Ligji i ri për shëndetin publik ka kaluar për miratim në Kuvend, e në të ndalohet tërësisht shitja e produkteve të duhanit dhe alkoolit për moshat nën 18 vjeç. Ligji i ri, në ndryshim nga ligjet e deritanishme për shëndetin publik përcakton ngritjen e Inspektoratit Shtetëror të Shëndetësisë, që do të merret pikërisht me zbatimin e këtij ligji. Kjo pritet të sjellë riaktivizimin e ligjit kundër duhanit, duke ia lënë përgjegjësinë e zbatueshmërisë së tij pikërisht ISHSH-së, thonë burime nga Ministria e Shëndetësisë.


Alkooli


Ligji është propozuar nga Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Shëndetësisë dhe tashmë ka kaluar në komisionet e Kuvendit, për të marrë rrugën drejt seancës plenare. Në këtë ligj përcaktohet se “mbrojtja e shëndetit nga përdorimi i alkoolit përfshin tërësinë e masave që ndërmerren për: ndalimin e konsumit të alkoolit tek të miturit; ndërgjegjësimin e publikut për dëmet e abuzimit me alkoolin dhe garatimin e një informimi efektiv dhe të vazhdueshëm të përdoruesve të alkoolit për këto dëme; reduktimin e dëmit te përdoruesit e alkoolit; dhe kontrollin e reklamimit të pijeve alkoolike”.


Me anë të këtij ligji, ministria paralajmëron një ligj të veçantë për përdorimin e alkoolit, i cili do të forcojë masat për përdorimin e tij. Për herë të parë, zbatimi i ligjit nuk është lënë në duart e drejtorive të Shëndetit Publik, të cilat nuk kanë staf të mjaftueshëm dhe kanë shumë kompetenca. Kjo ishte një nga arsyet kryesore të dështimit të ligjit anti-duhan. Me anë të këtij ligji, inspektimi shëndetësor do t’i lihet në dorë një institucioni të specializuar në varësinë e Ministrisë së Shëndetësisë.


Inspektimi


“Inspektimi shëndetësor është një veprimtari që mbikëqyr dhe kontrollon përmbushjen e rregullave të vendosura nga legjislacioni në fuqi, që ruan dhe përmirëson shëndetin publik, si edhe bën monitorimin e shëndetit publik, të zbatuara nga institucione të ofrimit të shërbimeve të kujdesit shëndetësor. Inspektimi do të kryhet nga Inspektorati Shëndetësor Shtetëror, në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë”, – përcakton relacioni i projektligjit.


Kompetencat e këtij inspektorati kanë të bëjnë me kontrollin e vazhdueshëm ndaj subjekteve publike dhe private për zbatimin e ligjit për shëndetin publik. “Ndërmjet të tjerash, inspektorati do të vëzhgojë dhe kontrollojë përmbushjen e rregullave në përputhje me legjislacionin në fuqi, për veprimtaritë dhe produktet me rëndësi për shëndetin e njeriut (kontrollin e infeksioneve, normat hijeno-sanitare me objekte publike dhe private, ndikimin në shëndet të kushteve apo faktorëve mjedisorë, shëndetin në punë, monitorimin e ujit të pijshëm, kontrollin e duhanit, alkoolit, etj.)”, – bën të ditur relacioni.


Me miratimin e këtij projektligji, që do të kalojë në seancë plenare përpara se të mbyllet Kuvendi, pra përpara fushatës elektorale, pritet të nisë rizbatimi i ligjit kundër duhanit dhe alkoolit në vend.