoni nga tradita e krijuar në këtë drejtim?
Shkolla Kombëtare Artistike ”Jordan Misja” përgatit nxënës të ardhur nga e gjithë Shqipëria, megjithatë nuk është ky treguesi i vetëm që e klasifikon atë është si ”shkollë kombëtare”. Para së gjithash ajo është e vetmja shkollë e profilizuar për përgatitjen bazë të një game të gjerë artistësh, që i nënshtohen konkurimit fillestar, nga i gjithë vendi. Ajo është realisht e vetmja shkollë kombëtare, dhe si e tillë duhet të jetë lider në transmetimin e vlerave, në koordinimin dhe promovimin e koncepteve të reja dhe të barazvleresuar në të gjithë shkollat artistike rajonale, në të gjithë vendin. Në këtë shkollë alternohet më së miri formimi i përgjithshem dhe formimi artistik muzikor si edhe ai figurativ, punohet në mënyrë paralele si në drejtim të formimit sa me cilësor të individit dhe formimit të personalitetit të tij, ashtu dhe të formimit të tij artistik. Stafi drejtues i shkollës mundohet të kontrollojë në mënyrë permanente dhe korrekte mbarëvajtjen e procesit mësimorë ashtu dhe të atij edukativ, duke punuar ngushtësisht si me vete nxënësit ashtu edhe duke mbajtur kontakte të shpeshta dhe të ngushta me prindërit. Ne mendojmë se çelësi i suksesit të drejtimit të një shkolle është puna në grup dhe ndarja e drejtë e përgjegjësive të gjithësecilit. Parë në këtë aspekt, Liceu Artistik "Jordan Misja" duhet të promovohet më shumë, duhet te integrohet në projekte për ta merituar plotësisht statusin si "shkollë kombëtare", duke shfrytëzuar edhe traditën e mirë që ka krijuar ndër vite kjo shkollë.

Cilat janë disa nga problemet dhe konceptet me të cilat ndesheni në punën tuaj të përditshme dhe ç’bëni për t’i tejkaluar ato?
Një rëndësi të veçantë ne i kushtojmë, së pari, frekuentimit, si të stafit tonë mësimor ashtu edhe më pas të vetë nxënësve, duke gjykuar së korrektësia, në radhë të parë duhet të fillojë nga vetë ne si përçues të dijes. Duke bërë një punë të vazhdueshme ne vëmë re se numri i nxenesve që kanë probleme me frekuentimi e shkollës të bjerë shumë. Rritja e cilësisë së mësimdhënies është një tjetër qëllim që ne kemi. Duke qenë koshient se vijmë nga një traditë shumë e pasur artistike, ne mundohemi që ta gërshetojmë atë me të rejat e fundit të artit bashkohor muzikor dhe atij figurativ. Kjo bëhet e mundur duke rishikuar dhe njekohësisht duke pasuruar më shumë programet mësimore, duke ngritur grupe specialistësh të cilët i perpunojnë ato. Një tjetër aspekt i rëndësishëm është edhe paraqitja dinjitoze e shumë prej nxnësve tanë të talentuar si dhe mbështetja që shkolla u jep atyre në organizimin e shumë koncerteve që bëjnë të mundur evidentimin si të njohurive të tyre ashtu dhe të punës së pedagogëve të tyre. Për artistin, sfida është gjithmonë skena. Ne duhet të përpiqemi që këto koncerte, gjithmonë e më shumë të bëhen qëllim kryesor në evidentimin si të vlerave të artistit që është duke u formuar ashtu dhe evidentimin apo nxjerrjen në pah të vlerave didaktike dhe profesionale në lartesinë që kërkon koha.

Sa ju ka ndihmuar eksperienca jo e pakët si mësuese violine në Liceun Artistik “Jordan Misja” për ta patur më të lehtë kryerjen e detyrës si drejtoreshë e përgjithëshme e kësaj shkolle me emër në Shqipëri?
Të gjitha këto probleme që ne po mundohemi t’i superojme, si dhe çështje të ndryshme që ne po mundohet t’i zgjidhim do të ishin të vështira për një drejtus që nuk e njeh gjendjen realisht, me të gjithë specifikat dhe karakteristikat e saj. Marrëdhëniet me kolegët e mi janë të mira, falë edhe njohjes sonë reciproke me njeri-tjetrin, për shumë vite punë të ëprbashkët në Lice. E rendesishme për një bashkëpunim të ndërsjelltë dhe korrekt është bashkëbisedimi dhe vjelja e mendimit të gjithësecilit.

Në media jeni shprehur për “krehje” të shkollës nga “të patalentuarit dhe ahengxhinjtë”. Si mendoi ta realizoni një gjë të tillë?
Unë dua të përshëndes të gjithe pedagogët e Liceut Artstik që punojnë me një profesionalizëm të lartë, duke punuar me nxënës me nivele të ndryshme, si artistik ashtu edhe kulturor. Të formosh një fëmijë, si nga ana artistike ashtu edhe nga ana e  formimit të përgjithshëm është një detyrë aq fisnike, por në disa raste edhe tepër e lodhëshme për ta. Përzgjedhja e elementit të talentuar vërtetë është bërë me konkurs, por shpesh herë ka lënë shumë për të dëshiruar. Këto futje pa kritere të qarta përzgjedhëse ka bërë që niveli i shkollës sonë, në disa raste të bjerë, si dhe ka bërë të mundur një fryrje të tepërt të prurjeve me nxenes, duke bërë në disa raste të vështirë mbulimin e tyre si me auditore ashtu edhe me bazë materiale, aq te domosdoshem për çdo artist.
  
Ç’vlerë dhe ç’rol ka reforma arsimore për të ardhmen e Liceut Artistik?
Reforma e Ministrisë së Arsimit dshe Shkencës është, kryesisht, një reformë tepër pozitive, sidomos në ridimensionimin që merrë ana e formimit të përgjithshëm të individit që aspiron të bëhet një artist i së ardhmes. Unë mendoj së Liceu Artistik ka një strukturë të mirëfilltë ku alternohen bindshëm si formimi i përgjithshëm ashtu edhe formimi artistik. Jemi në proces të vazhdueshëm bashkëpunimi, ku po punohet me ekspertë për pasurimin e mëtejshëm të programeve dhe evidentimin në to të metodologjive të përparuara

Ku ndryshon një liceist i përgatitur në vitet e pluralizmit nga ai i përgatitur para viteve ’90?
Hapja me botën bëri që, megjithëse ne vinim nga një një traditë e pasur si në metodologjinë e një shkolle të mirëfilltë teorike dhe praktike të mbështetur në shkollën ruse, të kishim nevojën e metodologjive krahasuese dhe me shkollat e ndryshme të të tjerave vende. Shumë prej artistëve u larguan dhe qenë të vetmit që edhe sot shpalosin vlerat e tyre në të gjithë boten. Artistët e sotëm, megjithë problematikat që kanë janë me fat. Mundësitë e tyre si të shkollimit, të përthithjes së informacionit, të krahasimit të metodologjive të ndryshme janë të mëdha.

Sa i frytshëm ka qenë bashkëpunimi me institucionet e tjera kulturore në vend?
Duke qënë se ne jemi një shkollë kombëtare dhe aktiviteti ynë duhet të jetë i gjithanshëm dhe i shpeshtë detyrohemi të mbështetemi dhe të biem dakort me institucione të ndryshme kulturore e artistike të vendit tonë. Bashkëpunime të frytshme kemi kryesisht me Teatrin e Operas dhe Baletit, Gjithashtu kemi organizuar koncerte të perbashkëta edhe me Orkestrën Sinfonike të RTSH.

Cili është kalendari i aktiviteteve të ndryshme që do të zhvilloj Liceu gjatë periudhës së mbetur të shkollës?
Këtë vit shkollor janë organizuar shumë aktivitete, të cilat bëjnë të mundur evidentimin e vlerave artistike si edhe të punës vërtetë të madhe që bëhet me këta nxënës. Përveç koncerteve që vetë pedagogët në bashkëpunim me stafin drejtues organizojnë me nxënësit e tyre më të mirë, vetë shkolla u bë inicuese e 3 netëve me provimet më të mira semestrale ku nxënësit më të talentuar të specialiteteve; si piano, violinë, violonçel, kanto, veglat e frymës, etj., paraqitën veprat e tyre më të realizuar artistikisht. Një koncert klasik u organizua me nivel të lartë në Sallen e Akademise se Arteve më datën 4 Prill 2009, me rastin e pranimit të Shqipërisë me të drejta të plotë në NATO. Liceu Artistik u paraqit me orkestrën e vet të madhe sinfonike, me orkestrën e vogël të fëmijëve, me formacione të ndryshme si edhe me korin e shkollës. Në të ardhmen, me 31 prill 2009 do të oganizohet një koncert i përbashkët me një kor madhështor austriak në Katedralen këtu në Tiranë. Projekte të tjera janë duke u përpunuar dhe së shpejti do të realizohen. 

Suksese të mëtejshme!
Faleminderit

...